Nga Gergely Karacsony, Project Syndicate
Vetëdija ime politike lindi në njëjtën kohë me ndryshimet sistematike, që ndodhën pas rënies së komunizmit në Hungari në vitin 1989. Unë isha i magjepsur dhe i gëzuar nga demokratizimi i shpejtë i vendit tim.
Ndonëse isha vetëm një adoleshent, unë e binda familjen time që të më çonte në kufirin austriak për të parë historinë në zhvillim:çmontimin e Perdes së Hekurt, e cila u dha mundësinë refugjatëve të Gjermanisë Lindore që të udhëtonin drejt Perëndimit.
Duke lexuar shumë botime të reja, dhe duke marrë pjesë në tubimet e partive politike të sapokrijuara demokratike, unë u bëra pjesë e atmosferës së shpresës së madhe për të ardhmen e vendit tonë. Sot, ndjenja të tilla duken si një naivitet fëminor, ose të paktën si produkt i një gjendjeje mendore idilike.
Demokracia dhe e ardhmja e qytetërimit njerëzor, gjenden sot para një rreziku të madh, të rrethuara nga kriza të shumanshme dhe të mbivendosura. Tre dekada pas shembjes së komunizmit, ne jemi sërish të detyruar të përballemi me forcat politike antidemokratike në Evropë.
Veprimet e tyre u ngjajnë shpesh atyre të komunistëve të stilit të vjetër, vetëm se tani ato drejtohen nga një platformë e populizmit autoritar dhe nacionalist. Ashtu si komunistët dikur, ata ankohen sërish për “agjentët e huaj” dhe “armiqtë e shtetit” – me të cilët ata nënkuptojnë cilindo që kundërshton vlerat apo preferencat e tyre politike – dhe e përçmojnë Perëndimin, duke përdorur shpesh të njëjtat mekanizma të abuzimit, që kemi parë gjatë komunizmit.
Praktikat e tyre politike i kanë gërryer normat dhe institucionet demokratike, duke e shkatërruar sferën publike, dhe duke i bërë lavazh trurit të qytetarëve përmes gënjeshtrave dhe manipulimeve. Populizmi nacionalist,tenton që të orientohet vetëm drejt një synimi:të monopolizojë pushtetin shtetëror dhe të gjitha pasuritë e tij.
Në vendin tim, regjimi i kryeministrit Viktor Orbán e ka pushtuar pothuajse të gjithë shtetin, nëpërmjet një manipulimi dinak të institucioneve demokratike dhe korruptimit të ekonomisë. Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm (në të cilat unë sfidoj Orban) do të tregojnë nëse ekzistojnë ende mundësitë që të marrë fund kapja e shtetit në Hungari.
Unë besoj se po. Por të mbash përgjegjës vetëm populistët për gërryerjen e demokracisë sonë, do të thotë të ngatërrosh shkakun me pasojat. Rrënjët e të metave tona demokratike, janë më të thella sesa nacionalizmi i zjarrtë i partisë në pushtet, konservatorizmi social,apo dhe dëshira për të kufizuar të drejtat kushtetuese.
Ashtu si ngritja e partive politike jo-liberale në demokracitë e vjetra perëndimore, edhe hapat prapa që kanë pësuar demokracitë në Evropën Qendrore dhe Lindore, e kanë origjinën nga problemet strukturore të tilla si padrejtësia sociale dhe pabarazia ekonomike e shfrenuar. Këto probleme i detyrohen shumë keq-menaxhimit dhe abuzimit gjatë procesit të privatizimit pas vitit 1989, dhe kalimit në një ekonomi tregu. Demokracitë e vjetra e të konsoliduara, po përjetojnë në mënyrë të ngjashme të njëjtën dukuri. Me zhvillimin e një shteti të mirëqenies sociale në dekadat e pasluftës (një periudhë të cilën demografi francez Jean Fourastié e quajti “les trente glorieuses”, 30 vitet e lavdishme), rritja ekonomike në demokracitë perëndimore lejoi një zgjerim të madh të shtresës së mesme.
Por kjo u pasua nga një valë rregulloresh neo-liberale dhe politikash ekonomike dhe sociale fondamentaliste, rezultatet e të cilave janë bërë sot të dukshme. Më shumë se sa çdo gjë tjetër, ishte shkëputja e rritjes ekonomike nga mirëqenia sociale,ajo që nxori nga shishja “xhindin e populizmit jo-liberal”, dhe e prishi konsensusin demokratik në shumë vende.
Ç’është më e keqja, brezi ynë është i mallkuar me më shumë se sa “thjesht” me një përmbysje të madhe politike dhe shoqërore. Ne po përballemi gjithashtu edhe me krizën e klimës, e cila vë në pikëpyetje parakushtet mbi të cilat janë organizuar shoqëritë moderne.
Progresistët si unë, e shohin këtë krizë si një pasojë të drejtpërdrejtë të mënyrës sesi funksionon sistemi ynë ekonomik. Rritja ekonomike e pafundme dhe e parregulluar – dinamika kryesore e kapitalizmit – nuk është në përputhje me jetën në një planet që ka burime të fundme.
Në kushtet aktuale, sistemi ynë kapitalist po nxit më shumë harxhime burimesh,dhe po prodhon çdo vit më shumë emetime të gazrave serrë në afmosferë. Përballë sfidave të tilla, ne nuk kemi luksin t’i nënshtrohemi fatalizmit ose apatisë. Tek e fundit progresistët, duhet të besojnë në premisën e përparimit njerëzor.
Institucionet dhe politikat tona ekonomike, mund t’u përshtaten rrethanave në ndryshim. Padrejtësitë që i largojnë njerëzit nga demokracia, mund të ndreqen, dhe mund të rikthehen kanalet për një dialog demokratik. Si kryebashkiak i Budapestit, një qytet i madh evropian, unë dëshmoj se qeverisja vendore ka rëndësi.
Pavarësisht nëse kjo ndodh përmes angazhimit demokratik, zvogëlimit të emetimeve, apo investimeve sociale, qeveritë vendore janë të mirë-pozicionuara për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. Në këtë mënyrë ne mund të krijojmë sinergji dhe modele të reja, të cilat do të kontribuojnë në ndryshime të mëdha.
Pra, përtej asaj që bëjmë vetë, qyteti i Budapestit është i etur të kontribuojë në të gjitha përpjekjet ndërkombëtare që synojnë ruajtjen e demokracisë, dhe garantimin e një planeti të jetueshëm. Për këtë qëllim, ne do të organizojmë këtë muaj Forumin e Budapestit për Ndërtimin e Demokracive të Qëndrueshme, duke bërë bashkë një gamë të gjerë aktorësh, përfshirë kryetarët e bashkive, zyrtarë të Bashkimit Evropian, aktivistë dhe akademikë të profilit të lartë.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë strategjitë për trajtimin e sfidave më të ngutshme të politikave të kohës sonë, dhe më pas do të japin rekomandime mbi politikat e ardhshme të zbatueshme. Si pjesë e forumit, Budapesti do të organizojë gjithashtu një samit të Paktit të Qyteteve të Lira, për të ndërtuar një rrjet më të gjerë global të kryebashkiakëve progresistë dhe drejtuesve të qyteteve, të cilët janë të përkushtuar në mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit.
Më shumë se 20 drejtues të qyteteve-nga Los Anxhelosi në Paris, dhe nga Barcelona në Taipei -po i bashkohen një aleancë të krijuar nga kryebashkiakët e kryeqyteteve të Katërshes së Vishegradit (Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia) në dhjetor 2019.
Martin Luther King, Jr. Thoshte dikur se ata që duan paqe, duhet të mësojnë të organizohen në një mënyrë më efektive sa ata që duan luftë. E njëjta gjë vlen edhe për demokracinë. Me Forumin e Budapestit dhe Paktin e Qyteteve të Lirë, Budapesti synon të ndihmojë në organizimin e forcave nga të gjitha segmentet e shoqërisë, për të siguruar një të ardhme demokratike dhe të jetueshme në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe më gjerë. Ne duhet ta fitojmë luftën intelektuale kundër populizmit nacionalist, dhe luftën jetike kundër ndryshimeve klimatike, dhe duhet t’i realizojmë ato në të njëjtën kohë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al