Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e ka ‘zhveshur’ nga faji ish-shefin e tij, Sllobodan Millosheviç, i cili njihej ndryshe si kasapi i Ballkanit.
Gazeta Ekspress shkruan se Vuçiç fajëson Millosheviç vetëm se nuk pati mundësi që të llogarisë mirë situatën në atë kohë, pasi sipas tij tani ata po paguajnë çmimin e veprimeve të Millosheviç.
Më tej Vuçiç ka shtuar se Millosheviç nuk e ka pasur të lehtë dhe se nuk është fajtor për vrasjen e vendit, duke shtuar se ai luftoi për Kosovën.
“Nuk ishte e lehtë për Millosheviçin. Ai i bëri të gjitha llojet e gabimeve, por nuk është fajtor për vrasjen e vendit, janë ata që e bënë këtë. Por ai është fajtor që nuk ishte në gjendje të llogariste dhe të shihte mirë, kështu që ne paguajmë çmimin. Pastaj erdhi një grup i papërgjegjshëm. Millosheviçi të paktën kishte emocione dhe luftoi për Kosovën”, tha Vuçiç.
Ai e përmendi edhe vendimin e Gjykatës së Apelit në Kosovë e cila e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviç është dënuar me dy vjet burgim nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, pasi e quajti trillim masakrën e Reçakut.
“U prezantua një shkelje verbale, e cila mbështetet nga vende të caktuara perëndimore. Ata shkelën brutalisht marrëveshjen e Brukselit. Duhej të ishin dy serbë në Kolegjin e Apelit dhe nuk kishte gjyqtarë serbë. Në këtë mënyrë, ju nuk mund ta jepni një aktgjykim”, tha Vuçiç.