MENU
klinika

Lamtumirë, Sherif Merdani!

A shuhet, Zëri që burgosin diktaturat?..

29.08.2021 - 21:31

       Ku mbete ti rini?
Mosh’ që vjen vetëm njëherë,
Kur më erdhe nuk e di,
Ishte dimër a pranverë,

Por një gjë fort’ mir’ e di,
Un’ të buk’rën dashurova,
Nga rrugicat me kalldrëm,
Tek artistët që ka bota.

Ne besuam si fëmij’,
Ne besuam të dashuruar,
Se kënduam “Let it be”,
Ndaj dhe rronim të përgjuar.

Po ku ishe ti o Zot?
Për një çast kur të mohuam,
Falna ti dhe mjaft me lot,
Veç tek ty kam për t’besuar.

Ne besuam si fëmij’,
Ne besuam të dashuruar,
Se kënduam “Let it be”,
Ndaj dhe rronim të përgjuar.

Po ku ishe ti o Zot?
Për një çast kur të mohuam,
Falna ti dhe mjaft me lot,
Veç tek ty kam për t’besuar.

Brezi yn’ nuk mund të kthehet, jo, jo,
Fshehur botës i harruar,
Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po,
“Let it be” kam për t’kënduar. 

Ndahet nga jeta, në moshën 81-vjeçare, Sherif Merdani. Artisti, vuante nga një sëmundje e rëndë.

Këngëtari i spikatur i brezit të tij, vuajti dënimin politik, për disa vite. Menjëherë pas festivalit famëkeq, ai i 11-ti, Sherifi, që shkëlqeu në skenë, si dhe disa kolegë të tij, përfundojnë pas hekurave.

As 16 vitet e burgut komunist, nuk do t’ia zbehnin pasionin për muzikën. Ndërsa, skena, e mbështolli sërish me duartrokitjet e panumërta, zërin që nuk pati moshë… Ishin vitet e para të demokracisë dhe Sherif Merdani, do të ishte po i njëjti këngëtar i paepur, do të këndonte me gjithë virtuozitetin dhe elegancën e kahershme…

Skena do të buçiste nga jehona e shpirtit të vrarë, por triumfues,.. mjeshtërisht, triumfues!

Sherif Merdani është këngëtari i njohur, është këngëtari i përndjekur dhe diplomati shqiptar.

Njihet si këngëtar i madh, i muzikës së lehtë. Ka interpretuar sidomos këngët e një tjetër emri që shkëlqeu në muzikë, kompozitori Kastriot Gjini. Pas Festivalit të 11-të, si edhe kolegë të tij, u përndoq nga diktatura e Enver Hoxhës.

Në vitet ’90-të, i atashuar si diplomat pranë Ambasadës Shqiptare në Romë.

Në dhjetor 1970, merr pjesë në Festivalin e 9-të, në RTSH, me këngën “Mes jush”.

Dhjetor 1970, në Festivali i 9-të në RTSH, me këngën “Të pres në tetor”.

Dhjetor 1971, Festivali i 10-të në RTSH, me këngën “Kënga e nënës”.

Dhjetor 1971, Festivali i 10-të në RTSH, me këngën “Vite pa harrim”.

Në dhjetor 1971, Justina Aliaj & Sherif Merdani marrin pjesë në Festivalin e 10-të në RTSH, me këngën “Në mbrëmjen e vallëzimit (Ne të dy)”.

Në dhjetor 1972, merr pjesë në Festivalin e 11-të në RTSH, me këngën “Vajza e qelqtë”.

Në dhjetor 1972, në Festivali i 11-të, me këngën “Rruga e Dibrës”.

Dhjetor 1972, Festivali i 11-të në RTSH, me këngën “Duart e tua”.

Dhjetor 1995, Festivali i 34-ët në RTSH, me këngën “Simfonia e nënës”.

Dhjetor 1997, Festivali i 36-të në RTSH. me këngën “Bisedoj me dashurinë”.

Këngët, dashuria dhe ndjeshmëria e rrallë interpretative, të Sherif Merdanit, janë muzika e pastër shqiptare, vargu i thellë i poezisë, nderimi i madh, nga një artist i madh, i skenës dhe për skenën e traditën shqiptare!