MENU
klinika

Nga Luan Rama

Një shekull nga fronti shqiptar i “Armatës së Lindjes”

05.11.2018 - 10:33

Kush ka shkuar në Korçë dhe ka kërkuar të njohë historinë e këtij qyteti, do të piktakojë padyshim dhe atë varrezë me varre mermeri ku prehen eshtrat e ushtarëve francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe ku në portën e saj shkruhet: «Ici réposent 640 soldats de l’Armée Française, morts pour leur patrie, 1916-1918» («Këtu prehen eshtrat e 640 ushtarëve të Ushtrisë Franceze rënë për atdheun e tyre»). Të ngjan si një copë e Francës, pjesë e trupit të Francës dhe e gjakut të saj që është aty, ngjizur në atë tokë, ku pulson një histori që nuk shlyhet, edhe pse ka kaluar një shekull.

Një ditë, kur një mikeshë më tha se banonte pikërisht në lagjen «Varrezat e francezëve», kjo gjë fillimthi më habiti, por e thënë natyrshëm, çdokush e kupton sesa shumë këto varre, kjo pjesë e historisë së Francës dhe e historisë shqiptare të asaj kohe, kanë hyrë në jetën e përditëshme të ditëve tona. Disa herë e kam vizituar atë varrezë, duke kërkuar të njoh nga afër se cilët ishin ata të rinj që një «Luftë e Madhe» («La Grande Guerre») siç do të quhej ajo luftë, i kishte sjellë këtu dhe që i kishin dhënë kazasë së Korçës, kësaj zone që përfshinte dhe Pogradecin «Republikën autonome», vetvendosjen, në një kohë kur Korça rrezikohej nga pushtimi i ushtrisë greke dhe aneksimi i saj. Ishte kjo Francë që përmes kësaj autonomie, i dha qytetarëve të kazasë perspektivën e një ardhmërie dhe të një qytetërimi të ri.

Një varrezë me peshën e një simbolike të madhe

Nëse dikur, në vitet e para të luftës, këto varre ishin të shpërndarë dhe të mbuluar me shpejtësi nën gjëmimet e luftës, lënë në lugina, rrëpira malesh apo lëndinat e përzhitura, shpejt pas lufte, varret do të bashkoheshin dhe të vrarët do të rigjenin njëri-tjetrin, e çuditërisht, me kalimin e viteve dhe ndërtimet e reja, ajo varrezë do të hynte në gjirin e qytetit, rrethuar nga banesat, zërat e fëmijëve dhe jeta e zhurmëshme e një qyteti të ri, duke mbartur njëkohësisht një simbolikë të madhe : atë të kontributit historik e të një lidhje të fortë të dy kombeve.

Pothuaj 100 vjet kanë kaluar nga të rënët e parë francezë në tokën shqiptare në frontin jugor të luftës ku ndesheshin forcat e Antantës kundër ushtrive austro-hungareze, gjermane, bullgare e turke, në beteja që në vitet 1917-1918 do të cilësoheshin nga historianët e luftës si beteja heroike. Sot paqja mbizotëron në këto varre, ku vizitori i zakonshëm lexon emra ushtarësh si Auguste Boiton, Paul Chambault, Georges Pincon, Tayed Merabel, Choung Ngyen…

Dhe sigurisht, nuk janë të gjithë, pasi ata kanë qënë mijra dhe se shumë prej tyre janë transferuar në Francë fill pas lufte, pa përmendur këtu të zhdukurit e luftës, të cilët padyshim kanë humbur në rrethana të panjohura, në greminat apo furtunat e dëborës. Gazetari francez Albert Londres, ky korrespondent lufte që përshkoi frontin e Ballkanit, duke parë këto varre të shumtë nëpër Ballkan, ndër të tjera shkruante në gazetën Le Petit Journal: «Ja këta që nuk do e marrin anijen. Të vrarë nga plumbat apo vdekur nga ethet në këtë tokë të huaj dhe që ende e tregojnë shëmbullin e tyre duke qëndruar në rradhë të shtrënguara… Nëna, e cila më vonë do të bëjë udhëtimin e gjatë për të ardhur deri këtu, nuk do kërkojë t’i fshehë ngashërimet e saj. Biri i saj nuk jeton më, por ai nuk ka humbur. Meqë lotët nuk mund t’i shmangë, të paktën ato e dinë se ku do të bien…»

