Asnjëherë më parë gjatë post komunizmit, sistemi politik shqiptar, nuk ka qenë kaq në zgrip. Jemi në pikën e fundit të mbarimit të tranzicionit, që do nxjerrë përfundimisht jashtë elitën e vjetër, për ti hapur rrugën pa u ndalur një elite të re. E premtja e javës së re të 10 shtatorit 2021, është kufiri kohor që do të ndajë 30 vitet e shkuara, nga 30 vitet e ardhëshme politike të Shqipërisë.
PS e ka nisur shumë kohë më parë punën për këtë moment, derisa të enjten në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, hodhi gurin e themelit për një proces të thellë vetpërsosje. Një fillim i ri që nuk lidhet vetëm me faktin se për herë të parë në histori, 75% e anëtarëve të kabinetit qeveritar, do të jenë gra. As me riformatimin e Kryesisë, Sekretariatit dhe drejtuesve politikë në 12 qarqet e vendit, përmes harmonizimit në përfaqësim të brezave.
E gjitha kjo, është shumë herë më e thellë sesa disa retushe organizative, hyrja e dalja nga lista e disa emrave të përveçëm, apo rishpërndarja e pushtetit dhe përgjegjësive për 4 vitet e ardhëshme. Ajo ka të bëjë me një filozofi vet ndryshimi dhe ripërtëritje të pandalshme, për të ruajtur ekuilibrat brenda PS në raport me shoqërinë, në funksion të një të ardhmje sfiduese për shqiptarët në një botë që ndryshon frenetikisht.
E kundërta e kësaj tabloje, po shihet çdo ditë e më tepër, në peisazhin e opozitës shqiptare. Atje ku ndryshimi ka ngrirë si në epokën e akullnajave, kur në vitin 2013, humbja e pushtetit nuk i çoi drejt ndryshimit të kuajve të karrocës. Përkundrazi. Të gjithë liderët që u ndëshkuan me votë, i morën peng partitë e tyre politike, duke pritur për 8 vjet që tu vinte sërisht radha për tu rikthyer në pushtet.
Si reliket e një kohe të shkuar, për shoqëritë që kanë përqafuar me vullnetin e tyre pluralizmin politik, liderët e opozitës sonë vazhdojnë mbahen me thonj për të mos ikur. Madje, duke u betuar se do të qëndrojnë aty qoftë edhe të vetëm, sikur të gjitha demokratët, opozitarët dhe shqiptarët ti braktisin e të mos i votojnë më kurrë. Duke e ndëshkuar kësisoj veten, me damkën e një turpi të përjetshëm.
Edhe në jetën politike, si në atë njerëzore, ka një kohë për të ardhur dhe një për të ikur. Një për tu futur dhe një kohë për të dalë. Një kohë për të lindur e një tjetër për të vdekur. Vetëm dera e një dinastie lind monarkë, që sundojnë deri në vdekje. Dikaturat e rrëmbejnë pushtetin, ndaj rrëzohen. Ndërsa demokracitë janë aq jetëgjata, sa më e shkurtër dhe e kontrolluar, është jeta politike e liderëve të tyre.
E sigurtë është se “askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit të cilët duan të shkojnë në Parajsë, nuk duan të vdesin për të arritur atje. Dhe ende vdekja është destinacioni të cilin ne të gjithë e kemi. Askush nuk i ka ikur kurrë asaj. Dhe kjo është si duhet të jetë, sepse vdekja ka shumë gjasa që të jetë shpikja e vetme e mirë e jetës. Ajo është agjente e ndryshimit të jetës. Ajo pastron nga e vjetra që të hapë rrugën për të renë”- tha Steve Jobs në fjalimin e famshëm, në Universitetin e Stanford.
Shpallja e Sali Berishës “non grata” nga SHBA, nuk është fundi i botës, por gozhda e fundit në kapakun e qivurit të tij politik. Ndaj nuk ka vend as për panik, as për keqardhje dhe as për lotë. Sepse vdekja politike e Sali Berishës, nuk është edhe fundi i PD apo i opozitës shqiptare. Ky moment duhet parë si shpikja më e mirë e jetës politike. Si agjentja e ndryshimit. Si mundësia për të pastruar bashkë me të, gjithë pjesën tjetër të së vjetrës opozitare, që do ti hapi përgjithmonë rrugën të resë së saj.
Pas kësaj, i vjen radha liderëve të tjerë të “Opozitës së Bashkuar”, të cilët e dinë mirë këtë. Ndaj nuk e lëshojnë Sali Berishën. Nuk distancohen prej tij para sezonit të ri parlamentar. Nuk kërkojnë publikisht, qartë e prerë, largimin e tij nga skena e madhe. Ndaj edhe nuk i japin të drejtë as shqiptarëve për votën e 25 prillit dhe as Departamentit Amerikan të Shtetit për listën e zezë. Ditën që Sali Berisha do të iki, ata e dinë mirë, se është radha e tyre që të nisen për në shtëpi.
Por ky nuk është halli i shqiptarëve. Për një gjë ata janë sot, më të qartë se çdo herë tjetër, që askush nuk është i pazëvendësueshëm. Ndaj radha e atyre që presin të futen në jetën politike, për të qenë në pistën e garës së 30 viteve të ardhëshme, sa vjen e zgjatet pambarimisht!