“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si ndikon në trup mungesa e zinkut?
Mjeku: Zinku është një një mineral shumë i rëndësishëm (së bashku me magnezin) dhe është i nevojshëm për shumë reaksione që ndodhin në trup. Ndryshe nga vitaminat e tretshme në yndyrë, zinku nuk ruhet për periudha të gjata kohore në trup kështu që është i nevojshëm furnizimi i vazhdueshëm me zink nga dieta jonë ushqimore. Pavarësisht se nuk kemi nevojë për sasi të mëdha të zinkut duhet të marrim sasinë e nevojshme ditore. Zinku është një element i rëndësishëm për:
Mirëfunksionimin e sistemit imunitar
Shëndetin e lëkurës dhe rritjen e flokëve
Metabolizimin e ushqimit dhe absorbimin e nutrientëve të tjerë
Bilancin hormonal
Shëndetin e zorrës
Qartësinë mendore
Shërimin e shpejtë të plagëve
Sintezën e ADN-së
Shëndetin e syve
Ndarjen e duhur qelizore (një nga arsyet jetike gjatë shtatzënisë)
Shije dhe nuhatje
Siç u përmend edhe më sipër, zinku merr pjesë në mijëra reaksione brenda trupit dhe studimet më të fundit tregojnë se zinku mund të ketë funksion jetik në mbrojtjen kundër llojeve të ndryshme të viruseve apo kancerit.
Zinku është veçanërisht i rëndësishëm për fertilitetin, gjatë shtatzënisë si dhe gjatë ushqyerjes së fëmijës me gji. Disa studime kanë treguar se zinku është jetik për të shmangur lindjen e parakohshme dhe lindjen e foshnjave me peshë të ulët. Rreth 90% e zinkut në trup gjendet në muskuj dhe kocka, duke e bërë të vështirë testimin për mungesë të zinkut. Në fakt, zinku plazmatik përbën vetëm rreth 0.1% të zinkut në trup. Pasi konsumohet, zinku absorbohet në zorrën e hollë. Më pas ekskretohet përmes lëkurës, veshkave dhe zorrëve.
Simptomat e mungesës së zinkut:
Kujtesë e dobët
Sistem imunitar i dobët
Humbja e shijes dhe nuhatjes
Probleme me gjumin (zinku nevojitet për të prodhuar melatoninën)
Rënie të flokëve
Mungesë oreksi
Libido e ulët
Diarre
Shërim i ngadaltë i plagëve
Njolla të bardha në thonjtë e duarve
Në raste të rënda mund të ndodh rritja e vonuar e fëmijëve
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.