Vite më parë gjatë një bisedë me Jacques Faure, ish ambasadorin francez në Tiranë në vitet e para të dekadës së fundit të shekullit XX-të, midis kujtimeve të tij, ai ruante dhe atë histori të bukur nga Voskopoja, kur kishte parë që në oborrin e një kishe ishte dhe varri i një ushtari francez. Ai kishte kërkuar që ta zhvendosnin që andej, por fshatarët e atjeshëm i kishin thënë menjëherë: “Ky varr është yni… është varri i mjekut francez që u kujdes dhe për ne…” Dhe varri i veterinerit francez Alexandre Dehecque, i vrarë gjatë një bombardimi, mbeti atje, varrosur në oborrin e kishës së Shën Kollit, duke qënë i vetmi i vrarë francez i pa transferuar në varrezat e Korçës.

Alush Demiri ka vite që ka vdekur. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kishte luftuar krah francezëve dhe pas lufte kishte shërbyer si roje i varrezave franceze, i atyre ushtarëve me të cilët kishte luftuar në shumë beteja. Siç duket, xha Alushi i «Batalionit të Pushkatarëve Shqiptarë» e kishte patur të vështirë t’i linte të vetmuar ata ushtarë prej të cilëve ruante kujtime të dhimbshme e tragjike. Nga ajo luftë, ai ruante jo vetëm “Medaljen Ushtarake”, (dekoratën e dhënë nga kryekomandanti i Ushtrisë Aleate, gjenerali francez Franchet d’Esperay, komandant i “Ushtrisë Aleate të Orientit”), si dhe «Croix de Guerre avec Palme», (me motivacionin «Njeri shumë guximtar, që me gjakftohtësi e guxim arriti të kapë robër disa ushtarë armiq dhe një oficer, si dhe dy mitralozë») por dhe dekoratën «Chevalier du Mérite Combattant – Honneur-Devouement», (“Kalorës i Meritës së Luftëtarit – Nder dhe Devotshmëri”), dhënë në vitin 1959 nga ministri i Luftëtarëve të Vjetër dhe i Viktimave të Luftës së Francës, në cilësinë e shërbimit të kryer në roje të varrezave të ushtarëve francezë në qytetin e Korçës. Ky personazh më kishte frymëzuar të shkruaja poezinë Rojtari i varrezave të Armatës së Lindjes, vargje të cilat sot ai s’mund t’i lexojë.

Të rënët e kolonelit Ordioni

Do të ishte pikërisht koloneli André Ordioni, komandanti i Regjimentit 372 të këmbësorisë franceze, ai që do të kujdesej për të rënët francezë. Ky korsikan i lavdishëm që e deshi aq shumë Shqipërinë dhe që malet shqiptare i kujtonin gjithnjë vendlindjen, komandoi gjithashtu dhe batalionet ushqiptare në Malin e Thatë, Malet e Gorës, në zonën e Devollit, liqenet e Prespës, Maliqit e të Ohrit, si dhe në luginën e Shkumbinit. Një mori letrash dërguar gruas dhe vajzës së tij nga fronti shqiptar zbulojnë veç të tjerash dhe dhimbjen e tij të madhe për shokët e rënë në Holta apo Guri i Prerë, në Qafa e Gjarpërit, Shënapremte, etj. Ai na përshkruan çastet e fundit të lietnantit të tij Biccot apo detyrimin që kishte për bashkëpuntorin e tij të afërt André Siegfried, të vrarë në prag të armistisë. Ai e dinte dhimbjen e ushtarëve dhe siç shkruante në letrat, shumë herë kishte dëgjuar fjalën «nënë» nga goja e trimave të tij në momentet e tyre të fundit:

«Për shumë nga ata, fjala nënë ishte si fryma e fundit, ç’trishtim i pafund, lamtumira e fundit ishte për to… Nënë, klithmë dashurie e besimi, të cilën e kam ndjerë në rrethanat më tragjike. Në këto vende të vetmuara, kjo klithmë merrte ngjyrat e një fatkeqësie tepër të trishtë, ku njeriu dukej se vdiste dy herë. Dhe kjo lamtumirë drejtuar jetës, nënës larg, që do t’i mbyllte sytë përgjithnjë, që do të mbyllte ato qepalla që s’do të hapeshin më kurrë. Kjo është cfilitëse. Sa e sa herë e kam bërë këtë veprim me oficerët dhe ushtarët e mi që binin në këto vende të larta, ndërkohë që fitorja na buzëqeshte, duke i hapur fort krahët e saj të mëdha e të praruara.»

