MENU
klinika

Trilli kundër realitetit!

”Kryezoti i unazave”: JRR Tolkien, një jetë si në film…

12.09.2021 - 14:49

      John Ronald Reuel Tolkien njihet si studiues i gjuhës anglo-saksone dhe autor i kryeveprës “Kryezoti i unazave”, apo librave të tjerë të të famshëm, të trillit artistik. Tolkien lindi në 1892, në Bloemfontein, Afrikën e Jugut, në një familje me prindër anglezë. Gjatë Luftës I luftoi në Frontin Perëndimor, kurse pas luftës vazhdoi studimet në Kolegjin “Exeter”, ku mori titullin “Mjeshtër i Arteve” në 1919. Më vonë, filloi karrierën si pedagog në ‘Leeds’, kurse në vitin 1925 u emërua profesor i Filologjisë anglo-saksone në Kolegjin “Pembroke” në Oksford, ndërsa në vitin 1945 iu besua katedra e Gjuhës Angleze dhe Letërsisë Mesjetare në Kolegjin “Merton”, ku dha mësim deri sa doli në pension, më 1959./Konica.al

Jeta e Tolkien është po aq frymëzuese, sa edhe krijimtaria e tij.

Krijuesi i mitologjisë së famshme “Toka e mesme”,  ka përjetuar ulje-ngritjet që frymëzuan një pjesë të krijimtarisë së shkrimtarit. I njohur për veprat e mëdha letrare, që do të krijonin fantazinë moderne, jeta e Tolkien mund të pasqyrohej fare mirë në disa prej tyre. Madje, një nga poezitë më të shquara është frymëzuar nga marrëdhënia me gruan e tij. Jeta e tij u shënua nga një fëmijëriqa si jetim, lufta, dashuria, besimet e thella fetare dhe gjenia gjuhësore. Nisur nga korrespondenca, kuptojmë se Tolkien nuk ishte frymëzuar, siç thuhej, nga ngjarjet historike dhe politike që ai përjetoi, apo nga ato patën ndikim të drejtpërdrejtë. Sidoqoftë, vepra është vajza e autorit dhe jeta e tij, jo pa fatkeqësitë e saj, prezanton melankolinë e botës së krijuar prej tij. Ndjenja e dashurisë, besimit apo dashuria për natyrën do të shënojnë edhe qëndrimet e personazheve kryesorë të veprave. Deri në moshën 12-vjeçare, ai do të jetonte me nënën, Mabel dhe të vëllanë, pa mbështetje financiare nga pjesa tjetër e familjes, pasi Mabel ishte konvertuar në katolike. Asokohe, Kisha e Romës shihej shtrembër në Angli dhe familjet e konsideronin turp të kishin anëtarë atje. Prandaj, në vitin 1904, me vdekjen e saj, Mabel i la vëllezërit Tolkien në kujdesin e një prifti katolik, Francis Xavier Morgan, me origjinë hispaniko-britanike, gjë e cila do shënonte rininë e djemve. Prifti u financoi studimet, duke u kujdesur që të jetonin ne apartamente me qira. Kujdesi dhe dashuria e John Ronald karshi tyre ngjalli një respekt të madh./Konica.al

Lindja e gjeniut

Pas një përpjekjeje të dështuar, në moshën 18-vjeçare iu dha një bursë për Oksford, ndërsa Edithi, e dashura, shkoi të punonte në Birmingham. Pikërisht atëherë, Tolkien takoi tre miq të mëdhenj, me të cilët krijoi klubin “TCBS”; bashkë do të ndanin dashurinë për letërsinë dhe gjuhët.

Sigurisht, i frymëzuar nga nëna, që herët ai kishte luajtur duke shpikur gjuhë, gjuhët gjermanike ishin një nga frymëzimet e tij. Miqtë i sugjeruan idenë e krijimit të një mitologjie për Anglinë, sipas stilit grek dhe romak, ku gjuhët e Tolkienit do të ishin pjesë e atij universi.  E ardhmja e tij do shënohej nga dy fakte: Nga njëra anë, në 21-vjetor ai i shkroi Editit për të rifituar dashurinë e saj, por tashmë ajo e kishte rindërtuar jetën. Tolkien, vendosi të udhëtonte në Birmingham, për ta bindur dhe përfundimisht, u bashkuan. Më 1916, ata u martuan. Para dy vitesh, kishte shpërthyer një konflikt që do të trondiste botën e tyre. Në të njëjtin vit, ai u nis drejt Francës për Luftën e madhe, ku humbi dy nga miqtë e tij të mëdhenj, ndërsa vetë u sëmur. U kthye i shndërruar. Përpjekjet si student, do të sillnin frytet e pritura dhe Tolkien do të zinte postin e profesorit të gjuhës angleze. I ndikuar nga tmerret e përjetuara dhe humbja e miqve, ai do të vazhdojë punën. Gradualisht, të shkruarit krijoi një univers magjik, të cilin ai e ndau me disa nga kolegët si C.S. Lewis, me të cilët, ai krijoi “Inklings”. Shumë nga idetë burojnë nga historitë që u tregonte fëmijëve ose nga lojrat familjare.

Për shkak të perfeksionizmit absolut, që ai e zbatoi si në punë, ashtu edhe në letërsi, do të rishkruajë më shumë sesa do të botojë.

Libri i parë në Tokën e Mesme, që arriti tek publiku i gjerë ishte “Hobit”. Për pjesën tjetër të jetës, ai do të botonte vetëm “Kryezotin e unazave”. Të gjitha tekstet e tjera të këtij universi, që kanë mbërritur në ditët tona, i detyrohemi djalit të tij, Christopher. Të gjithë këta avatarë do të jenë vendimtarë në shumë nga krijimet e tij. Vizioni idilik i jetës tradicionale rrjedh nga përvoja që pati si jetim në një qytet industrial. Tragjedia e Unazës, vjen nga interpretimi katolik i botës. Dashuritë e pamundura që ai rrëfen, janë reflektim i romancës vetjake. Miqësia e personazheve, nuk ndryshon nga ajo që ai përjetoi gjatë jetës. Kur lexojmë “Tokën e mesme”, lexojmë pak prej Tolkienit./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN