Ish-kryeministri Sali Berisha vijon të këmbëngulë se është akoma pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
I ftuar në “Syri.net’, Berisha ka dhënë tre arsye, pse sipas tij, vijon të jetë anëtar i grupit të PD.
“Data 10 ishte një ditë historike për mua. Një përpjekje e pandershme, e paimagjinueshme për të cenuar, për të marrë sovranitetin e parlamentit, për të diktuar se kush do hyjë në parlament, dështoi plotësisht.
Unë garantoj çdo shqiptar që qëllimi im nuk ishte personi Sali Berisha, por sovraniteti dhe dinjiteti i këtij vendi, të cilin për sa kohë të jetë i lirë dhe sovran, nuk duhet ta diktojë askush. Për mua kjo ishte më kapitalja,” tha Berisha.
“Unë jam anëtar i grupit të PD. Pavarësisht nga burokracia, por ka një ligj, i cili përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vet politike. Pse jam anëtar i grupit parlamentar të PD? Sepse unë kam kandiduar për PD dhe jo si i pavarur. Së dyti, KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet i PD. Së treti, zoti Basha ka shpallur një deklaratë televizive, duke dhunuar çdo germë, çdo nen, çdo fjalë të statutit të PD.
Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal, por ky mendim është nul nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar ku duhet miratuar me dy të tretat”, është shprehur Berisha.
Më tej, ish-kryeministri Sali Berisha zbuloi për herë të parë se i kishte kërkuar kreut të PD-së Lulzim Basha dorëheqjen nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017.
“Në vitin 2017 kur ka humbur zgjedhjet në zyrën time i thashë duhet të japësh dorëheqjen, më tha nuk e jap. Në vitin 2021 nuk i thashë sepse nuk e jepte, isha i sigurt, por u përpoqa ti japë atë eksperiencë që kam unë në avokatinë e votës në institucionet ndërkombëtare. A kishte bazë ta bënte këtë? Absolutisht kishte bazë. Gjëja me thjesht ishte ti thosha zotëri ke humbur zgjedhjet 2 herë resht. Nëse arrinim të vinim sanksione ndaj Ramës për patronazhistët, ne u thonim shqiptarëve ia dolëm, tani do shkojmë me zgjedhje të lira. Ne tani nuk kemi gojë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri tha se lëvizja e tij mbyllet nëse shprehet me votë anëtarësia e PD-së lidhur me vendimin e Lulzim Bashës.
“Lëvizja ime mbyllet ashtu si të votojë anëtarësia. Do filloj foltoret me anëtarësinë vetëm me këtë qëllim. Çfarëdo të përcaktojë anëtarësia ne duhet ti nënshtrohemi”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë do t’i kërkojë anëtarësisë Berisha tha: “Atë që ajo ka shprehur, vlerësimin e vendimit. Nuk është qëllimi të rikthej kryetarin Berisha. Kjo betejë ka një qëllim që kurrë më një kryetar të mos mund t’i thotë anëtarësisë se unë e mora këtë vendim duke shkelur çdo rregull. Vendimi i jetës së Bashës duhet të ishte largimi i Ramës, jo thika pas shpinë e Sali Berishës. Po këtë do e gjykojë anëtarësia”.