Më shumë se një dekadë pas ekzekutimit mafioz të një ish-efektivi policie në qytetin e Elbasanit ka përfunduar në pranga edhe autori i tretë i ngjarjes së rëndë të ndodhur në vitin 2009.
Autoritetet gjermane kanë arrestuar shtetasin Florenc Shabani, i akuzuar si një nga tre autorët e vrasjes së stilit mafioz të ish-oficerit të Policisë së Elbasanit, Roland Rexhepi.
Në vitin 2009 Florenc Shabani së bashku me Armando Llakajn dhe Marjus Tafën kanë ekzekutuar oficerin e Policisë së Elbasanit, i njohur me nofkën “Doda”.
ATENTATI MAFIOZ
Atentati mafioz ndaj ish-oficerit të Policisë Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 22 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ka qenë ora 08:00 e mëngjesit kur 36- vjeçari ka dalë nga shtëpia në lagjen “Vullnetari” dhe është drejtuar për te parkingu i makinës.
Në këtë moment, një motor me dy persona me maska dhe të armatosur i ka dalë përpara duke qëlluar pa pushim për 5-6 minuta. Ngjarja e rëndë është parë nga shumë banorë dhe për më keq nga nëna e tij që banonte në pallatin përballë.
Viktima u transportua me urgjencë drejt spitalit, por mjekët thanë se ai nuk kishte pasur asnjë shenjë jete për shkak të plumbave të shumtë që kishte marrë gjatë atentatit.
E SHKUARA E VIKTIMËS
Roland Rexhepi, 36 vjeç në atë kohë, kishte punuar për disa vite si agjent i antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan. Pak vite para se të ekzekutohej, ai nuk ishte më në radhët e Policisë së Elbasanit, por punonte si përgjegjës i rojeve private të stadiumit “Ruzhdi Bezhuda” të qytetit. I njohur me nofkën “Doda”, Roland Rexhepi konsiderohej si krahu i djathtë i Edmond Kosenit, ish-drejtorit të “hekurt” të Policisë së Elbasanit.
DËNIMET
Për atentatin e bujshëm ndaj ish-oficerit të Policisë aktualisht janë dënuar dy nga tre autorët e krimit të rëndë. Pas ngjarjes Policia arrestoi shtetasit Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të cilët janë dënuar nga drejtësia përkatësisht me 23 dhe 24 vite burgim. Llakaj dhe Tafa konsiderohen njerëz të afërt me fisin Çapja në Elbasan.
Ndërkohë që Florenc Shabani kishte mundur t’i shpëtonte arrestimit, duke u arratisur jashtë vendit. Policia e Shtetit e konsideron vrasjen e ishefektivit një atentat të mirorganizuar dhe të planifikuar. Rreth gjashtë ditë pas ngjarjes, Policia arrestoi të riun Marjus Tafa dhe shtetasin Shkëlzen Shkrepi, të akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit të rëndë. Nën akuzë në atë kohë u vendos Arben Jaçe nga Tirana dhe Armando Llakaj nga Elbasani.
VRASJA E ILIR REXHEPIT
Rreth dy vite pas ekzekutimit të ish-efektivit të Policisë Roland Rexhepi, nga një atentat me armë zjarri vritet edhe vëllai i tij, biznesmeni Ilir Rexhepi, i cili u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Viktima kishte dalë nga një kafe në lagjen e tij atë mbrëmje, ndërsa autori duke përfituar nga errësira në zonë, i afrohet dhe e qëllon me armë zjarri.
Ndërkohë, edhe vetë Rexhepi kundërpërgjigjet duke qëlluar një herë të vetme me pistoletë dhe duke e plagosur atentatorin. Gjykata ka shpallur në kërkim shtetasin Mihal alias Mirgen Toshi, ndaj të cilët në qershor të këtij viti ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Toshi është i dyshuari kryesor për krimin e ndodhur më 30 dhjetor të vitit 2011 në qytetin e Elbasanit ku mbeti i vrarë me disa plumba biznesmeni Rexhepi, 40-vjeçar. Viktima ishte pronar i një kompanie sigurie në lagjen “Vullnetari”. Akuza ndaj Toshit erdhi pas një analize ADN-je gjaku, njolla të cilat u gjetën në vendin ku u ekzekutua biznesmeni.
Burimet bëjnë me dije se ADN-ja e Toshit është identifikuar edhe në dy ngjarje të tjera kriminale në qytetin e Elbasanit, përkatësisht në vrasjen e Roland Rexhepit dhe atë të Ardian Ibrahimit.
Pavarësisht se ndaj të akuzuarit është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, kjo masë nuk mund të ekzekutohet, pasi aktualisht Toshi po kryen 16 vite burg për trafik droge në Greqi.