Pas premierës në vitin 2015, shfaqja “Copë Copë” me regji të Zana Krasniqit dhe tekst të Blerta Zeqirit, do të rikthehet përsëri në qytetin e Shkodrës.
Zana Hoxha – Krasniqi e lindur më 1981 është regjisore profesionale e teatrit, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.
Ka krijuar më shumë se 20 performanca teatrale të cilat janë prezantuar në teatret më të mëdha të Kosovës, në regjionin e Ballkanit (Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci), njëherësh ka prezantuar punën e saj si artiste/aktiviste/trajnere edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
“Copë Copë” është prezantuar tri herë në Prishtinë, një herë në Ferizaj, në Gostivar në festivalin teatral “Othelo”, në Beograd në festival “Mirëdita, Doberdan”, në Kukaj në EtnoFest ku është shpërblyer me tri çmime, si dhe më datë 26 nëntor, 2018 do prezantohet në Zagreb për të shënuar ditët e kulturës shqiptare atje.
Shfaqja “Copë Copë” bazohet në ngjarje të vërteta të grave në Kosovë; një grua, mbijetuese e dhunës në familje është edhe performuese në skenë së bashku me aktoret profesionale.
Skena të dhunës në familje, martesës me dhunë, abortit me probleme shëndetësore, përdhunimit të një çifti të komunitetit LGBTi dhe stigmatizimit lidhur me çështjet e adoptimit paraqesin format e ndryshme të dhunës ndaj grave në shoqërinë kosovare.
Në të njëjtën hapësirë dhe kohë, aktoret dhe mbijetuesja gjejnë forcën dhe solidaritetin për t’u përballur me realitetin dhe për të vazhduar përpara.
Performojnë aktoret e shquara: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi and Bashkime Sulejmani.
Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, organizatë kjo që promovon artin dhe diveristetin me dialog social dhe integrim të komunitetit.
Shfaqja do të fillojë këtë të premte nga ora 18:00 në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.