Sipas gojëdhënave, manastiri i Gjon Vladimirit në perëndim të qytetit të Elbasanit, u ngrit mbi themelet e kishës së “Trinisë së Shenjtë” dhe kjo kishë, u shemb nga tërmeti.
Ministrja e Kulturës, Margariti, sjell në vëmendje kthimin e eshtrave të Shën Gjon Vladimirit, në manastirin me të njëjtin emër.
“Me kërkesën e komunitetit të zonës, kthyem lipsanet e Shën Gjon Vladimirit në manastirin me të njëjtin emër, të fshatit Shijon, të Elbasanit”, – tha Margariti.
Lipsanet e shenjtorit Shën Joan Vladimiri kanë qenë pjesë e fondit muzeor në Muzeun Kombëtar dhe prej muajit prill të këtij viti, janë pjesë e manastirit të Elbasanit, duke u kthyer edhe në një vend pelegrinazhi më shumë për besimtarët, si dhe turistët.
Emri i Shën Gjon Vladimirit, nuk është i njohur vetëm në zonën e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë.
Gjon Vladimiri ka qenë një mbret shumë i përshpirtshëm i Ilirisë dhe sundonte mbi një hapësirë të gjerë të rajonit të Ballkanit. Ishte bamirës dhe ngriti shumë kisha e manastire. U vra në mënyrë të pabesë e që atëherë, u adhurua si shenjtor dhe eshtrat e tij udhëtuan nëpër kisha dhe manastire, dhe u nderua nga besimtarët.
Për nder të tij, në fshatin Shijon u ngrit manastiri i Shën Gjon Vladimirit. Ky monument kulture i kategorisë I, i përket shek. XVIII. Një objekt i ruajtur mjaft mirë dhe funksional, ku besimtarët ortTodoksë kryejnë shërbesat fetare.
Në vitin 1381, Karl Topia ndërtoi manastirin e Gjon Vladimirit, mbi rrënojat e kësaj kishe.
Në një mbishkrim me përmasa 2.20×0.27 m, që gjendet i gdhendur në gurin e madh arkitra të portalit të derës jugore të kishës thuhet: Duhet ditur se ky tempull u shemb nga tërmeti deri në themel, gjatë sundimit dhe në ditët kur zotëronte mbi të gjithë vendin e Albanit, i ndrituri Karl Topia I, nip dhe prej gjaku i mbretit të Francës. Ky e ndërtoi këtë tempull të gjithënderuar të Shën Gjon Vladimirit dhe e ngriti prej themeli, deri në mbarim nga besimi dhe zemra e përvëluar. Prej lindjes së Krishtit deri në ndërtimin e tempullit, janë vjet 1380 dhe prej krijimit të botës, janë vjet 6890 dhe deri atëherë vjet 22 të zotërimit të tij, indikti 5, cikli i diellit 1, cikli i hënës 14, dhe është ndërtuar tempulli që shkon katër herë më i madh se ka qenë më parë tempulli i vjetër.
Mbishkrimi ka pesë radhë dhe është shkruar me shkronja të mëdha, me shkurtime dhe sigla dhe me gabime drejtshkrimore e gramatikore.
*
Fotografia e mësipërme: Fragment nga ikona “Shën Gjon Vladimiri me skena nga jeta e tij”, pikturuar në vitin 1739 prej Konstandin Shpatarakut.
Ikona ka qënë në Manastirin e Shën Marisë në Ardenicë.
Shën Gjon Vladimiri ishte mbret i Dalmacisë dhe dhëndër i Car Samuelit të Bullgarisë. Ai jetoi në fund të shek X fillim shek XI. Ishte bashkohës i shën Klementit dhe Naumit të Ohrit. Reliket e tij, ruheshin në manastirin me emrin e tij në Elbasan, deri në vitin 1944.
Fotografia kryesore: ONUFRI