MENU
klinika

"Dështim"

Mësim online dhe me 4 turne, ekspertët e arsimit: Do të prodhojë analfabetizëm

24.09.2021 - 22:59

Viti i ri shkollor fillon zyrtarisht në datën 27 shtator por me masat e rrepta anticovid. Edhe këtë vit do të aplikohet mësimi me turne, e njëjta mënyrë e përdorur edhe në vitin shkollor të kaluar.

Por kjo mënyrë e mësimdhënies kundërshtohet nga ekspertë të arsimit të lartë.

Për të folur në lidhje me problematikat e mësimit online, ishin të ftuar në “ABC Live” me gazetaren Juli Xhokaxhi ish-zv.ministrja e arsimit Nora Malaj dhe Ardi Stefa, ekspert arsimi në qytetin e Vlorës.

Sipas Malajt, mësimi online dhe me orë të shkurtuara do të ngarkojë më tepër vitin akademik.

“Rifillojmë vitin akademik përsëri me orë të shkurtuara, duke i dhënë një ngarkesë më të madhe vitit akademik. Po e fillojmë vitin me një tërheqje dhe jo me një energji. Në çdo fillim viti shkollor duhet të kemi tre elemente bazë për të ndërtuar mirë marrëdhënien, e para duhet të kemi të shëndoshë figurën e mësuesit, i cili është në fazë që po kalon disa eksperienca të reja. Të kemi parasysh sigurinë dhe garancinë e fëmijëve, të cilët do të kenë sjellje të kushtëzuar, te detyruar të mbajnë maska, të rujanë distancën etj, problem i tretë lidhet me prindërit, të cilët tashmë duhet të menaxhojnë jetën e tyre dhe nevojat që kanë. Nga ana tjetër shqetësues është fakti i reduktimit të nxënësve. Si rezultat i lëvizjeve migratore dhe emigrimit masiv në Shqipëri kemi zvogëlim të popullatës 2021. Kemi 10 mijë fëmij ëmë pak që fillojnë klasën e parë, kemi 17 145 fëmijë më pak që hyjnë në klasat 9 vjecare, kemi 8 mijë fëmijë më pak në gjimnaz dhe 15 mijë student më pak që hyjnë në Universitet. Kemi braktisje, kemi shkolla të braktisura në gjithë Shqipërinë. Kemi sistemit me 4 turne. Në këtë periudhë kjo është kthyer në krizë. Në Republikën e Shqipërisë nuk kemi një standard mësimdhënie, ajo ndryshon në çdo zonë të vendit. Si rezultat do të kemi një brez më pak të arsimuar”, u shpreh Malaj.

Ndërkohë eksperti arsimit në qytetin e Vlorës thekson se mësimi onlinë është dështim.

Sipas tij, ky lloj mësimi do të prodhojë analfabetizëm dhe do sjellë më pak profesionistë në të ardhmen.

“Edhe në Vlorë po mendohet të fillohet shkolla me turne dhe me masa mbrojtëse. Praktikisht, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, përpara se të marrin masat anticovid, nuk duhet të ndërtojnë jetën arsimore në Shqipëri rreth këtyre masave, por të merrnim masa për të parë ecurinë e mësimit. Nëse kufizohemi me masat anticovid të vitit 2020 praktikisht nuk kemi bërë asgjë. Kemi mbetur atje ku ishim. Mësimi online u krye nga mësues, nxënës dhe prindër të papërgatitur. Mësimi online në Shqipëri ka dështuar me sukses, nuk mund të pretendojmë të kemi sukses edhe këtë vit. Pjesëmarrja e nxënësve në mësimin online ka qenë shumë e ulët dhe nxënia ka qenë shumë e ulët. Mësimi online duhet përjashtuar në mënyrë absolute. Me këtë lloj ecurie do të kemi në vitet e ardhshme një brez analfabetësh funksional, do të kenë deficenca të jashtëzakonshme arsimore, e cila do të reflektohet në më pak inxhiniere, më pak arkitektë më pak mjekë etj”, tha Stefa.

Që prej datës 1 shtator nxënësit janë kthyer në bankat e shkollës, dhe deri sot kanë kryer konsultime për të plotësuar mangësitë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, por edhe kjo sipas ekspertëve, nuk ka sjellë ndonjë rezultat.