Partia Socialiste do të zhvillojë në 2 shtator mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Takimi do të mbahet në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve. Në mesazhin që Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla i ka dërguar anëtarëve thuhet se duhet të merren masat për pjesëmarrjen në Asamble.
“Të nderuar anëtarë të AK!Ju njoftojmë se ditën e Enjte, datë 2 Shtator 2021, ora 10.00, do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë në Pallatin e Kongreseve Tiranë. Rendi i Ditës së kësaj mbledhje do të njoftohet nesër. Lutemi merrni masat për pjesëmarrjen e domosdoshme në këtë mbledhje!”
Ashtu siç ka paralajmëruar edhe kryeministri Rama këtë javë që vjen do te behet publike edhe qeveria e re.
Ndërkohë Najada Çoma nuk do të jetë pjesë e grupit të ri parlamentar, pasi ka hequr dorë nga mandati i deputetes.
Largimin nga qeveria e ka paralajmëruar edhe zv/kryeministri aktual, Erjon Braçe, i cili përmes një statusi në Facebook shkruan se “ka një fund”. Përmbajtja e statusit të Braçes lë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për një mbyllje të aktivitetit të tij politik kur bën dhe një bilanc të 24 viteve në politikë.