Me zbutjen e pasojave të pandemisë dhe normalizimin e treguesve ekonomikë, vëmendja duhet të orientohet drejt reformave strukturore. Këto reforma, vuri në dukje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.
Deklarata u bë gjatë një takimi të zhvilluar dje me zv.presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Jurgen Rigterink, ku në fokus ishin ndikimi i pandemisë, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe përmirësuar klimën e biznesit.
Ndërsa vlerësoi kontributin e rëndësishëm e mbështetjen konkrete të tij me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë, Guvernatori e njohu zv.presidentin e BERZH-it me masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të goditjes së krijuar nga pandemia. Veç rritjes së stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit me rëndësi është edhe rritja e injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.
Nga ana tjetër, zv.presidenti i BERZH-it vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri. Rigterink u shpreh se Shqipëria u prek ndjeshëm nga pandemia COVID-19, por iu përgjigj fuqishëm krizës.
Tani është koha të ecë përpara dhe të rikthehet në progres dhe rritje ekonomike, një zhvillim që duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm. Këto janë gjithashtu dhe prioritetet e BERZH-it, i cili është i gatshëm të mbështesë vendin teksa del nga kriza dhe ndërton një të ardhme më të mirë. BERZH-i ka investuar deri më sot 1.7 miliardë euro në 115 projekte në vend. Strategjia e vendit thekson mbështetjen për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, nxitjen e shpirtit të sipërmarrjes në ekonomi, komercializimin e projekteve infrastrukturore dhe promovimin e energjisë së rinovueshme dhe investimeve të sigurta për mjedisin.
Në përfundim, zv.presidenti i BERZH-it shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë mbi përforcimin e sektorit financiar nëpërmjet mbështetjes së sistemit bankar falë linjave të kreditimit dhe lehtësirave të tjera.