Pushtetin e morën, por më të vështirë duken se kanë ndarjen e “tortës”. Një grindje e madhe shpërtheu midis udhëheqësve të talebanëve për përbërjen e qeverisë së re në Afganistan, thanë zyrtarë të lartë talebanë për “BBC”. Debati midis bashkëthemeluesit të grupit Mullah Abdul Ghani Baradar dhe një anëtari të kabinetit ndodhi në pallatin presidencial, thanë ata. Ka pasur raporte të pakonfirmuara për mosmarrëveshje brenda udhëheqjes së talebanëve që kur Baradar u zhduk nga sytë e publikut ditët e fundit. Këto janë mohuar zyrtarisht.
Talebanët morën kontrollin mbi Afganistanin muajin e kaluar dhe që atëherë e kanë shpallur vendin një “Emirat Islamik”. Kabineti i tyre i ri i përkohshëm është tërësisht me burra dhe përbëhet nga figura të larta talebane, disa prej të cilëve janë të njohur për sulmet ndaj forcave amerikane gjatë dy dekadave të fundit. Një burim taleban i tha “BBC” se Baradar dhe Rahman Haqqani, kishin shkëmbyer replika të forta.
Një anëtar i lartë i talebanëve me bazë në Katar dhe një person i lidhur me ata të përfshirë gjithashtu konfirmuan se një grindje kishte ndodhur në fund të javës së kaluar. Burimet thanë se debati kishte shpërthyer sepse Baradar, ishte i pakënaqur me strukturën e qeverisë së tyre të përkohshme. Gjithashtu grindja buroi edhe nga përçarjet se kush nga talebanët duhet të merrte merita për fitoren e tyre në Afganistan.
Baradar kërkon që theksi duhet t’i kushtohet diplomacisë së kryer nga njerëz si ai, ndërsa anëtarët e grupit Haqqani – i cili drejtohet nga një prej figurave më të larta talebane dhe mbështetësit e tyre thonë se kjo është arritur përmes luftimeve. Baradar ishte lideri i parë taleban që komunikoi drejtpërdrejt me një president amerikan pasi pati një bisedë telefonike me Donald Trump në vitin 2020.
Ndërkohë, rrjeti i fuqishëm Haqqani është i lidhur me disa nga sulmet më të dhunshme që kanë ndodhur në Afganistan kundër forcave afgane dhe aleatëve të tyre perëndimorë vitet e fundit. Grupi është caktuar nga SHBA si një organizatë terroriste. Burimet talebane i thanë “BBC”-së se Baradar ishte larguar nga Kabuli dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Kandaharit pas grindjes. Burimet i thanë “BBC”-së se Baradar pritej të kthehej në Kabul dhe mund të dilte për të mohuar se kishte ndodhur ndonjë debat.