Tetë gra në tetë muaj u vranë në mënyrë makabre nga burrat e tyre, një grua çdo muaj. Ky është bilanci tragjik i krimit në familje në Shqipëri që nuk njeh më ndasi klasash, godet të pasur e të varfër dhe nën preteksin e xhelozisë burrat preferojnë tu marrin jetën grave të tyre, sesa tu japin divorcin. Madje ata nuk pranojnë as dorëzimin në polici për të vuajtur dënimin për jetën e marrë, por vetëflijohen. Konkretisht pesë nga tetë burrat që kanë masakruar gratë e tyre vetëm këtë vit, kanë vrarë edhe veten më pas.
Rasti më i fundit ndodhi mbrëmë, krimi i dyfishtë tronditi Divjakën
Hekuran Rrasa, 58 vjeç pas një sherri momental vrau me çifte bashkëshorten e tij, Fëllënxë Rasa, 45 vjeçe dhe më pas qëlloi për vdekje veten. Krimi i rëndë u regjistrua pasditen e djeshme në fshatin Babunjë të Divjakës, në shtëpinë ku jetonte çifti bashkë me djalin e tyre, Leonardi, të cilin e lanë pas të vetëm.
58-vjeçari punonte në Bashkinë e Divjakës dhe ishte e vetmja e ardhur për familjen, kurse Fëllënxë Rrasa merrej me shtëpinë dhe me blegtori. Familjarët treguan se çifti kishin probleme ekonomike dhe vetëm vrfëria mund të ishte bërë shkak për këtë krim, por të vërtetën çifti e mori me vete.
Dy vite më parë, Fëllënxa Rrasa ishte drejtuar në dyert e komisariatit dhe kishte denoncuar të shoqin për dhunë. Ajo ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, por sërish kishte vijuar të jetonte me 58-vjeçarin. 45-vjeçarja ishte gruaja e dytë e Hekuran Rrasës. Ky i fundit kishte dhe dy djem nga martesa e parë.
Sabrina Bengaj, 23-vjeçarja që ngriti vendin në protesta, s’i shpëtoi dot bashkëshortit dhunues
Sabrina Bengaj u vra mbrëmjen e dhjetë shtatorit nga ish-bashkëshorti i saj Elton Meta, teksa konsumonte darkën në shtëpinën e saj në Peshtan të Fierit. Ajo la pas një vajzë të vogël, vetëm 3 vjeçe, e cila aktualisht nuk ka ende një kujdestar ligjor, por mendohet se do të rritet nga duart e nënës së Bengajt. Rasti i Elton Metajt, i cili u arrestua vetëm tre orë pas krimit të kryer, nxorri në pah dhe një skandal në drejtësi. Elton Metaj kishte terrorizuar për më shumë se 5 orë familjen Bengaj një vit më parë, por drejtësia u tregua shumë zemërgjerë me të, duke e shtruar në spitalin e burgut të Zaharisë.
Pak muaj me vonë, Elton Metaj u lirua me argumentin se do të vijonte kurën në shtëpi, por në fakt 31-vjeçari nuk kishte asnjë mjekim për të marrë. Dy javë para se të dilte nga qelia, ai e telefonoi Bengajn dhe e kërcënoi me vrasje, plan që dhe e bëri realitet, i pacënuar nga asnjë organ i shtetit. Familja e 23-vjeçares drejton gishtin nga gjykatësit dhe prokurorët dhe fajëson ata për vdekjen e vajzës së tyre, e cila ishte martuar që 14 vjeçe me Metajn dhe duronte dhunë e kërcënime. Sikur të mos mjaftonte kjo, nga qelia, Elton Metaj u përpoq ‘t’i përdhoste’ emrin Bengajt dhe e akuzoi se e kishte tradhëtuar pasi ishin ribashkuar pas lirimit të tij nga burgu.
Sanije Bandulla, tjetër krim i paralajmëruar, 83-vjeçarja kishte përfunduar disa herë e gjakosur në spital nga dhuna e të shoqit
Fadil Bandulla 79 vjeç ekzekutoi me automatik gruan e tij, pesë vite më të madhe se ai në moshë, Sanije Bandulla dhe më pas vrau edhe veten. Krimi i rëndë ndodhi në banesën e çiftit, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në Shkodër, më 15 gusht, por u zbulua vetëm tre ditë më vonë, pasi trupat e çiftit kishin nisur të kundërmonin. Të dy të moshuarit jetonin vetëm në shtëpi, pasi tre fëmijët e tyre kishin emigruar në SHBA dhe Gjermani, por motivet e krimit i dinë vetëm ata të dy që tani nuk flasin dot më.
E moshuara është gjithashtu një numër më tepër në listën e vrasjeje të paralajmëruara. Ajo kishte përfunduar shumë herë në spital nga dhuna e 79-vjeçarit dhe hera e fundit kishte qenë vetëm një javë para se ta vriste i shoqi. Aty Sanije Bandulla rrëfeu edhe gjithçka përpara patrullës së policisë, por uniformat blu nuk e konsideruan të arsyeshme të ndalonin dhunuesin, duke lejuar që ai t’i merrte jetën me automatik në banesë.
5 korriku, Artan Ismalaja dërgon të shoqen në Bubq dhe e masakron me thikë, dyshonte se e tradhëtonte
Artan Ismalaja, 51 vjeç masakroi me thikë gruan e tij, Klarita Ismalaja, 45 vjeçe, duke e lënë të vdekur brenda makinës ku ndodheshin të dy. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Bubq të Krujës, rreth orës 10:45 të paradites së 5 korrikut. Artan dhe Klarita Ismalaja, banues në Tiranë dhe një çift sipas të afërmve nuk kishin as probleme ishin nisur drejt Krujës për të parë një shtëpi që 45-vjeçarja kishte planifikuar të merrte për familjen e saj, por planet e të shoqit ishin totalisht të tjera.
