Qyteti i Ersekës ndahet në disa lagje, njëra prej tyre është më e vjetra. Aty kishin jetuar themeluesit e qytetit të Ersekës, fisi Maluka. Ata ishin miq të Ismail Qemalit dhe Fan S. Nolit. Normalisht, lagjja e Malukajve duhej të quhej “Lagja e Vjetër”, por asnjëherë nuk u quajt kështu.
Nuk do të ishte e tepërt edhe sikur të quhej ‘Lagjja e Malukajve’, por edhe kjo gjë nuk ndodhi. Nuk u fol kurrë as për ngritjen e ndonjë përmendoreje dhe as për ndonjë pllakë përkujtimore si themelues të qytetit. Ishte koha e diktaturës. Regjimi synonte asgjësimin e familjeve të mëdha. Edhe sot e kësaj dite lagjja e të parëve të Ersekës quhet ‘Lagjja e Bujqëve’. E pagëzuan qëllimisht me këtë emër.
Njerëzit e sapoardhur në pushtet donin t’u tregonin të tjerëve se tashmë e tutje do të lindnin qytetet industriale. Ata dëshironin përbuzjen e themeluesve të qytetit të Ersekës, trajtimin e tyre si mediokër, pa dije, pa kulturë, pa vizion, thjesht si bujq e blegtorë të rëndomtë. Kërkohej me çdo kusht shpërfillja dhe mohimi i tyre, dhe e gjitha kjo, vetëm sepse kishin qenë të pasur, madje shumë të pasur dhe të shkolluar.
Malukajt nuk kishin vetëm bagëti, toka të shumta, dyqane, vila me gurë të gdhendur, por edhe pyje dhe kullota. Ishin tregtarët më në zë të qytetit. Ata ishin borgjezët e Ersekës, mbi të gjitha ishin patriotë të vërtetë, zotërues të mjaft gjuhëve të huaja që nga arabishtja, turqishtja, anglishtja dhe i gjuhëve të vendeve fqinj.
Kur udhëtarja angleze, Edit Durham, vizitoi Ersekën në vitin 1904, mes të tjerash në librin e saj “Brenga e Ballkanit” shkroi: “…Në han flitej vetëm shqip. Mua më përkthente yzbashi. Kajmejani më ftoi në shtëpi të tij, ku kishte zjarr dhe ndiheshe rehat. Erseka është krejt myslimane dhe s’ka më shumë se 100 shtëpi…”. Pra, në këtë qytet të vogël, edhe para 100 vjetëve gjeje njerez që flisnin anglisht, ndërsa në han flitej vetëm shqip sepse qyteti nuk kishte as turq, as grekomanë.
Malukajt kishin qëndruar gjithnjë në mbështetje të Ismail Qemalit dhe Fan S. Nolit. Por edhe pse e vërteta kishte qenë kështu, fisi i Malukajve hoqi të ‘zitë e ullirit’. Njëri prej këtij fisi, Hysen Maluka, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë mori në Vlorë shiritin e patriotit, por vdekja e tij qe nga më tragjiket; u nda nga jeta i braktisur nga të gjithë. Qazim Maluka u pushkatua për të vetmin fajin, sepse kishte qenë i pasur. Muharrem Maluka u dënua me 12 vjet burg, sepse nuk pranoi sekuestrimin. Të tjerët, që mbanin këtë mbiemër, përjetuan tmerre dhe vuajte pa pafund. Të njëjtin fat patën edhe pasardhësit e tyre.
Një prej familjeve të mëdha të qytetit të Ersekës është edhe ajo e Skënder Koçiut (Haxho), gruaja e të cilit, Aliaj, vinte nga dera e Malukajve. Alija ishte vajza e vetme e Qazim Qerim Malukës. Muharrem Qerim Malukën e kishte xhaxha. Tashmë nipi i Qazim Malukës dhe Muharrem Malukës, Pirro Koçiu (Haxho) tregon se sa e padëshiruar kishte qenë familja e tyre nga regjimi i Enver Hoxhës.
Dëshpërimi i nënës
‘Në familjen time, – nis të tregojë Arti (Pirro) Koçiu, – flitej shumë për fisin Maluka, sepse nëna ime, Alija, kishte dalë nga ajo derë, por unë në atë kohë isha tepër i vogël për të kuptuar çfarë ndodhte me gjyshin tim, Qazim Maluka dhe njerëzit e nënës. Dija vetëm që kishin qenë shumë të pasur, me prona, shtëpi dhe dyqane. Nëna më thoshte se vendi ku është ngritur ndërtesa përballë sheshit (sot Bashkia e qytetit), kishte qenë pronë e Malukallarëve.