Pas lufte, koloneli Ordioni u kthye pranë familjes së tij në Bretagne por shumë shpejt ai do të kthehej përsëri në Shqipëri, kësaj rradhe si përfaqësues i Francës në Komisionin Aleat të Përcaktimit të Kufijve në kufi me Greqinë në jug dhe me Jugosllavinë në Vermosh si dhe për çështjen e Shën Naumit, për të cilin ai ishte i vendosur se ky vend duhej t’i përkiste Shqipërisë. Por imazhi i të rënëve të tij, të shpërndarë në kodrina të ndryshme ishte i dhimbshëm për të. Ja se çfarë shkruante ai në letrën dërguar nga Korça vajzës së tij më 2 nëntor të vitit 1924, të titulluar

«Varrezat ballkanike»: «E dashur Monique. Varrezat ballkanike, ato terrene që rrethojnë ushtarët tanë të rënë, të cilët i kam njohur dhe admiruar për trimërinë e tyre, gjallërinë dhe gjakftohtësinë e tyre, nuk krahasohen aspak me varrezat në Francë. Të gjitha këto varreza ballkanike i kam vizituar: që nga Varsa ku u mblodhën gjithë të vrarët tanë të Luftës së Krimesë, e po kështu dhe ata të Sebd-ul-Bahr, të Kustendilit, Manastirit, Zeitenlick-ut (pranë Selanikut), pa harruar ata të Zhapës (Zapeïon). Ngado i njëjti imazh i braktisjes, ashtu të lënë diku. I njëjti trishtim që të mbërthen shpirtin në këto ditë të nderimit për ta, ku orë të tëra u kushtojmë ushtarëve që s’janë më, të vdekurve, atyre që aq shumë i kemi dashur. Ngado ka kryqe druri, disa prej tyre janë ende në këmbë, ndërsa të tjerët të thyer nga koha. Këndej, ato janë zhdukur plotësisht, përlarë nga uragani, kurse andej matanë ka veçse copa druri që madje s’kanë as shenjën e Zotit. Vetëm një fllad funebër tund disa fije bari që kanë mbirë mbi ato varre që koha i ka sheshuar.

E megjithatë ne i detyrohemi shumë këtyre të vdekurve që i kemi parë të vdesin në furtunën e zjarrit të luftës. Ne i kemi harruar… Kur mendoj për varrezat pariziane që janë aq të bukura e me lule, kur mendoj për ato të provincës që rivalizojnë me nekropolet e kryeqytetit me ato “qyteza” me shapela e varre me pllaka që vizitohen nga të gjithë Ditën e të Vdekurve, trishtimi im është akoma më i madh! I vetëm eci në ato shtigje vetmitare ku aty këtu prehen ushtarët e mi. Rasti i ardhjes me misonet ndërkombëtare, ka bërë të mundur që të vij të përshëndes të vdekurit e mi gjashtë vjes pas ndarjes me ata të cilët janë këtu si të braktisur përgjithnjë. Por jo, unë u ktheva, ja ku jam pas një mungese të gjatë, sikur të isha thirrur nga ushtarët e mi për të plotësuar një detyrë të fundit. E kuptova se të gjithë ata donin të ishin sëbashku në të njëjtën varrezë dhe jo të ndarë nëpër male e lugina. Zogjtë e vegjël që fluturojnë kryq më kryq duke cicëruar duket se më flasin për të vdekurit e mi, këta të vrarë e të mjerë që prehen larg tokës së tyre. Këto male, këta drurë e shkurraja që ruajnë ngjyrat e bukura të vjeshtës, krijojnë një dekor të madh që ofron natyra. Këto gardelina të vogla që më shoqërojnë në këtë pelegrinazh funebër, lëshojnë ca klithma therrëse, si këngë funeralesh.

