MENU
klinika

Profil

Kancelarët gjermanë që nga ribashkimi dhe koalicionet e tyre

12.09.2021 - 20:42

Më 26 shtator në Gjermani zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Që nga themelimi i saj në vitin 1949, Republika Federale e Gjermanisë ka pasur shtatë kancelarë dhe një kancelare.

Që nga ribashkimi gjerman në vitin 1990, ka pasur vetëm tre:

HELMUT KOHL (1982-1998, demokristianët): I përqeshur fillimisht nga intelektualët si një politikan krahinor, Kohl përfundoi duke qeverisur më gjatë se çdo kancelar tjetër. Nëse, për shkak të pazareve të gjata të koalicionit paszgjedhor, Merkel qëndron në postin e saj edhe pas dhjetorit, ajo do të eklipsojë edhe Kohl, mentorin e saj. Me ribashkimin gjerman në 1990, Kohl hyri në histori si “kancelari i unitetit”.

Kohl qeverisi gjatë gjithë kohës së tij në pushtet me Demokratët e Lirë (FDP). Këtë herë, FDP po konkurron gjithashtu për një vend në koalicionin e ardhshëm, por rrezikon të lihet jashtë një qeverie të majtë.

GERHARD SCHROEDER (1998-2005, social-demokratët): Schroeder mbahet mend për inicimin e ndërprerjes së energjisë bërthamore të Gjermanisë – një proces që në fillim u pezullua, pastaj më vonë u rikonfirmua nga pasardhësja e tij, Merkel. Ai shkaktoi zemërimin e sindikatave me reforma të ashpra shoqërore, të quajtur “Axhenda 2010”. Ai vlerësoi udhëheqësin e Kremlinit Vladimir Putin si një “demokrat të përsosur”.

Schroeder qeverisi gjatë gjithë kohës në krye të një koalicioni me të gjelbrit.

Zëvendëskancelari dhe ministri i tij i jashtëm ishte Joschka Fischer i të gjelbërve.

ANGELA MERKEL (2005-2021, demokristianët): Merkel është e para gjermano-lindore dhe gruaja e parë që kryeson qeverinë gjermane. Gjatë katër mandateve në detyrë që panë kriza të shumta ndërkombëtare, ajo fitoi një reputacion si një grua me staturë globale. Menjëherë pas fillimit të mandatit të saj të katërt, ajo njoftoi se nuk do të kandidonte përsëri.

Koalicioni i saj i parë ishte i përbërë nga blloku i saj konservator CDU/CSU dhe social- demokratët (SPD). Ajo më pas iu drejtua FDP-së si partnere më e vogël, në vitin 2009. Pas zgjedhjeve të vitit 2013 ajo iu kthye përsëri SPD-së.

Qeverisë së saj të fundit, dhe asaj aktuale, iu deshën pesë muaj e gjysmë për t’u bashkuar pas zgjedhjeve në shtator 2017. Ajo së pari u përpoq për një koalicion tripalësh me të gjelbrit dhe FDP. Pas betimit për të kaluar në opozitë, SDP përfundimisht votoi për t’u bashkuar me një koalicion në mars 2018.