MENU
klinika

Doza e tretë e Sinovac kundër Delta

Studimi tregon rritje të antitrupave kundër variantit të rrezikshëm

06.09.2021 - 20:30

Një dozë nxitëse e vaksinës së Sinovac ndaj Covid-19 ka ndaluar rënien e antitrupave kundër variantit delta, sipas një studimi, që zbut shqetësimet mbi reagimin imunitar në afat-gjatë. Studimi vjen në një kohë të shqetësimeve mbi efikasitetin e vaksinës kineze kundër Delta, që është bërë varianti mbizotërues në botë dhe po nxit rritje të infeksioneve edhe në shtetet me normat më të larta të vaksinimit. Disa vende që janë mbështetur kryesisht tek vaksina e Sinovac, kanë nisur të japin doza nxitëse të zhvilluara nga prodhues perëndimorë, tek njerëzit e vaksinuar plotësisht me injeksionin kinez.

Një studim i fundit tregoi se nuk ka patur aktivitet të antitrupave neutralizues kundër Delta në mostrat e marra nga personat e vaksinuar 6 muaj më parë me vaksinën CoronaVac të Sinovac. Megjithatë, marrësit e dozave të treta nxitëse treguan fuqi neutralizuese mbi 2.5 herë më të madhe kundër Delta, rreth 4 javë pas injeksionit, krahasuar me nivelet e vëzhguara 4 javë pas dozës së dytë, sipas hulumtuesve të Akademisë kineze të shkencave, Sinovac dhe institucione të tjera kineze që morën pjesë në studim.

Studimi në laborator përfshiu mostra nga 66 pjesëmarrës, me 38 vullnetarë që morën 2 ose 3 doza të vaksinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë planifikon të dërgojë rreth 100 milionë doza të Sinovac dhe Sinopharm deri në fund të këtij muaji, kryesisht në Afrikë dhe Azi. Megjithatë, disa vende e kanë refuzuar vaksinën, prej mungesës së të dhënave mbi efektshmërinë ndaj Delta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN