MENU
klinika

Macron:..një shkelje serioze e besimit

“Kriza serioze me SHBA-në do të prekë edhe NATO”

19.09.2021 - 05:49

“Franca i konsideron marrëdhëniet në “krizë” me Shtetet e Bashkuara dhe Australinë pasi Canberra anuloi kontratën miliarda euro për furnizimin me nëndetëse franceze”, tha Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian në një intervistë televizive.

Ai foli për një “krizë serioze” duke u shprehur se bëhet fjalë për një shkelje serioze të besimit” dhe “përbuzje” nga ana e aleatëve të Francës. Ministri tha gjithashtu se “ajo që ndodhi” do të ndikonte në përcaktimin e vizionit të ri strategjik të NATO-s, pa shkuar deri aty sa të fliste për tërheqjen e Francës nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Kur u pyet për tërheqjen e ambasadorëve francezë nga Uashingtoni dhe Canberra, Le Drian e arsyetoi vendimin duke thënë se “ka një krizë serioze mes nesh”. “Fakti që, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve amerikane me Francën, ne po tërheqim ambasadorin tonë për konsultime është një akt serioz politik që tregon intensitetin e krizës aktuale midis dy vendeve tona dhe gjithashtu me Australinë” tha ai.

Thirrja e ambasadorit nga Londra u konsiderua e pakuptimtë. “Ne e njohim oportunizmin e përhershëm të britanikëve” tha ministri francez, duke e përshkruar Mbretërinë e Bashkuar si një “rezervë” të nismës trepalëshe.

Të Premten, Franca tërhoqi ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia si kundërpërgjigje për marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit të mbrojtjes (AUKUS) që përfshin të dy vendet dhe Britaninë. Le Drian theksoi se Presidenti francez Emanuel Macron nuk e ka diskutuar çështjen e nëndetëseve me homologun e tij amerikan, Joe Biden./