Te ky shesh, – më tregonte ajo, – çdo të mërkurë bëhej pazari. Sa herë që më fliste për Malukat, i shihja te syri një pikë loti që i ngrinte si pikë vese mbi mollëza. Më tregonte gjithashtu se çdo vit, nga data 25-28 shtator, te një shesh i madh, që ishte pronë e Malukallarëve, organizohej panairi.
Zëri i nënës fillonte të mallëngjehej: më tregonte për vilat që kishte ngritur ky fis, për dyqanet, hanet dhe gjithçka tjetër. Nënës i pëlqente të më thoshte se Malukat kishin qenë të parët që ishin ngulur në këtë vend, rrëzë malit të Gramozit.
Fal pasurisë së madhe që kishin, Malukat punësuan shumë njerëz për punimin e tokave, për kullotjen e bagëtive, për përgatitjen e djathit, për tregtinë e mishit dhe mirëmbajtjen e shtëpive dhe të dyqaneve; paguanin ustallarë nga më të mirët për rregullimin e rrugëve me kalldrëm dhe për ngritjen e shtëpive. Banesat i pajisnin me puse që uji të mos u mungonte kurrë. Ishim mjaft të pasur, më thoshte nëna, ndërsa pika e lotit mbi mollëza i mbetej e ngrirë vazhdimisht aty’.
Kur nisa të mësoj të vërtetën
‘Vonë e mora vesh që nënës ia kishin pushkatuar të atin, Qazim Qerim Malukën, ndërsa xhaxhain e saj Muharrem Qerim Malukën, ia kishin dënuar me burg. Nëna ma tregonte shpesh, gjatë e gjerë, pushkatimin e babait të vet, dhe qante; ndoshta e dinte që pushkatimi i tij do të ndikonte edhe në jetën tonë, por ajo nuk ma tha kurrë këtë gjë. Ne ishim pesë fëmijë: Engjëllushja, Gëzimi, Fatmiri, unë dhe motra e vogël, Alma. Vetëm kur u rritëm filluam të ndjenim se të qenit nipër e mbesa të një familjeje borgjezësh, nuk ishte aspak e këndshme për regjimin e vendosur në Shqipëri.
I ashtuquajturi “Pushtet Popullor” u sekuestroi Malukave pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, u vendosi tatime të rënda, që zor se mund të kishte tregtar që mund t’i shlyente. U kërkohej edhe qindarka e fundit. Për gjyshin, Qazim Malukën, një praktikë e tillë ishte absurditet. Ata kishin ardhur të parët në këtë vend dhe gjithçka e kishin ndërtuar me duart e tyre që nga çezmat e ujit ku shuanin etjen taksidarët e pushtetit dhe deri te kalldrëmi ku shkonin të krekosur njerëzit e sigurimit të shtetit për të bërë arrestime, të cilat nuk kishin të mbaruar në ato kohë.
Qazim Malukës nuk ia falën jetën, por nuk u pushkatua vetëm ai. Në krah të djathtë të Ersekës gjenden rreth 30 varre. Atje ndodhen varret e të pushkatuarëve. Nëna ime shkonte gjithnjë te varri i të atit, ulej atje dhe vajtonte. Nuk i harroi njerëzit e saj deri ditën që u nda nga jeta, por asnjëherë nuk munda ta shoh pa lotin te syri dhe brengën që nuk mundi ta fshihte dot kurrë’.
Rinia jonë…
‘Përfundova gjimnazin, por nuk mund të shkoja në Universitet. Kështu kishte ndodhur edhe me motrën e madhe, Engjëllushen, me vëllezërit Gëzim dhe Fatmir. Kështu ndodhi edhe me motrën e vogël, Almën. Ishim paradënuar për të qenë pa të ardhme. Për njerëzit e regjimit nuk kishte rëndësi që Hysen Maluka kishte luftuar për Pavarësinë e Shqipërisë, që vëllezërit Qazim dhe Muharrem Maluka kishin qenë miq të Ismail Qemalit dhe të Fan Nolit. Për ta, ne ishim pasardhës të një njeriu që ishte pushkatuar nga partia dhe kaq mjaftonte’, – kujton Arti (Pirro) Koçiu.
‘Nuk thuhej kurrë dhe nga askush që Malukat kishin qenë themeluesit e qytetit, sepse, sipas logjikës së asaj kohe, qytetet i themelonte vetëm partia, ndaj lagjen më të vjetër të Ersekës nisën ta quanin ‘Lagja e Bujqëve’.
