MENU
klinika

Mitikja fetare dhe gojore

Realizmi magjik i prozës kuteliane

01.10.2021 - 12:32

       Thelbi i rimarrjes përftoi praktikën shkrimore borgesiane, një përvojë shkrimi që ka joshur me dhjetëra shkrimtarë, duke u bërë një dukuri estetike e përveçme, ku hartografia letrare dëshmon se realizmi magjik nuk u përket vetëm ngjyresave amerikano-latine. Shkrimtarë të tillë si: Ch. Aitmatov, U. Eco, S. Gearhardt, H. Hesse, P. Hoeg, J. Hospital, H. Read etj., sipas studimeve letrare (Evelyn C. Leeper, kritik amerikan i kësaj kohe), kanë shkruar dhe ligjëruar së paku nga një libër me tonet dhe ngjyrat e realizmit magjik.

Listës së gjatë u rri pranë edhe Franz Kafka me “Metamorphosis”. Esenca letrare, ngjashëm me formulimin ngjasime kujtesash, sipas Borgesit, në bindjen time, varësisht analizave të teksteve në prozë, noton një pjesë e prozës së Kutelit, njëherit fsheh dhe zbulon prani arketipale, më shumë si një dysi e mirëfilltë letrare, fantastike dhe magjike. Megjithëse pranëvënia e universit (real) të çuditshëm me universin (imagjinar) të mrekullishëm, siç e sugjeron Plasari, mbetet ende në gjendje të pezullt. Në thelbin e shprehësisë, imagjinarja e presupozon fantastiken. Pra, në përpjekjen për ta larguar vargonjësh të leximit sociologjik, ngushtohet në rrethin e shqyrtimit, duke i vënë vetëm mëgojëzën e formatit fantastik.

Ndërsa tregimet dhe novelat e tij, rrëfimet dhe rrëfenjat, një pjesë e tyre, përqarkëzohen edhe nga principet fantastike, si dhe të realizmit magjik. Prozat: “Vjeshta e Xheladin Beut”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, novelat “Qysh e gjeti Ago Jakupi udhën e Zotit”, “Fshati im e pi rakinë”, “Lumi i madh”, “Xha Brahua i Shkumbanores”; tregime si dhe rrëfenja “Rinë-Katerinëza”, u përkasin ngjyrimeve të realizmit magjik, gërshetuar me mistikën fetare dhe gojore. Ato ofrojnë një botë reale, personazhe realistë si Xheladin Beu, Ago Jakupi, Xha Brahua, Kalia etj.

Burimet e prozës së shkrimtarit kërkohen dhe lidhen: – Me krijimtarinë gojore, aq e larme në letrat shqipe; me pasazhet biblike dhe kuranore, më të prekshme sidomos në tekstin e novelës mbi mëkatin e trupit, por të prozës për Ago Jakupin. – Në shfrytëzimin e teksteve biblike, përkthyer nga Kristoforidhi dhe Noli. – Në fitimin e përvojës shkrimore botërore, pas përkthimit të Gogolit etj.

– Në shfrytëzimin e një përvoje të dyfishtë dhe të dyzuar, mitike, pra, sipas mitit rumun, edhe librore, simbas romanit “Drakula” të Braun Stoker etj. Gjer më tani, parateksti hipotetik, si ndërlidhni dhe prejardhje, të përmbysë dhe të përzërë tekstin autorial. Sugjerimi i Northrop Fraj në librin “Anatomia e Kritikës”: …përpjekjet për ta krahasuar Banionin dhe Spenserin pa iu referuar Biblës, ose për të gjurmuar ngjashmëritë e tyre në një origjinë të përbashkët me romancën laike, janë disi pa vend…(1990:264), përndrit shqyrtimet për prozën e Kutelit.

Vepra letrare e shkrimtarit ka kaluar në tri periudha: A – Të shkëlqimit, si shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë, me të letërsisë së viteve ‘30 dhe ulet sipari i saj në nëntor të vitit 1944. B – Periudha e heshtjes së gjatë dhe vrastare të emrit, figurës dhe veprës së gjerë letrare. C – “Rizbulimi” i Dh. Paskos, në të gjitha përmasat, e sidomos në shkrimin e prozës. Shqyrtimi krahasimtar, u bë shkas për të evidentuar prirjet kryesore e trajtimit në ndërkohësi: Së pari: Një lexim sociologjik ia arriti ta lërë anash për shumë kohë veprën e tij letrare. Së dyti: Leximi i përqasjes së veprës së autorit, përgjithësisht me letraren librore: – Si një përvojë e huamarrë nga krijimtaria gojore, kryesisht e popullit shqiptar.