Askush, asnjë shpirt i gjallë, nuk vjen të vendosë lule këtu mbi këto varre, rreth të cilave bredhin veç fantazma e ndoshta shpirtrat e vetë heronjve të vdekur, disa prej të cilëve ishin bashkëpuntorët e afërt të mi, siç ishte André Siegfried, ai djalosh i ri që u kosit në lulen e rinisë, në prag të armistisë. Sa shumë më ka dhëmbur. Ndërsa sot s’ka më asgjë… veç hija e tij! Dhe kështu thellë vetvetes, rreth meje, kam këtë ndjesi dhimbjeje. Unë nuk arrij ta kuptoj djegjen e trupave njerëzore, kthimin e tyre në hi, të cilin pastaj e fusin në poçe, në një sirtar apo në një tas! Ç’gjë e çuditshme! E ndërkohë unë jam mes këtyre kockave, kocka që kanë qënë një dorë, të cilën dikur ka shtrënguar, kockë që dikur ka ka krijuar një zgavër ku një zemër ka rrahur, kockë që dikur ka formuar një tru të fuqishëm e të organizuar ku kishte një imagjinatë të gjallë. Kështu edhe trimi i ndershëm Siegfried më dikton tani detyrën që kam ndaj këtyre skeleteve të braktisur në këtë tokë të pjerrët shqiptare: t’i mbledh të gjithë, në një batalion të ngjeshur pranë njëri-tjetrit, në të njëjtin vend duke u bërë një varrezë të denjë. Po, do t’i shkruaj “Souvenir Français” (“Kujtimit Francez”), i cili besoj se në këto çaste po merret me këtë misionin bamirës që të mjerët tanë të vdekur të mos bijen në harresë. Hija e lietnantit tim André Siegfried duket tani e kënaqur… Ordioni. »

Pothuaj një shekull ka kaluar dhe këtë 11 nëntor, ditën e fundit të asaj lufte barbare, nuk mund të mos kujtojmë atë kontribut të madh të Francës dhe të komitëve shqiptarë në ditët kur kërcënoheshin kufijtë tanë. Dhe ja pse midis qytetarëve të shumtë që shkojnë në këto varreza, imagjinojmë dhe hijen e kolonelit Ordioni që nderonte ushtarët e tij, duke u thënë se amanetin për ta ai e çoi në vend. Ata prehen të gjithë në krahët e paqes së madhe dhe në dashurinë e një populli që nuk mund ta harrojë gjakun e tyre.

Lule dhe të vrarë…

Dy letra të tjera interesante janë shkruar në këtë kohë nga koloneli veçanërisht në luftrat e zhvilluara në verën e vitit 1918, kur ushtria austriake po tërhiqej, duke lënë pas humbje të mëdha. Letrën e parë ai ia drejton vajzës së tij Monique, ku ndër të tjera i shkruante: “… Midis dy betejave, atëherë kur duhet t’i lë të shlodhen ushtarët e mij që kanë luftuar si tigra të vërtetë, shikoj përreth me admirim natyrën e maleve shqiptare. Çfarë force, bukurie dhe lule të shumëllojshme…

Meqë duhet t’i zbres këto male që të shkoj luginave për të luftuar kundër armiqve që tërhiqen, vështroj dhe njëherë peizazhin e këndshëm me sy që më mrekullohen… Admiroj lulet e kujtimit, krejt të verdha, lule gruri me një blu të thellë, iriset e vegjël e të egër, vjollcat, serpoletet… dalloj madje dhe sanëza e bleronja dhe të gjitha bashkë më ofrojnë një buqetë tringjyrëshe, si një ogur i lumtur për betejat që do zhvillojmë nesër e që do jenë vendimtare. Lulëkuqet e kuqe ekarlatë, margaritat e bardha plot shkëlqim dhe lule gruri me blunë e qiellit, do të formojnë një buqetë me ngjyrat tona kombëtare që do më ofrojë Fitorja, të cilën e pikas larg në horizont dhe që më lajmëron tashmë për fitoren që do të kemi nesër mbi armiqtë në kreshtat e Holtës…”