Mungesën e së ardhmes, më shumë nga ne të gjithë, e ndjeu Fatmiri. Unë ende nuk kisha filluar të ndihesha i dëshpëruar, ngaqë kur isha 17 vjeç u aktivizova me klubin e futbollit të qytetit tim, ‘Gramozi’. Isha një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, por edhe më shumë se kaq. Në atë kohë pata kërkesa nga klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ i Korçës, nga ‘Partizani’, ‘Dinamo’ dhe klube të tjera, por fill pas mbërritjes së kërkesës në Komitetin e Partisë në rreth, gjithçka merrte fund. Unë nuk mund të luaja me skuadrat e mëdha. Kjo e drejtë nuk m’u dha as kur fitova ‘Topin e Artë’.
Për të gjitha këto, im vëlla, Fatmiri, mërzitej, por jo vetëm për mua, vëllezërit dhe motrat, por edhe për mungesën e së ardhmes së tij. Atëherë nisa të kuptoja përse loti tek sytë e nënës nuk shteri kurrë. Mesa duket ajo e dinte që ne do të kishim përpara një jetë të mundimshme.’.
Arratisja e vëllait, internimi i familjes
“Im vëlla, Fatmiri, nuk e përballoi dot dëshpërimin e tij. Në 27 mars të vitit 1977, mundi të arratisej. Fillimisht ishte ndalur në Greqi dhe më pas kishte përfunduar në SHBA. Pas kësaj, mbi shtëpinë tonë plasi gjëma. Njerëzit e sigurimit na morën të gjithëve në pyetje: Si i lindi Fatmirit ideja e arratisjes? Kur i lindi kjo ide? Si nuk e kuptuat ju qëllimin e tij?… Pyetjet nuk kishin të mbaruar, por ne nuk dinim asgjë. Unë atë kohë isha ushtar, – vijon rrëfimin Arti (Pirro) Koçiu.
Megjithatë, edhe pse ndihesha i dëshpëruar për ato që na ndodhën pas këtij veprimi të vëllait, vetë unë nuk e mendova kurrë arratisjen. E admiroja aktin e tim vëllai. Ishte e drejta e tij të braktiste regjimin antinjerëzor që mbrëtëronte në vend.
Nuk kaloi shumë dhe një makinë ushtarake qëndroi te porta jonë. Na hipën në makinë dhe u nisëm drejt një udhe të gjatë. Na çuan në një fshat të largët me emrin ‘Shijan’. S’kisha qenë ndonjëherë në atë vend që ndodhej mes dy rretheve; Kolonjë dhe Përmet. Ishte një vend i izoluar. Na lanë atje dhe ikën. Dikush tjetër na bëri me dije se shtëpia jonë do të ishte aty ku kishin fjetur mushkat e kooperativës. Ishte një stallë kuajsh dhe asgjë më shumë.
Mbaj mend që nëna, Alija dhe motrat e mia, nisën të pastronin gjithçka. Për të zëvendësuar dyshemenë e shtruan me truall (baltë). Për rregullimin e tavanit as që bëhej fjalë. Era dhe bora që vërshëllenin jashtë, ishin mysafirët tanë të përhershëm. Me shumë përpjekje arritëm të izolonim hapësirat nga hynte era dhe shiu. Askush nuk na ndihmonte. Njerëzit e fshatit kishin frikë të na thoshin mirëmëngjes. Askush nuk na afrohej. Ne ishim të internuar; kërkohej të ishim të vetmuar nga të gjithë e gjithçka. Këtë nuk kam për ta harrur kurrë.
Nuk mund ta harroj që edhe Bashkim Zhurma (banor i këtij fshati), ndërsa shkonte çdo ditë me mushkat e kooperativës për të marrë furnizime në qytet, nuk denjonte të më merrte as çantën, kur rastiste të shkoja edhe unë në Ersekë. Nëse do të më bësh nder, mos rri pa e cituar këtë personazh. Të them të vërtetën nga sjellje të tilla ndihesh i fyer dhe i poshtëruar.
Te stalla e mushkave qëndruam për 5 vjet me radhë. Më në fund na kthyen përsëri në Ersekë, por nëse edhe më parë kishim qenë të padëshiruar për pushtetin popullor, tashmë një gjë e tillë deklarohej haptas. Vetëm ai që ka përjetuar dhunën e regjimit enverian e di çdo të thotë të jesh i padëshiruar. Ishim të survejuar në çdo çast. Gjithsesi, më aktivizuan përsëri me ekipin e ‘Gramozit’. Ndoshta nuk kishin çfarë të bënin, u duhesha patjetër në skuadrën e ‘Gramozit’ që të kishin mundësi të krenoheshin edhe ata që na kishin internuar. Përsëri pata kërkesa nga klubet e tjera, por tashmë as që bëhej më fjalë për ndonjë mundësi të tillë
Prindërit
‘Arratisja e vëllait la gjurmë të thella në jetën e prindërve të mi. Ata nuk fjetën të qetë asnjë natë. Vazhdimisht flisnin për vëllanë e arratisur. Pyesnin njëri-tjetrin në se ishte gjallë apo kishte vdekur. Nuk ishin të sigurtë nëse kishte mundur ta kalonte kufirin ose jo. Nëna gjithnjë priste t’i vinte ndonjë letër ku të shkruhej: “Nënë jam mirë, mos u bëj merak, ndodhem në filan vend”, por kjo letër nuk mund të vinte, ashtu sikurse nuk mund të vinte më as djali i saj. Ai do të mbetej andej, në një vend të largët, ndërsa prindërit e tij këtej…” – tregon më tej Arti (Pirro) Koçiu, brengën dhe merakun e prindërve të tij pas arratisjes së vëllait.
Gjithë meraku i prindërve ishte: a do ta shihnin vallë edhe një herë sa të ishin gjallë. Ngriheshin në mëngjes dhe tregonin se Fatmiri u ishte shfaqur në ëndërr. Nëna thoshte se kishte folur me të, por nuk ishte çmallur. Priste natën tjetër që t’i shfaqej sërish dhe t’i tregonte se si ia kalonte andej nga kishte shkuar. Si gjithnjë, shpesh e shihja duke qarë. Isha i bindur se atë natë, në ëndrrat e saj, Fatmiri ose kishte qenë i sëmurë ose kishte pasur ndonjë hall që nuk kishte mundur t’ia thoshte qartë nënës. Kështu rrodhën vitet e jetës së prindërve të mi, e vëllezërve dhe motrave të mia’
Kthimi i vëllait pas 12 vitesh
‘Kur nisën të frynin erërat e Demokracisë, në shtëpinë tonë mbërriti një letër nga SHBA. E dërgonte Fatmiri. Na thoshte se shumë shpejt do të vinte në Ersekë. Më të gëzuar se atë ditë nuk i kam parë kurrë prindërit e mi. Nuk më kujtohet mirë se kur, por një ditë të vitit 1990 në portën tonë trokiti Fatmiri. Pas asaj vizite, ai erdhi dhe herë të tjera, por në ardhjen e tij të parë nuk pati as natë, as gjumë. Nuk e besonim dot që ai ishte gjallë dhe e kishim para syve tanë. Nëna dhe babai e shihnin në sy dhe nuk ngopeshin së pari. E pyesnin për gjithçka: si kishte mundur të arratisej, si kishte mbërritur në Amerikë, si nuk ishte pikasur nga ushtarët e kufirit. Po sikur të të vrisnin more bir?- e pyeste nëna etj, etj.
Babai i tregoi për vitet e internimit, për të drejtën e pensionit që nuk ia kishin dhënë, por i rezervuar në ato që i thoshte, sepse nuk donte ta dëshpëronte djalin e tij që nuk e kishte pare për gati 12 vjet me radhë. Më vonë i dërgoj një letër, ku i shkruante se Partia Demokratike ia kishte njohur të drejtën e pensionit të pleqërisë dhe do të na i kthente edhe pronat. Tashmë kemi filluar të bëhemi të pasur.
Pas çmalljes së parë, vëllai u largua sërish. Në vitin 1992 nëna ime u nda nga jeta, 2 vjet më vonë mbylli sytë edhe babai ynë, Skënderi, por patën fatin ta shohin djalin e tyre sa ishin gjallë. Tashmë për familjen tonë po lindnin shpresa më të mëdha. Në pushtet ka ardhur Partia Demokratike.
mend që më thirrën në polici dhe që nga ajo ditë vazhdoj të jem punonjës i saj. Nuk e kisha menduar kurrë jetën time kështu. Gjithnjë kisha punuar në NSHN dhe ndërmarrje të tjera, por që do të vinte një ditë që të isha polic nuk e kisha menduar.
Atëherë të ishe polic duhej të kishe biografi të mirë. Unë nuk i plotësoja kriteret. Isha nipi i Qazim dhe Muharrem Malukës, themeluesve të qytetit të Ersekës, të cilët kishin qenë miq të Ismail Qemalit, Fan S. Nolit dhe të patriotëve të tjerë të mëdhenj. Nuk i plotësoja kriteret sepse Malukallarët kishin luftuar për Pavarësinë e Shqipërisë’, përfundoi me dhimbje rrëfimin e tij Arti (Pirro) Koçiu.