– Si një huamarrje në artin libror, ku shpërfaqet alternativa e përqasjes me Biblën, librin e shenjtë, me Kuranin, me letraren autoriale, Gogolin, Tolstoin, Borgesin, Markesin, Kristoforidhin, Nolin etj. – Së fundi dhe kryesisht rasti i novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, se paskërka ndikesa të dyfishta, edhe librore, romanin “Drakula” të Braun Stoker, botuar në 1847, si dhe orale nga miti rumun mbi Drakulën.

Novelën “E madhe është gjëma e mëkatit”, Kuteli e pohon vetë se është mbështetur vetëm në gojëdhënat e vendlindjes së tij, të Pogradecit, e ndërlikon jo pak situatën e trajtimit dhe verifikimit të atij teksti, të krahasimit me tekstin parak të mitit rumun, e mandej edhe me tekstin e romanit të Stokerit, gati të pagjashëm në tekstin e novelës, përgjithësisht pa hipotekë përqasjeje, të artikuluar si krahasim: – Si shenjë e shtrirjes dhe e pranisë së mitit edhe në folklorin shqiptar. – Si dëshmi e rishkrimit të saj nga ana e shkrimtarit, çka e pamundëson përputhjen e mitit rumun apo i përpunuar në romanin e Braun Stoker. – Si detaj ndërlidhës i nevojshëm dhe i pashmangshëm.

– Si lodrim qëllimor dhe funksional i autorit, natyrisht një lojë e dyfishtë dhe e dyzuar. Për të kërkuar paratekstet, ndihmon sugjerimi i Erich Fromm: Edhe pse është e vërtetë që përmbajtja e mendimeve tona kur jemi zgjuar nuk u nënshtrohet kufizimeve të hapësirës dhe të kohës, kategoritë e mendimit logjik janë ato të hapësirës e të kohës, (1998:23), te “Gjuha e harruar”. Këtij rregulli, siç e sugjeron Teodorov te “Poetika e prozës”: Ligji i mospërsëritjes (sado e vështirë që të jetë për t’u besuar se mund të imagjinohet një ligj i tillë estetik); një tekst autentik nuk ka përsëritje. (2000:16), nuk ka shanse t’u shpëtojë as ligjërimi letrar i shqipes. Mjaft domethënëse është ideja e U. Ecos: …teksti është një makinë e keqe që kërkon nga lexuesi shumë vëmendje dhe bashkëpunim.(1997:66), në librin “Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrative”.

Situata e teksteve që mbindërtohen si paratekste nuk prek tekstin kutelian: Së pari: Dyfishimi mbindërtues është kapilari i letërsisë si univers i mëvetësishëm. Së dyti: Sprova letrare, e çdo letërsie, pra, edhe e letrave shqipe. Së treti: Si ligjësori e brendshme, pavarësisht gjuhës, e cila nuk mund të kuptohet, pa mbindërtimin e zanafillës. Prandaj, ajo çka paralajmëronte te “Leksione Amerikane”, Italo Calvino: …se sa shokantë, janë ata që mendojnë ta anatemizojnë tekstin, ata që e teprojnë me close reading, (1997: 37), si për të shpëtuar nga makthi i kërkimtarisë së tepruar, i kërkimtarisë së pambërritshme të letrares. Dija teorike i qaset tekstit, por pa harruar se fjala poetike i shpjegon gjërat, por asgjë s’mund ta shpjegojë fjalën poetike dhe fjalën në përgjithësi, (1996: 22), siç e sugjeron U. Eco te libri “Struktura e Papranishme”.

Materia poetike, së pari shihet në raport me vetveten, siç e formulon Xhonatan Culler: …se kuptimi i tekstit është përvoja e lexuesit (një përvojë që përfshin mëdyshjet, hamendjet dhe vetëndreqjet). (2001: 71), në librin “Teori Letrare”. Teksti letrar, proza e Kutelit, nuk ka gjasa t’u mëshihet dy situatave: – Kontekstit shkrimor, të fiksuar dhe të pandryshueshëm. – Kontekstit receptiv (marrës), po aq i rëndësishëm. Ngjashmëria formale shpërfillet qysh prej lashtësie nga Aristoteli: Kështu, Sofokliu nga një anë është imitonjës i ngjashëm me Homerin, se që të dy imitojnë personazhe me karakter më të mirë, por ai nga ana tjetër është i ngjashëm edhe me Aristofanin… (1998: 54), duke e parë kështu ngjashmërinë si ndërlidhje e thelbit të letërsisë./panorama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një amanet që ka hyrë në historinë shqiptare

“Amaneti i Mitrush Kutelit” – Letra, drejtuar së shoqes…

"Titan ishim, titan jemi"

Atdheu i vargjeve të Ali Asllanit