Kur kanë mbërritur në Bubq, 51-vjeçari ka futur makinën e tij në oborrin e një stalle lopësh, duke ndjekur pas një kamion që kishte ushqime për kafshët. Aty Ismalaja ka nisur të kërkojnë llogari për një tradhëti të supozuar dhe në konflikt e sipër ka nxjerrë thikën që kishte marrë me vete dhe ka masakruar të shoqen. Më pas, ai nisi të qëllonte dhe veten, por u dshpëtua në kohë dhe u dërgua në spitalin e Traumës. Sot, Artan Ismalaja ndodhet pas hekurave dhe familja e Klaritës ka paralajmëruar vetë gjyqësi, nëse ‘gongu’ i drejtësisë nuk do të funksionojë.
Menderie Bici, sa herë që pinte i shoqi, e kërcënonte se do ta vriste
Qemal Bici, 56 vjeç dhe një person i varur nga alkooli mbërriti në banesë në gjendje të dehur mbrëmjen e 7 qershorit dhe masakroi me sëpatë të shoqen, Menderie Bici. Ngjarja e rëndë u regjistrua në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, Pasi ka vrarë bashkëshorten, 56-vjeçari ka vendosur që të vrasë edhe veten, duke u varur në një pemë pranë banesës së tyre. Krimi u zbulua nga djali i mitur i familjes, i cili pati fati dyfish fatin e keq, që perveçse të humbiste prindërit në të njëjtë ditë, të gjente të pajetë trupat e tyre. Arsyeja e krimit është sërish xhelozia dhe dyshimet për tradhëti….
Qemal Bici pas sherreve me gruan kishte arritur që të përzinte edhe drejtorin e shkollës nga fshati Dragostunjë dhe ta dërgonte në një tjetër fshat, [asi dyshonte se e shoqja e tradhëtonte me të. Familja Bici ishin në gjendje të vështirë ekonomike. Vetë 58-vjeçari vetëm pak muaj para krimit të rëndë, tregonte para mediave se nuk kishte para për të paguar dritat e as ushqimin.
Luljeta Buzo, gruaja që u ezkekutua pa mëshirë pasi mori guximin të denonconte bashkëshortin dhunues
Dyert e Gjykatës së Elbasanit ku dyshja sapo kishin mbyllur seancën e radhës së procesit të divorcit u shkundën nga 11 plumba që Koço Buzo derdhi mbi trupin e Luljeta Buzos, gruas që e ksihte bërë baba të tre fëmijëve. Krimi i rëndë ndodhi në dy të njërit prej djemve, i cili pa mundur ta ndalonte pa me sytë e tij se si i ati i mori jetën gruas që e kishte sjellë në jetë.
Plumbat kapën edhe një kalimtar, Adriatik Kola dhe avokatin e Luljeta Buos, Gëzim Toçila, të cilët sot ndodhen shëndoshë e mirë. Luljeta Buzo dhe Koço Buzo ishin të martuar për mbi 26 vite me njëri-tjetrin përpara se raporti mes tyre të përfundonte në një tragjedi. Raporti mes tyre ishte krisur disa vite më parë, kur të dy kishin përfunduar në gjykatë dhe Liljana, 54 vjeçe kishte kërkuar të ndahej nga ish-polici 58-vjeçar për shkak të dhunës së vazhdueshme. Konflikti nuk u shua, përkundrazi. Nga frika e mos e gjente bashkëshorti me të cilin kishte nisur procedurat e divorcit, Buzo u kishte kërkuar njerëzve që e njihnin që mos ta thërrisnin asnjëherë në emër. Ajo madje kishte ardhur tëfshihej në Tiranë, por plumbat e të shoqit e gjetën në dyert e gjykatës.
Horrori në Kavajë, Bilbil Shirja djeg të gjallë gruan e tij Fëllënxa, më pas vetëvaret në pemë
Bilbil Shirja, 48-vjeç i cili ishte në proces divorci me Fëllënxa Shirjen mori gruan e tij nga banesa e prindërve dhe e futi në makinë për ta djegur të gjallë vetëm pak metra larg shtëpisë së saj të vajzërisë. Më pas, shumë pranë mjetit, Bilbil Shirja u vetëvar duke mbyllur kështu dy kapituj jetësorë.
Familja Shirja nuk kishte probleme financiare dhe jetonin në kushte shumë të mira ekonomike, për shkak për vrasjen ishte bërë xhelozia. Bilbil dhe Fëllënza Shirja ishin në proces divorci prej 2 muajsh, gjë që nuk pranohej nga 48-vjeçari që preferoi t’i merrte jetën. Çifti ishin prindër të dy fëmijëve, një vajze e cila është e martuar dhe e një djali 17-vjeçar.
Irvana Hyka, 28-vjeçarja që u masakrua për vdekje nga Demokrat Medinaj, ishte shtatzënë në javën e gjashtë
Irvana Hyka, 28 vjeçe ishte shtatzënë në javën e 6-të me Demokrat Medinajn (nipi i Ben Qimes, Arben Isufaj, një person me precedentë penalë) në momentin që ky i fundit e masakroi me thikë për vdekje në sy të dy fëmijëve të tjerë të mitur, 4 dhe 6 vjeç. Krimi monstruoz ndodhi në banesën e çiftit në lagjen “Sheq i Madh” në qytetin e Fierit, pasditen e 10 majit. Pas krimit, Medinaj është larguar dhe në vend që të dorëzohej në polici vrau veten. Trupi i tij u gjet i pajetë në fushën e plehrave pak metra pas shtëpisë së vet, duke lënë të pazbuluara edhe motivet e krimit.