MENU
klinika

Të shtëna në aeroportin e Kabulit

Apeli i gjeneralit britanik: Nuk i marrim dot të gjithë!

28.08.2021 - 17:26

Të shtëna me armë janë dëgjuar në aeroportin e Kabulit përsëri këtë të shtunë, ndërsa forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të larguar njerëzit që kërkojnë me dëshpërim të futën brenda kompleksit me shpresën për të kapur njërin prej avionëve të fundit që të çon larg Afganistanit.

Sipas dëshmitarëve ishin Talebanët që qëllonin jashtë aeroportit për të shpërndarë turmën, që sipas raportimeve të shërbimeve inteligjente, rrezikohet sërish nga sulme kamikazë.

Mbretëria e Bashkuar mbylli sot operacionin e evakuimit, ndërsa ai i forcave amerikane vijon ende. Që prej datës 20 gusht, më shumë se 20500 refugjatë janë transportuar në bazën amerikane në Gjermani, 5000 prej të cilëve janë dërguar në vende të tjera, mes të cilëve 275 që kanë ardhur në Shqipëri.

Megjithatë ka ende shumë afganë dhe të huaj të tjerë që kanë mbetur aty, në pamundësi për t’u larguar. “Mendoj që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, por është e dhimbshme që nuk mund t’i marrim të gjithë”, tha për Reuters, shefi i Forcave të Armatosura Britanike, Gjenerali Nick Carter.