Bindjet politike dhe krijimtaria letrare, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Si pasojë, rebelët si Gorki e kanë vendin në burg, jo në Sallën e Nderit./Konica.al
Maksim Gorki iu qas vetëm për pak kohë gëzimit. Tri muaj pasi shoku i ngushtë, Anton Çehovi, shpalli kandidaturën për anëtarësim në Akademinë Perandorake të Shkencave (sot, Akademia Ruse e Shkencave), një institucion prestigjioz që pëfshin studiuesit më të famshëm të Rusisë, Car Nikolla II i refuzoi zgjedhjet. Cari ishte zemëruar me vartësit, për një incident që atij i dukej i patolerueshëm.
“Unë jam thellësisht i tronditur nga e gjithë kjo dhe besoj se ju do të njoftoni, se me urdhrin tim, zgjedhja e Gorkit do të anulohet. Shpresoj që në njëfarë mënyre do t’i kthjelloni krerët e anëtarëve të Akademisë”, – shkroi Cari në një memo për ministrin e Arsimit të Rusisë, P. S. Vannovskii (1902).
Dihej shkaku kryesor: shkrimtari, emri i vërtetë Aleksei Maksimoviç Peshkov, prej kohësh ishte i lidhur me Partinë Social Demokrate ruse dhe lëvizjen e fshehtë anticariste. Sipas të dhënave të policisë ruse, Gorki ishte i përfshirë në aktivitete propagandistike antiqeveritare gjatë prillit dhe majit 1901. Ai akuzohej për shkelje të nenit 1035 të Kodit Penal të Rusisë, çfarë e vuri nën mbikëqyrje të plotë policore. E thënë shkurt, nuk ka vend (nderi) për disidentët.
Drejtuesit e Akademisë Perandorake të Shkencës u zunë ngushtë si rezultat i urdhrave të Carit, sepse, siç ndodhi në shkurt 1902, shumica e anëtarëve të Akademisë e miratuan emërimin e Gorkit. Po ashtu, ai përkrahej nga figura të besueshme si Vladimir Korolenko (shkrimtar), V. V. Stasov (kritik letrar) dhe K. K. Arsenev (gazetar)./Konica.al/Vlen të theksohet se për t’u bërë anëtar i Akademisë, personi duhet të japë kontribut (të ketë një ndikim të rëndësishëm) në fushën e mjeshtërisë (matematikë, kimi, fizikë, mjekësi, shkenca shoqërore, letërsi, etj.). Para se të mbaheshin zgjedhjet, anëtarët e ardhshëm duhej të përkraheshin/emëroheshin nga anëtarët e Akademisë. U krijuan disa pretekste për të anuluar emërimin e Gorkit, fillimisht me moshën, gjoja ishte ende i ri për të qenë anëtar i një komuniteti të respektuar, asokohe Gorki ishte 34 vjeç dhe përfshirja e tij në botën letrare kishte ndodhur vetëm në dhjetë vitet e fundit; më e rëndësishmja, kemi shkelje të parimeve themelore të Akademisë, që qysh në nisje mban qëndrim të moderuar politik.
Së fundmi, anulimi i pranimit të Gorkit u njoftua publikisht më 13 mars 1902, nga Departamenti i Letërsisë i Akademisë Perandorake të Shkencave.
Gorki mendohej se kishte devijuar pikëpamjet politike (nga vullneti perandorak), si rrjedhojë nuk mund të ishte anëtar i Akademisë dhe emërimi i tij ishte i pavlefshëm. Vendimi tronditi komunitetin letrar rus. U bënë kritika të ndryshme, por Akademia qëndroi stoike. Edhe në maj 1902, institucioni, i krijuar në 1724, i plotësoi pa hezitim dëshirat e sundimtarit, duke ndryshuar statutet e tij: çdo anëtar i ardhshëm duhej së pari të merrte miratimin e qeverisë para se të zgjidhej anëtar i Akademisë, i ngjashëm me një dokument zyrtar për sjellje të mirë.
Korolenko, i cili e mbështeti kandidaturën e Gorkit që në fillim, u largua nga Akademia në shenjë proteste.
Anton Çehovi bëri të njëjtën gjë.
“Unë e kam uruar me gjithë zemër që u bë akademik dhe e gjykoj anulimin e zgjedhjes së tij – një kontradiktë e tillë nuk pajtohet me ndërgjegjen time, nuk mund ta pajtoj ndërgjegjen time me të”, – shkroi Anton Çehov në letrën e dorëheqjes (gusht 1902). Vala e protestave nuk u kufizua vetëm tek aktivistët letrarë. Vendimi u dënua edhe nga matematikani kryesor rus, Andrei Markov, i cili deklaroi publikisht se do të refuzonte të gjitha format e ardhshme të vlerësimit nga Cari. Kur Car Nikolla II mbajti një festë madhështore në përkujtim të 300-vjetorit të dinastisë Romanov (1613-1913), ai kundërshtoi me një simpozium që përkujtonte 200-vjetorin e shpikjes së Jacob Bernoulli, Ars Conjectandi (Arti i supozimit), i cili ishte shumë më i vlefshëm dhe i dobishëm. /Konica.al/Nga ana tjetër, ndërhyrja e Car Nikollës II në emërimin e Gorkit ia rriti popullaritetin në skenën letrare – dhe në lëvizjen politike. Vijojnë të shfaqen recensione të ndryshme të punës së tij.
Gorki konsiderohet përfaqësuesi i klasës së re shoqërore ruse; ai përfaqëson letërsinë (moderne) ruse, që nuk ka reshtur kurrë së zhvilluari.
“Nuk ka revistë apo gazetë që të mos ketë shkruar për të [Gorkin]; ai është objekt diskutimi te të rinj e të vjetër… moria e eseve kritike kushtuar veprës së shkrimtarit të ri, të shfaqura brenda një viti, tregojnë për rëndësinë e atij shkrimtari”, – shkroi kritiku letrar A. L. Lipovskii në “Russkii Vestnik” (“Russian Messenger”).
Vendimi i Car Nikolla II, nuk e befasoi Maksim Gorkin, i cili besonte se regjimi ishte prishur prej kohësh, kësisoj ai vazhdoi të shkruante tregime të shkurtra, romane, drama dhe ese, si dhe agjitacion: lartësimi i realitetit të shoqërisë ruse dhe trazirat në rritje të revolucionit, më vonë Gorki krijoi zhanrin letrar të njohur si realizmi socialist.
Pra, shohim se Maksim Gorki nuk kufizohet mjaftueshëm si shkrimtar, pa kuptuar qëndrimet politike të rrënjosura në shpirtin e tij.
“…ai është i rëndësishëm, sepse është i pari në Rusi dhe përgjithësisht në botë që shkruan me përbuzje dhe neveri për filistinizmin dhe në kohën kur shoqëria është gati për këtë protestë”, – shkroi Anton Çehovi në letrën drejtuar dramaturgut rus Aleksandër Ivanoviç Juzhin (1903). “Sipas mendimit tim, do të vijë një kohë kur veprat e Gorkit do të harrohen, por ai vetë nuk ka për t’u harruar aspas njëmijë vjetësh”./Konica.al