MENU
klinika

Skenari që parashikohet

Si funksionon valixhja bërthamore e Presidentit Amerikan?

05.09.2021 - 16:55

Me kërcënimet e ardhshme që vijnë nga ndryshimi i klimës, koronavirusi, luftërat e gjata dhe të pafrytshme, destabilitetin politik të shumë-përhapur, asteroidët, si dhe rreziqet e tjera të panumërta që e kërcënojnë ekzistencën tonë tokësore, mund të jetë e lehtë të harrosh “pajisjet e Apokalipsit” që shpikëm fatkeqësisht gjatë shekullit që shkoi.

Në janar të këtij viti, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë, e vendosi orën e “fundit të botës” që mban vetëm 100 sekonda afër “mesnatës bërthamore”, që mund të shkaktohet nga bombat bërthamore, të cilat në fakt nuk duhej t’i kishim shpikur kurrë.
Buletini thekson se “nëse njerëzimi do që të shmangë një katastrofë ekzistenciale – e cila do t’ia kalonte gjithçkaje që ka parë bota deri më sot- udhëheqësit kombëtarë duhet të bëjnë një punë shumë më të mirë për të luftuar fushatat e keqinformimit, për t’i kushtuar vëmendje shkencës, dhe për të bashkëpunuar për të zvogëluar rreziqet globale”.

Me fjalë të tjera, jemi të gjithë në një rrezik të madh. Që nga viti 1962, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka bërë punën e tij për të siguruar që ne të mos vdesim të gjithë nga retë e tmerrshme që shkakton zjarri radioaktiv, duke na ruajtur njëkohësisht nga mundësia e një fati kaq të tmerrshëm.

Sipas “Smithsonian Magazine”, ajo ishte koha kur qeveria amerikane nisi të praktikonte “futbollin bërthamor”, që kishte të bënte me një valixhe të zezë që mbahej pranë presidentit në çdo kohë, teksa ai mund të ketë nevojë që të nisë një sulm bërthamor. Po si funksionon kjo procedurë, dhe si na mbron ajo nga shkatërrimi i ndërsjellë?

Presidenti mund të lëshojë një raketë bërthamore brenda pak minutash
Edhe pse valixhja bërthamore, nuk përmban ndonjë buton të madh të kuq që mund të lëshojë menjëherë një armë bërthamore, procesi super-kompleks mund të kryhet brenda pak minutash nga vendimi i presidentit.

Sapo presidenti merr vendimin për të nisur një sulm bërthamor, ai mban një takim me këshilltarë e tij ushtarakë të rangut të lartë. Takimi zhvillohet përmes një linje telefonike të sigurt, edhe nëse presidenti është në udhëtim e sipër.

Pas konsultimit me ta, nëse presidenti synon ende që të godasë me armë një shtet armik, urdhri duhet të verifikohet përmes një kodi që i lexohet presidentit, i cili do ta vërtetojë atë me “biskotën”, një kartë që përmban përgjigjen përkatëse ndaj kodit që merr.

Në hapin tjetër, Pentagoni duhet të dërgojë një mesazh të koduar tek ekipet përkatëse të lëshimit të raketave bërthamore. Këto të fundit aktivizojnë njëkohësisht çelësat e tyre. Megjithëse çdo ekuipazh ka 5 çelësa, për të nisur një raketë kërkohen vetëm 2 të tilla.

Ky skenar mund të nisë të zbatohet brenda pak minutash nga vendimi i presidentit për të përdorur valixhen bërthamore. Që të lëshohen armët bërthamore të lëshuara nga nëndetëset, duhet të miratohen nga kapiteni, oficeri ekzekutiv dhe 2 oficerë të tjerë në bord.

Ky proces mund t’i bëjë gati bombat atomike brenda 15 minutave nga urdhri i presidentit. Përkundër këtyre kontrolleve dhe ekuilibrave të shumtë në këtë proces kompleks, “futbolli bërthamor” i jep presidentit të fillojë “fundin e botës”.

Të qenit kreu i qeverisë amerikane, i jep natyrshëm presidentit një aurolë madhështie. Kjo mund të na bëjë të harrojmë ndonjëherë faktin që Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Amerikane është po aq njerëzor sa ne të tjerët. Dhe siç na kujton ajo shprehja e vjetër, marrëzia është në natyrën e njeriut.

Gjithsesi, në kushtet kur një neglizhencë e thjeshtë njerëzore mund të sjellë vdekjen e të gjithëve njerëzve mbi Tokë, presidentët amerikane duhet të kenë kujdesin më të madh të mundshëm. Mjerisht nuk ka ndodhur gjithmonë kështu.

Sipas BBC, ish-presidenti Bill Klinton e harroi valixhen pas një takimi të samitit të NATO -s në vitin 1999. Xherald Ford e harroi në një rast në bordin e avionit presidencial “Air Force One” kur mbërriti në Paris për një samit ekonomik. Edhe Xhimi Karter e harroi kartën me kodet në kostumin që kishte dërguar për pastrim kimik.

Kodet u lanë shkujdesur në një qese plastike në një korridor të spitalit, kur mjekët e zhveshën presidentin Ronald Reagan për ta operuar për shkak të një plage me armë zjarri, pas një atentati të dështuar ndaj tij në vitin 1981.

Shpresojmë që një ditë të jetojmë në një botë ku as “futbolli bërthamor’ dhe as valixhja famëkeqe, të mos jenë më të nevojshme. Deri atëherë, na mbetet vetëm të shpresojmë që presidentët e ardhshëm amerikanë të jenë pak më të kujdesshëm me kodet e tyre bërthamore.