Agjensia LSA ka publikuar disa foto fantastike të zonës së Nartës. Jemi në Kriporet e Nartës, në skajin jugor të ultësirës bregdetare, në afërsi të qytetit të Vlorës.
Në periudhën shtator-tetor, zona ofron një pamje të rrallë për shkak se thahet uji dhe mbetet vetëm kripa. Kriporja e Nartës është e para e këtij lloji në Shqipëri. Ajo mbulon sot një sipërfaqe prej 1 472 ha.
Prodhimi i kripës nisi në vitin 1958. Në vitet e para, kriporet prodhonin rreth 25-30,000 ton/vit dhe punësonin afro 250 vetë prej fshatrave të zonës dhe qytetit të Vlorës. Prodhimi u rrit në vitin 1970 me 70 000 ton dhe punësonte deri në 800 vetë.
Në vitin 1975, kriporet nisën nxjerrjen në treg të kripës së jodizuar me një kapacitet prej 5 000 ton/vit. Prodhimi arriti maksimumin e vet në vitet 1975-1985 me një total prej 140 000 ton kripë. Në atë kohë, kriporet punësonin afro 1250 vetë.