Vijon prej dy ditësh emergjenca mjedisore në Lushnjë, si pasojë e djegies së mbetjeve në landfillin e qytetit. Tymi i zi dhe era e rëndë kanë ‘pushtuar’, lagjen “18 Tetori”të qytetit, ndërsa qytetarët shprehen se tymi i çliruar po i helmon.
“U helmuam, rrimë me maskë”, thotë një banore e zonës.
“Ne po ruhemi nga virusi, kemi tymin te dera. Po i mbajmë dyer e dritare mbyllur se nuk durohet, u mbytëm”, shprehet një tjetër.
Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa në një prononcim për mediat është shprehur se po punohet për fikjen e flakëve, teksa thekson se pas kësaj, mbetjet urbane të Lushnjes nuk do të depozitohen më në fushën e mbetjeve, por do të dërgohen në inceneratorin e Fierit.