ISIS ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e një pjesëtari të komunitetit Sikh të Pakistanit. Vrasja kishte ndodhur më herët gjatë javës në qytetin veriperëndimor të Peshavarit, raporton AP.
Përmes një deklarate ISIS tha se Satnam Singh, 45 vjeç, ishte “politeist” (besimi në shumë perëndi) duke shtuar se ai u qëllua për vdekje nga anëtarët e organizatës.
Zyrtarët pakistanezë vazhdimisht kanë mohuar praninë e organizuar të Shtetit Islamik në këtë vend, por në vitet e fundit grupi ekstremist ka marrë përsipër një numër sulmesh ndaj forcave të sigurisë, xhamive, tubimeve politike dhe pakicave fetare në vitet e fundit.
Policia tha se Singh u qëllua në Peshavar që gjendet në kufi me Afganistanin. Personat e armatosur u larguan nga vendi i ngjarjes. Singh kishte jetuar në këtë qytet për 20 vjetët e fundit dhe drejtonte një klinikë të vogël që shiste ilaçe bimore.
Sulmet ndaj pakicës sikh kanë qenë të vazhdueshme në Pakistan. Shumica e komunitetit sikh kishin emigruar nga territori që tash i takon Pakistanit për në Indinë fqinje më 1947 kur përfundoi sundimi britanik. Megjithatë disa mijëra qëndruan në Pakistan./REL