Mbrëmje spektakolare në raundin e dytë të grupeve në Champions League. Kryendeshja PSG-Manchester City përfundon 2-0 në “Parc de Prince”, me parizienët që ngjiten në kuotën e pikëve.
Gueye shënoi golin e avantazhit në minutën e tetë të vendasve dhe PSG pati edhe disa mundësi të mira më pas. Por City ekuilibroi forcat dhe francezët ishin me fat në të paktën 3 raste, me portierin Donnarumma që bëri heroin.
E dyta nis me dominimin e anglezëve, por kur ke Messin në ekip, gjërat bëhen më të thjeshta. Ylli argjentinas shënon një gol të bukur në minutën e 74-t, duke cuar shifrat në 2-0. Më pas ka vetëm një skenar, me vendasit që mbrohen e City që sulmon, por që nuk arrin të shënojë.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi ndodhi befasia, Clube Brugge mundi 2-1 Leipzig në Gjermani. Skuadra belge tregoi se është e fortë, ashtu si në ndeshjen e parë ndaj PSG-së.
Supersfida tjetër e mbrëmjes, ajo mes Milanit dhe Atletico Madrid përfundoi në 1-2, fitore që erdhi me përmbysje nga spanjollët. Italianët gjetën rrugën e rrjetës me Leao në 20’, por Kessie 9 minuta më pas merr kartonin e dytë të verdhë dhe lëtë të tijtë me 10 vetë.
Gjithsesi, Milan rezistoi deri në minutën e 84-t, kur Griezmann shënoi golin e barazimit. Kur u mendua se sfida u mbyll në barazim, Atletico shënon në sekondat e fundit me Suarez nga pika e bardhë e penalltisë në 97’. Ndeshja tjetër e këtij grupi Porto-Liverpool përfundoi 1-5.
Por befasia më e madhe e mbrëmjes ishte fitorja 2-1 e Sheriff Tiraspol në Bernabeu ndaj Real Madrid. Benzema barazoi në mesin e pjesës së dytë, por vendasit pësuan gol sërish. Nuk mund të mendohet, moladavët kryesojnë grupin me 6 pikë të plota pas dy fitoreve.