E habitshme kjo letër e kolonelit, i cili çdo ditë ishte i rrethuar nga të vrarët dhe gjëmimet e luftës dhe nga ana tjetër, edhe pse me shpirt të copëtuar, ai shpaloste shpirtin e tij të brishtë dhe fin, duke u mrekulluar nga natyra dhe lulet, ashtu siç shkruante më parë dhe për harabelët që kishin ngritur folenë në dhomën e tij në Korçë, kur në mes të acarit, ata më së fundi ishin afruar, duke qëndruar në duart e tij…

Në një letrër tjetër dërguar gruas së tij më 13 gusht 1918, ai i tregonte se kishte hipur në majën e lartë të Tomorrit, ku rastësisht kishte gjetur trupat e gjashtë ushtarëve austriakë, të cilët kishin ngrirë nga i ftohti i madh i dimrit të kaluar dhe të shtrirë në tokë mbanin ende armët e tyre pranë dhe që ujqit nuk i kishin ngacmuar. Pamja ishte tronditëse. Ata dukej sikur flinin.

“E dashur Marie… atje nuk kishte shenja lufte, as shenja betejash të ashpra; nuk dëgjoheshin zhurma mitralozësh, topash apo avionësh… ishte një qetësi e madhe, një vetmi e jashtëzakonshme në atë natyrë plot diell të muajit gusht. Shkrirja e dëborës e kishte zbuluar atë patrullë që kishte humbur në mes të stuhisë… Imazhe prekëse në këto vende madhështore të Tomorrit. Mu duk se këta ushtarë që kishin vdekur kaq pranë qiellit e përballë Zotit, ishin më të shenjtëruar se të tjerët… Pasi përcaktova identitetin e tyre, nxitova t’i varros me dinjitet atje ku i gjeta. Si prift i madh laik, unë u drejtova atyre lamtumirën supreme!»

Këto rreshta të një letre që ka ardhur deri në ditët tona, tregojnë më së miri, shpirtin e këtyre njerëzve që bënë një luftë sa të drejtë aq dhe të kobshme, pasi ajo solli vetëm rrënime, shkatërrime, vdekjen e miliona njerëzve në të gjithë Evropën.

Po kështu, interesante është dhe përshkrimi që i bënte kolonel Ordioni ceremonive fetare që kryeshin në rradhët e trupave të tij nga priftërinj që ishin njëherësh edhe ushtarë. Si shumë oficerë e veçanërisht ushtarë të trupave të tij, edhe Ordioni ishte besimtar, aq më tepër në luftë kur njeriu është orë e çast përballë vdekjes. Jo rrallë organizoheshin mesha në natyrë, buzë një muri, në fushë të hapët apo diku në një bregore lumi. Por ndodhte që dhe priftërinjtë-ushtarë të vriteshin…

Një ditë, më 25 mars të vitit 1918, kur lufta vazhdonte midis francezëve dhe trupave austriako-bullgare, në një zonë shkëmbore të luginës së Shkumbinit, ushtarët u ndalën që të dëgjonin meshën e shenjtë në një vend kulti shkëmbor, pothuaj në natyrë. Ja çfarë shkruan ai në një letër drejtuar vajzës së tij Monique:

