MENU
klinika

Nga Aranit Muraçi: Pas një mirëkuptimi të fundit PS-PD

Anët e mira të komunizmit dhe e drejta e Sali Berishës

06.09.2021 - 20:47

Inxhinierja e mirënjohur Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër e Kuvendit të Shqipërisë e cila mbush 80 vjeç vitin që vjen, vështirë se mund ta besojë kush që kërkon të ketë sa më tepër kolegë-moshatarë në këtë legjislaturë. Ajo pritet të drejtojë seancën e parë plenare, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha (vetëm dy vjet më i ri se ajo) do të betohet mes 140 deputetëve të rinj të këtij sesioni parlamentar.

Ndërsa deklarata e saj është pjesë e marrëveshjes PS-PD, Berisha mori pjesën e tij: leje nga kundërshtari për të vazhduar “lojën” pavarësisht “kartonit të kuq” që i nxori gjyqtari.

Gjithsesi, Sali Berisha duke përfituar nga marrëveshja e fundit Rama-Basha do të thyejë edhe një rekord (ndoshta europian) si politikani i vetëm që shkon në Kuvend nga ’91, pa ndërprerje (plot 10 legjislatura).

Luljeta Bozo bëri bujë me pëlqimin që dha si e para në radhët e socialistëve, për praninë e Berishës në Kuvend, duke e cilësuar atë të drejtë, pavarësisht vendimit të SHBA-ve që e shpalli (non-grata), me arsyetimin se lideri historik demokrat ishte i votuar nga populli.

Ishte e njëjta që ‘u masakrua’ pak kohë më parë nga eksponentë të opozitës, për disa deklarata që bëri lidhur me komunizmin, duke pretenduar se sistemi i kaluar kishte shumë anë pozitive që nuk duheshin mohuar.

Rama e shfrytëzoi politikisht në maksimum kartën “Berisha”. Duke marrë garancinë e opozitës që të çojë përpara reformat të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar (84 vota që maxhoranca nuk i ka), prania e Berishës në Kuvend do të eklipsojë sërish 58 deputetët e tjerë të PD-së dhe do të interpretohet nga PS-ja (në vëmendjen ndërkombëtare) si një parti e mbetur pa alternativa dhe pa shpresë.

Gjithsesi, edhe Luljeta Bozo rikuperoi politikisht pasi pak ditë para debutimit në Kuvend është kthyer papritur në personazhin më të pëlqyer në radhët e opozitës (nga një nostalgjike e komunizmit ajo po interpretohet nga demokratët si një zë i moderuar).

Dy janë politikanët më të goditur nga kjo marrëveshje: Ilir Meta dhe Tom Doshi.

Presidenti Ilir Meta, i shkarkuar nga Kuvendi dhe në pritje të vendimit të Kushtetueses, qartësisht duket se nuk është përfshirë në marrëveshjen e fundit PS-PD.

Kurse Tom Doshi pas këtyre zhvillimeve me siguri po “studion” standartet me të cilat Shqipëria kërkon të shkojë në BE. Ai edhe pse kryetar dhe i vetmi vendimarrës në partinë e tij dha dorëheqjen si deputet pas të njëjtës akuzë si Berisha, ndonëse nuk iu dha ndonjë arsye, ndryshe nga akuza që DASH ngriti ndaj liderit historik të së djathtës.

Zhvillimet e fundit politike ngrenë dy pikëpyetje të mëdha para se të nisë legjislatuta e re: Ata që votuan partinë e Tom Doshit ishin apo jo njerëz të këtij populli, ndërsa Lulzim Basha është apo jo vendim-marrës në partinë e tij?