Kryeministri Edi Rama duke folur nga foltorja e Kuvendit shprehet i bindur se rritja e pagave që janë përfshirë në programin qeverisës do të realizohen brenda mandatit.
Kreu i qeverisë u shpreh se do të rrisë në mënyrë graduale çdo vit pagën minimale për punonjësit, si dhe pagat për mësuesit, edukatoret mjekët dhe infermierët.
Sipas tij, qeveria e re, do i përmbahet programit ku ka premtuar rritje të pagave të mësuesve me 40%, administratës publike me 30%. Ai ndal dhe tek paga e solistëve të Teatrit të Operas dhe baletit për të cilën u shpreh se do të dyfishohet duke u nisur nga viti i ardhshëm.
“I thashë grupit të programit që të merrnin programin e fushatës dhe ta miratojmë në parlament. E vërteta është se jo çdo gjë shkon sipas parashikimeve. Nuk kam parasysh politikanët që premtimet i kanë si pëllumbat që nxjerrin nga kapelet në skenë nga prestigjatorët. U ndeshëm me kthesa dhe ngecje të padëshiruara për aeroportin e Vlorës. Unë nuk premtoj diçka që e di se nuk bëhet, veç për të marrë duartrokitje. Të gjitha rritjet e pagave të premtuara, unë e konfirmoj përsëri sot, përpara Kuvendit, se kjo shumicë qeverisëse do rrisë pagat e edukatoreve, mësuesve me 40 %, paga mesataren në administratë në 85 mijë lekë, pagat e administratës publike me 30%. Pas një shfaqje kulmore mbrëmë të trupës së teatrit të operas dhe baletit, duke shkëlqyer pa asnjë dallim krahas dy yjeve botërore, paga e solistëve tanë do dyfishohet që nga viti i ardhshëm” – tha Rama.
Duke folur për pasojat e pandemisë dhe tërmetit, Rama shprehet se rritja ekonomike është një shenjë e mirë, ndaj ka plan për të rritur investimet në prodhim.
“Kemi fituar të gjitha vendet e humbura të punës. Kemi rritje si asnjëherë të të ardhurave. Natyrisht që kjo është një periudhë rikthimi pas një periudhe tërheqje dramatike për shkak të apndemisë. Nuk duam që ky ritëm të bjerë deri në fund të katër vjeçarit nën dyshemenë e 4% rritje ekonomike vjetore. Duhet të risim kapacitetet e prodhimit. Kemi programuar dy instrumente, një garanci sovrane 50 mln euro për kalimin në linja të reja prodhimi, dhe një program special, inovacion në manifakturë me një mekanizëm financiar për rimbursimin e kapitalit të kompanive. Jemi të vetëdijshëm se paga minimale, është ende e ulët. Rritja e saj graduale çdo vit, deri në 40 mijë lekë të reja në fund të mandatit. Është një objektiv i paralajmëruar që do e fusim në rrugën e realizimit që me projektbuxhetin e vitit që vjen edhe normën e pagës minimale 32 mijë lekë. Nuk ka asgjë që është premtuar në fushatë dhe nuk është në program” – tha Rama.