«… Ti e di që unë i dua kishat e katedralet, por katedralja e përjetshme që “boshët” (gjermanët) nuk mund ta shkatërrojnë është ajo që ka krijuar natyra, vetë Krijuesi ynë. Imagjino një shkëmb gjigand, i prerë thikë që bie deri afër tokës, i cili ka një gropëz si një lloj altari dhe që i ngjan altareve të kishave tona. Në këtë altar, javën që shkoi, prifti ynë kremtoi Meshën e Shenjtë. Pemët gjigande përreth krijonin imazhin e navatave të katedraleve tona më të bukura. Ky lloj altari më tërhoqi pa masë dhe mu duk se dallova skulptura naive tepër të lashta… Në të djathtë të altarit, një vend i shenjtë plotëson dhe nxit imagjinatën tonë. Vallë pëllumbat bëjnë folenë aty lart? Sipër kubesë shoh retë, të cilat i kemi parë dhe në kubetë e kishave tona, janë ato që çojnë Jezu Krishtin në qiell e po ashtu dhe Virgjëreshën e Shenjtë. Ato re përfaqësojnë Ascension, Pâques, Assomption, (Ngjitja e Krishtit në qiell, Pashkët dhe Ngjitja e Virgjëreshës në qiell nga ëngjëjt). Në të djathtë shoh zogj të mëdhenj që enden dhe që njëri prej tyre më ngjan me Shpirtin e Shenjtë që zbret apo bëhet gati të zbresë drejt nesh. Dhe në atë çast, një fllad i lehtë fryn, çka krijon efektin e një orkestre. Janë tingujt e organos së Krijuesit që na sjell muzikën e mrekullueshme që na kënaq veshët, aq më tepër që unë parapëlqej të dëgjoj harmonitë e natyrës me orkestrat e qytezave antike. Eshtë një spektakël prekës dhe mbresëlënës, në këtë tokë të huaj, larg vendlindjes time. Para këtij altari të improvizuar, janë përkulur mijra koka ushtarësh që pasi kanë menduar për Zotin e Gjithfuqishëm, kanë menduar pastaj për vatrat e tyre familjare apo tavolinën, ku përreth saj fëmijët e tyre presin kthimin e babait apo të vëllait të madh që po lufton për ta…»

Vjeshtë e vitit 1918. Ishin ditët e fundit të luftës, ditët e fundit të barbarisë. Ngado imazhet në tokat shqiptare, në Ballkan, por akoma më shumë nëpër Evropë, veçanërisht në frontin franko-gjerman, ishin të tmerrshme: të vrarë të pa varrosur, tela me gjëmba, topa të përmbysur, karro, kuaj dhe mushka të ngordhura buzë rrugës, ura të hedhura në erë, helmeta të braktisura apo avionë të përmbysur mbi bregore. Në një foto dukej një dorë e dalë nga dheu… vetëm dora, pasi dheu i gjyles së rënë e kishte mbuluar ushtarin që ishte gjendur aty pranë. Mbresat janë të pashlyeshme… Madje koloneli Ordioni ruante dhe një fotografi nga beteja e Holtës, ku dukej një transhe e mbushur me kufomat e ushtarëve austriakë. Vetëm atje e shikoje dhe mund ta kuptoje ashpërsinë e asaj lufte, çka të kujtonte transhetë e Verdun-nit në Francë, të cilat u përmbytën nga qindra mijra të vrarë… Një imazh që të kujtonte vargun e poetit Paul Eluard, edhe ai një ushtar i Luftës së Madhe, i cili shkruante :

«Gjithë këta burra të shkretë, këta trupa të plagosur, / mbuluar janë me një cipë balte dhe gjaku…»

Gazetari francez Robert Vaucher, i revistës tepër të njohur L’Illustration, që kishte përshkruar luftimet e trupave franceze në tokat shqiptare, në disa numra rresht tregonte dhe për një detashment të ushtrisë shqiptare të komanduar nga Themistokli Gërmenji, të cilët ishin përgatitur me shpejtësi nga oficerët francezë, ushtarë këta që gjatë tri vjetëve morrën pjesë në luftime të shumta kundër austro-bullgarëve dhe trupave gjermane të elitës. Po kështu dhe gazetari Jessen, duke përjetuar drejtpërdrejt luftën e çlirimit të Pogradecit, theksonte në L’Illustration faktin sesi senegalezët dhe tabori shqiptar «i kishin kthyer mbrapsht saksonët…», austro-gjermanët në vend-strehimet e tyre të Pogradecit. Koloneli shkruante me simpati për xhandarmërinë shqiptare dhe komitët e rreshtuar në krah të Francës, duke treguar për operacionet ushtarake që u zhvilluan midis Ostrovës dhe Devollit në 15-18 maj 1918, ku u shquan dhe ushtarët shqiptarë, të cilët, në krah të francezëve luftuan deri në majat e larta në 2350 metra, ku austriakët kishin hapur transhe dhe kishin vendosur tela me gjëmba.

