Debati lidhur me origjinen e daljes se koronavirusit vazhdon te jete nje teme e nxehte ne kete periudhe kur variante te ndryshme mbajne te mberthyer e ne tension gjithe globin. Kina kundërshton me forcë raportin e publikuar nga agjencitë amerikane të zbulimit mbi gjurmimin e origjinës së COVID-19, ku akuzohet për “pengimin e hetimeve ndërkombëtare” dhe “mospranimin e ndarjes së informacionit dhe fajësimin e vendeve të tjera”, tha ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara në një deklaratë të shtunën.
Presidenti amerikan Joe Biden u kishte dhënë agjencive të zbulimit 90 ditë kohë për të hetuar lidhur me origjinën e COVID-19. Raporti u paraqit për publikun të premten përmes një përmbledhjeje jopërfundimtare, të paklasifikuar.
Ekspertët e OBSh-së publikojnë rezultatin e studimeve në Wuhan, shkurt 2021(VCG)
Raporti nga agjencitë amerikane të zbulimit nuk ka bazë shkencore e besueshmëri, thekson deklarata, duke shtuar se gjurmimi i virusit të COVID-19 është një çështje komplekse shkencore që duhet të bëhet vetëm nga shkencëtarët.
Në deklaratë ritheksohet se Kina ka mbajtur një qëndrim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm që nga shpërthimi i COVID-19, duke publikuar informacion, duke ndarë renditjen e gjenomit të virusit dhe duke kryer bashkëpunim ndërkombëtar për të luftuar sëmundjen, të gjitha këto në kohën më të hershme të mundshme.
“Ne ishim të parët që bashkëpunuam me OBSh-në për gjurmimin e origjinës globale dhe kemi ftuar ekspertët e OBSh-së që të kryejnë hetime dy herë në Kinë. Ne ishim plotësisht të hapur, transparentë dhe bashkëpunues kur ekspertët ishin në Kinë. Ata vizituan çdo vend që kishin në listë për të vizituar, takuan çdo individ që kërkuan të takonin dhe morën të gjitha të dhënat që dëshironin,” thuhet në deklaratë.
Deklarata thotë që në të paktën pesë shtete amerikane, ka pasur raste infeksionesh para se të njoftohej rasti i parë në ShBA.
“Nëse ShBA-ja këmbëngul në teorinë e daljes nga laboratori, a nuk duhet të ftojë ekspertë të OBSh-së në ‘Fort-Detrik’ dhe Universitetin e Karolinës së Veriut për hetim?”, pyetet në deklaratë.
Ambasada i bëri thirrje ShBA-së të zbulojë së pari se çfarë ka ndodhur në laboratorët amerikanë, në vend që “të hedhë baltë mbi të tjerët”.
Deklarata vë në dukje se faza e dytë e studimit të origjinës së koronavirusit duhet të jetë një zgjerim gjithëpërfshirës i fazës së parë dhe duhet kryer në shumë vende për të gjetur të verteten.