MENU
klinika

Mundësi e re në universitete

Manastirliu: Shtyhet afati për vaksinimin e studentëve

07.09.2021 - 15:53

Studentët do të mund të vaksinohen edhe në universitete pasi ato të hapen në tetor, njoftoi sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ministrja tha se “studentët edhe tani e kanë mundësinë që të vaksinohen kudo” dhe shtoi se ky proces do të vijojë muajt e ardhshëm.

“Grupet tona lëvizëse të vaksinimit do të shkojnë në universitete dhe konvikte për të vaksinuar edhe atje duke krijuar kështu një lehtësi për vaksinimin e tyre”, tha zonja Manastirliu.

“Ne kemi vendosur që me të filluar edhe shkollat, të spostohemi edhe në universitete, në secilin prej universiteteve, sipas një kalendari që është duke organizuar Njësia Vendore e Tiranës, por nga ana tjetër dhe Njësitë Vendore në të gjitha rrethet ku ka universitete do të mundemi pra që ne të jemi në çdo universitet, në çdo fakultet për të bërë vaksinimin për të gjithë ato studentë apo edhe pedagogë që ende nuk e kanë bërë”, bëri me dije Manastirliu.

Deklarata e ministres u bë para pak minutash ndërsa vizitoi stadiumin kombëtar ku po vijon vaksinimi. Ajo shoqërohej nga rektori i Universitetit të Mjekësisë dhe inspektoi procesin e vaksinimit që tha se është intensifikuar.

Më herët ishte vënë data 30 shtator si ultimatum për vaksinim të detyrueshëm për kovid19. Ende nuk është e qartë nëse ka një vendim ligjor për këtë hap. Publike deri tani janë bërë një deklaratë e Ramës që flet për vaksinim të detyruar dhe një propozim që njoftoi Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Aktualisht janë kryer mbi 1.5 milionë vaksinime ndërsa gjendje janë rreth 400 mijë doza, kryesisht Sinovac, AstraZeneca dhe Pfizer.