Luftime u bënë dhe në Pulaha, Protopapë, Mali i Kurorës, Qafa e Becit, mali i Grabovës, etj. Vetëm në këto luftime u kapën 200 robër, 6 topa dhe shumë mitrolozë, ndërkohë që mijra të tjerë u kapën në muajt e fundit të luftës. Po kështu, në betejat e zonës së Shkumbinit (Cervenakë, Homes, Golik, Holta, Guri i Prerë, etj,) përkrah batalionit të Regjimentit 372 të Këmbësorisë, që komandonte koloneli, ishin dhe taborët shqiptarë me qindra luftëtarë. Shqiptarët e kapitenit Holtz do të luftonin gjer në betejat e fundit të qershor-korrikut 1918, siç u dalluan ata dhe në pushtimin e malit të Komjanit.

Siç shkruhet dhe në ditaret e luftës të kolonel Ordionit, misioni i ushtarëve shqiptarë përmbushej nga një trupë prej 3000 ushtarësh, midis të cilëve dhe “batalioni i gjuajtësve të Korçës”, një tabor “esadistësh” dhe një çetë e parregullt komitësh… Në shënimet e tij, ai shkruante gjithashtu se përveç “esadistëve” nën komandën e kapitenit Cader dhe pushkatarëve të Korçës, ishin dhe çetat e parregullta apo komitaxhinjtë me prijësa si Mehmet Qinami, Miltiadhi, Epaminonda Nova, etj. Madje shënimet e kolonelit janë një burim informacioni dhe për mënyrën e organizimit të xhandarmësisë «moblile» shqiptare (GMA), mbi armatimet e tyre (shumica me pushkë bullgare), mbi uniformën, trajnimin, misionet e rrezikshme, ku koloneli nënvizon faktin se ata ishin të sprovuar në vënde të rrezikshme, pasi ishin njohës të mirë të terrenit.
Në arkivin shqiptar gjëndet tashmë dhe një urdhër tjetër i gjeneralit Henrys, i datës 12 gusht 1918, ku për kapitenin shqiptar Salaudin Blloshmi shkruhej: «Oficer me merita të rralla, ai ka ditur të njohë thellësisht luftën aktuale dhe në sajë të cilësive të tij, guximit dhe kurajos së jashtëzakonshme, ai ka mundur të dallohet shpesh herë. E ka drejtuar kompaninë e tij me zjarr dhe me shëmbullin e tij i ka udhëhequr ushtarët, duke përballuar beteja të shumta e të rrezikshme».

Në kujtimet e tij, përveç kapitenit Blloshmi dhe lietnantit Tosun, të cilët i kishte dekoruar me dorën e tij, Ordioni përmend dhe Ferid Beun, i cili më pas, kur ishte komandant i xhandarmërisë së Shkodrës ishte vrarë dhe kolonelit francez i vinte keq që nuk e kishte dekoruar me “Legjionin e Nderit”. Ordioni shkruan për 2300 shqiptarë që në fundin e luftës luftonin në zonën nga Devolli dhe luginën e Shkumbinit. Mem barimin e luftës, dhe patrioti Nikolla Lako, i cili botonte në Paris revistën e tij franko-shqiptare Opinga, na informon se

“Kancelari i Madh i Urdhërit Kombëtar të Legjionit të Nderit vërteton përmes dekretit të 12 shtatorit të vitit 1918 se Presidentit i Republikës Franceze, ka dekoruar Selim Tosunin, me kombësi shqiptare dhe lietnant i batalionit të I-rë të Pushkatarëve Shqiptarë, me dekoratën e “Kalorësit të Legjionit të Nderit”. A nuk shkruante dhe Jacques Bourcart në librin e tij Shqipëria dhe shqiptarët se «shqiptarët ishin bashkëpuntorët tanë, shokët tanë të luftës gjatë sulmeve të rrepta, të cilët kishin bërë për vete zemrat e të gjithë francezëve që kishin njohur»?
Në këtë kohë, si guvernator i kazasë së Korçës, koloneli Ordioni, ashtu si gjenerali Sarrail dhe koloneli Descoins, e kuptoi mirë aspiratën e madhe të këtij populli për të jetuar i lirë në trojet e veta. Në një letër që i dërgonte gruas së tij në Francë, më 15 nëntor 1918, ai shkruante: “E shtrenjta Marie.

