MENU
klinika

Tkurren Shkencat e Natyrës, fokusi në degët me punësim të shpejtë

Fituesit e parë në Universitete, ja çfarë preferojnë më shumë të rinjtë

31.08.2021 - 15:10

Është një listë e kufizuar degësh, që zor se mbeten me kuota të paplotësuara në raundin e dytë. Bëhet fjalë për profilet kryesore në Universitetin e Mjekësisë, atë të Ekonomikut dhe Informatika me nënllojet e saj.

Ndaj, maturantë, mendohuni mirë përpara se të refuzoni një degë që ngjyroset me të gjelbër, pasi pikët mund të mos mjaftojnë më në raundin e dytë!

DEGËT E PREFERUARA

“Bluza e bardhë” është ëndrra e të paktën 20 për qind të maturantëve në të gjithë vendin, të cilët kanë përzgjedhur në formularin A2 profilet si “Mjekësi e përgjithshme”, “Farmaci” apo “Stomatologji”. Të dytët në renditjen e degëve më të kërkuara nga të rinjtë janë degët e Ekonomikut, në Tiranë e rrethe.

Pas grupit të Shkencave Mjekësore, 14 për qind e aplikimeve adresohen në fakultetet e Ekonomisë. Në toplistën e preferuar vijon të mbetet Teknologjia.

Më saktë Informatika, e cila rezulton të jetë kërkuar nga 12% e maturantëve në Formularin A2. Të dhënat zyrtare nga Rrjeti Akademik Shqiptar që ndërmjetëson procesin e regjistrimit në universitete flasin për një trend pozitiv të degëve profesionale, të cilat kanë njohur një trefishim përgjatë viteve të fundit.

Ndërsa vlen të theksohet se rritja e notës mesatare nuk i ka mbajtur larg të rinjtë nga degët e mësuesisë, veçanërisht vajzat. Sipas informacioneve nga RASH, 8% e tyre kanë zgjedhur një nga këto profile, kryesisht në Universitetin e Tiranës.

DEGËT NË RREZIK

Problematika më e madhe, në fakt, është vërejtur në rrethe. Për shkak se nuk aspirohen nga të rinjtë si dhe filtri i vendosur nga qeveria, shumë prej tyre rrezikojnë seriozisht mbylljen. U bë i disati vit që disa degë në Universitetin e Elbasanit, Gjirokastrës a Vlorës, në rastin më të mirë mbahen hapur me sforco.

Në skenarin e keq, detyrimisht mbyllen, pasi kërkesa as i afrohet numrit dhjetë studentë, sa ç’është kufiri për të mbajtur hapur një klasë. Një tjetër fakultet që njeh tkurrje nga viti në vit, është ai i Shkencave të Natyrës në kryeqytet.

“Ka degë që nuk ka kërkesë të madhe, siç janë disa në Shkencat e Natyrës. Tregu shqiptar i punës nuk është aq fleksibël, sepse të studiosh fizikë diku jashtë do të ishte një nga degët më të preferuara, edhe për kompanitë”, thotë Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar. Sipas tij, fokusi i të rinjve, edhe këtë vit është drejt degëve që premtojnë punësim të shpejtë, menjëherë pas përfundimit të studimeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga mësuesit te mjekët dhe studentët, vaksina me detyrim për 3 kategori

Si ndryshon plani i masave anti-COVID në Shqipëri