Sulmet e 11 shtatorit 2001 ndodhën brenda një periudhe prej më pak se 102 minutash, duke shkaktuar vdekjen e 2,996 njerëzve në atë ditë. Ky është sulmi më i rëndë terrorist në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara.
Sulmet u pasuan nga lufta në Afganistan që zgjati gati 20 vjet, që sipas Departamentit të Mbrojtjes, shkaktoi vdekjen e të paktën 2,325 ushtarëve amerikanë. Askush nuk e di saktësisht se sa civilë u vranë në këtë luftë.
Më 11 shtator 2021, Presidenti Joe Biden do të përpiqet të reflektojë mbi këtë tragjedi të dyfishtë, duke bërë nderime në tre zonat ku ndodhën sulmet, të cilat nxitën luftën më të gjatë të Amerikës.
Lufta Globale kundër Terrorit, siç u quajt atëherë, u shtri përtej Afganistanit, duke arritur në Irak dhe cepa të tjerë të globit, përfshirë Afrikën. Në Irak, konflikti shkaktoi vrasjen e gati 4,500 ushtarëve amerikanë dhe qindra mijëra civilëve.
Që nga vendimi i debatueshëm për të tërhequr të gjithë trupat nga Afganistani deri në fund të gushtit, administrata e Presidentit Biden ka bërë lëvizje vendimtare për të lënë prapa 20 vitet e fundit, duke deklasifikuar një mori dokumentesh që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet e 11 shtatorit dhe duke mbajtur një distancë nga qeveria e ashpër teokratike talebane, që mori pushtetin në Afganistan ndërsa amerikanët po tërhiqeshin.
Tre zona
Të shtunën, Presidenti Biden do të vizitojë tre vendet ku u ndezën shkëndijat e luftës: qyteti i Nju Jorkut, ku në orën 8:46 të mëngjesit të një dite shtatori me diell, një avion i kompanisë American Airlines u përplas në kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe ku, 17 minuta më vonë, një avion i kompanisë United Airlines goditi kullën jugore.
Ai gjithashtu do të vizitojë Pentagonin, ku 34 minuta më vonë, u përplas një avion i kompanisë American Airlines. Ndërsa Nënpresidentja amerikane Kamala Harris do të vizitojë memorialin në Shanksville të Pensilvanisë, ku u rrëzua avioni i katërt i rrëmbyer, i kompanisë United Airlines.
Është një skenar, gati kinematografik për 20 vitet e fundit, thotë për Zërin e Amerikës, Jeremi Suri, profesor i historisë në Universitetin e Teksasit në Austin.
“Presidenti po reflekton mbi ngjarjet në 20 vitet e fundit. Ai po vepron si historian dhe po thotë se kemi përfunduar një epokë, ashtu si fundi i epokës së Luftës së Dytë Botërore. Tani është koha për të marrë vendime të reja ashtu siç bëri Harry Truman, pas epokës së Luftës së Dytë Botërore”.
Profesor Suri, librat e të cilit eksplorojnë zyrën e presidencës dhe politikën e jashtme amerikane, thotë se historianët shohin njëfarë logjike në mënyrën sesi presidenti po krijon këtë moment.
“Por ne gjithashtu do të shohim, siç ndodh gjithmonë, se një epokë nuk përfundon në momentin, kur fillon një epokë e re”, tha ai. “Unë mendoj se ne jemi në një moment tjetër pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe jemi në një moment të ndryshëm me ngritjen e Kinës. Por shumë nga çështjet e 20 viteve më parë nuk kanë përfundime të rregullta të kapitujve në mënyrën siç duken në librat tanë”.
Zëvendës këshilltarja e sigurisë kombëtare Elizabeth Sherwood-Randall thotë se ajo që ka rëndësi, ndërsa bota po kalon dy dekada nga sulmet e 11 shtatorit 2001, është se nuk ka patur një sulm tjetër të madh terrorist në SHBA.
Sfida të ndryshme
“Njëzet vjet më vonë, sfidat tona janë të ndryshme”, tha ajo gjatë një diskutimi këtë javë në Këshillin Atlantik. “Ne kemi mësuar që nga 11 shtatori (2001) se si t’i mbrojmë amerikanët nga terrorizmi. Kjo nuk do të thotë që jemi 100% të sigurt, gjëra të tmerrshme ende po ndodhin. Por përmes një kombinimi të veprimeve jashtë dhe brenda, ne deri tani kemi qenë në gjendje të parandalojmë një sulm tjetër të ngjashëm me atë të 11 shtatorit 2001”.
Por historiani i Universitetit të Vanderbiltit, Thomas Schwartz thotë se do të ketë pasoja pas ceremonive përkujtimore të së shtunës, që do të shënojnë mbarimin e një epoke.
“Unë jam ndoshta më kritik për këtë sepse nuk mendoj se kjo është diçka që vërtetë mund të bëhet”, tha ai. “Unë mendoj se armiku në njëfarë kuptimi ka një votë. Ai mund të vendos që të mos e përfundojë këtë kapitull pas 20 vjetësh. Dhe në këtë kuptim, unë mendoj se fjalët e Presidentit Biden, dhe veprimet e tij, si ai për të caktuar një afat për tërheqjen nga Afganistani ishin të gabuara dhe mund të ndikojnë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të ardhshme”.
Presidenti ka të ngjarë të mbajë një fjalim të shtunën, por “fjalët nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim në këtë pikë”, thotë Norman Ornstein nga Instituti “American Enterprise”, me prirje konservatore.
“Natyrisht, ai duhet të mbajë një fjalim të hartuar me kujdes të shtunën, ku pjesërisht do të theksojë se ne kemi arritur përmes disa administratave të shmangim një 11 shtator tjetër”, tha Ornstein. “Ne arritëm të kapim dhe vrasim njeriun që ishte përgjegjës për sulmet, Osama bin Ladenin, se lufta kundër terrorizmit nuk ka mbaruar ende dhe se kemi bërë shumë gabime gjatë kësaj fushate. Dhe ne do të përpiqemi të shmangim gabimet e atij lloji në të ardhmen.”
Libani në 1983
Por ai paralajmëron se amerikanët mund të shikojnë historinë si shembull se çfarë mund të ndodhë, jo atë të vitit 2001, por atë të vitit 1983, kur Presidenti Ronald Reagan vendosi të tërhiqte forcat amerikane nga Libani disa muaj pasi një sulmi me bombë që vrau 241 ushtarë amerikanë. Ky, tha Ornstein, është ndryshimi themelor midis Amerikës së sotme dhe Amerikës së dekadave të kaluara.
“Ne nuk bëmë thirrje për dorëheqjen e Ronald Reaganit, dhe nuk filluam një proces për shkarkimin e tij”, tha ai, duke krahasuar situatën e vitit 1983 me situatën e tanishme, në një referencë ndaj ligjvënësve republikanë, të cilët kanë kritikuar ashpër tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.
“Ne nuk e kishim këtë përçarje në linja partiake. Gjendja politike në vendin tonë ka ndryshuar shumë krahasuar me 40 vjet më parë.Gjithçka tani shihet nga një pikëpamje më e fragmentuar”, thotë ai. “Dhe ky është një element shqetësues. Është të paktën po aq shqetësues sa drejtimi që do të marrë vendi në të ardhmen ndërsa ne përballemi me kërcënime të tjera.”
Amerikanët kanë vazhduar të mbështesin gjerësisht vendimin e presidentit për t’u tërhequr nga Afganistani në sondazhet e fundit të opinionit publik, por ata gjithashtu kanë kritikuar PresidentinBiden për mënyrën se si administrata e tij e trajtoi evakuimin e njerëzve nga ai vend. Kjo është pjesërisht arsyeja pse sondazhet e reja tregojnë një miratim prej vetëm 43% për punën e tij, më i ulëti i presidencës së tij deri tani./VOA