Amnistia e nënshkruar para katër ditësh, duket se po e sjell Paqen e ardhëshme. Më duhet të qëndroj në Shqipëri, në pritje të vendosjes përfundimtare të Paqes… Kjo krahinë e shqiptarëve, e këtyre „bij të shqipeve“, që aq shumë i ngjan dhe vendit tim, më tërheq shumë. Jam i lumtur e krenar që gjëndem midis një populli, i cili tashmë më njeh. Por megjithatë, kemi shumë punë për të bërë… Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha dhe mund të bëhet një vend i begatë nën kujdesin e një vendi që mund t’i sigurojë rendin, të sigurojë fshatrat e qytetet si dhe punë secilit…

Por çdo të bëhet me Konferencën e Paqes? Greqia, Italia dhe Serbia që donin të merrnin nga një pjesë të territorit të saj, sipas meje gabojnë. Deri tani unë e kam njohur Shqipërinë vetëm përmes luftës, por tani që jam si „gouverneur“, si administrator i saj, detyra ime është të di me saktësi gjëndjen shpirtërore të kësaj popullsie. Që prej një viti unë kam rrahur udhët e Shqipërisë. S’ka luginë, fusha e majëmale që mos t’i kem shkelur. Tri liqenet shqiptare, Ohri, Prespa dhe ai i Maliqit më kanë lënë mbresa të mëdha. Tani përsëri gjendem në Shqipëri, por kësaj rradhe jo në transhe. Mendoj të kem një strehë më të mirë që të mund të shëroj plagët dhe të vizitoj përsëri Tomoricën, Malin e Thatë, Mokrën, Gora-top (Malet e Mokrës), Bofinën, malin e Tomorrit.

Do t’i admiroj sërrish majat me kullotat alpine të Shqipërisë, fushat pjellore plot bagëti, pavarësisht këtyre gjashtë vjet luftë që kam bërë… Para dy muajsh dëgjova fëmijë që flisnin në frëngjisht dhe këndonin „Marsejezën“ dhe këngë të tjera patriotike. Por unë shpresoj që këtu të kontribuoj më shumë…“ Ordioni e kujtonte me nostalgji „ditën e Republikës“ më 10 dhjetor 1918, atëherë kur lufta sapo kishte mbaruar: „Më 10 dhjetor, korçarët festuan festën e tyre të Republikës për të cilën ishin krenarë. Harqe të shumtë triumfi ngriheshin në të gjitha kryqëzimet e qytetit dhe flamuj të panumurt kuq e zi valëviteshin në flladin e lirisë…“ Poetike kjo frazë e kolonelit për flamurin shqiptar dhe flladin e lirisë edhe pse furtuna nuk do të vononte.

Në mes të dorëshkrimeve të ndryshme të kolonelit ishte dhe një dokument mjaft interesant i banorëve të fshatit Beznisht buzë liqenit të Prespës, kohë kur disa vite më pas ai ishte kthyer përsëri në Shqipëri si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve. Meqë ata ankoheshin nga grekët dhe kishin frikë se mos fshati i tyre mund të akaparohej në territoret greke, fshatarët i kishin shkruar letër kolonelit me kërkesën e tyre që të mos mbeteshin jashtë kufijve shqiptarë, duke u ankuar ndaj andartëve grekë që i kishin vrarë, djegur e keqtrajtuar. Pra si shqiptarë që ishin, ata kërkonin të mbeteshin brenda trojeve të tyre. Në letër ata kishin shënuar emrat e tyre dhe poshtë emrave kishin nënshkruar me gishtat e tyre me bojë: një dokument që padyshim i mungon edhe sot arkivit shqiptar. Këta fshatarë të thjeshtë kishin emrat Vangjel Tase, Nikolla Pando, Petro Eftimi, Vasil Qirjo, Spiro Sekulla, Mihal Trajani, Ilia Petro, etj.

Luan Rama

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët