MENU
klinika

Nga Steven A.Cook “Foreign Policy”

Erdogan mund të jetë shumë i sëmurë për të udhëhequr Turqinë

03.10.2021 - 14:06

Që nga viti 2019, analistët dhe gazetarët në Turqi, mezi po presin ardhjen e zgjedhjeve parlamentare turke të planifikuara për vitin 2023. Kjo ndoshta sepse Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet,pësoi një humbje poshtëruese të kandidatëve të saj për kryetarë bashkie në qytetet e mëdha të vendit, përfshirë Stambollin, në zgjedhjet lokale të 2 viteve më parë.

Sondazhet e rregullta që nga ato zgjedhje, kanë zbuluar se popullariteti i AKP-së është në rënie , edhe pse kjo parti ka ende nën kontroll institucionet kryesore politike dhe mediat në Turqi. Pra duket se presidenti Rexhep Tajip Erdogan nuk ka më mbështetjen e dikurshme, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Në fakt Erdogan mund të jetë i rrezikuar edhe para vitit 2023 dhe jo në mënyrën se si mendojnë shumica e njerëzve. Ka shenja se ai mund të jetë shumë i sëmurë, dhe vështirë se mund të rikandidojë për t’u rizgjedhur. Muajt ​​e fundit, janë shfaqur një sërë videosh, në të cilat udhëheqësi turk nuk është dukur mirë.

Disa prej tyre nuk janë aq të qarta sa të tjerat, por të marra së bashku, ato ngrenë disa pikëpyetje të dukshme në lidhje me shëndetin e Erdoganit.

Për shembull në një video, presidenti turk shihet se ka nevojë për ndihmën e gruas së tij për të zbritur shkallët.

Në një video tjetër, ai ecën me vështirësi në Anitkabir, mauzoleun e themeluesit të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Dhe në një video, që tërhoqi jo pak vëmendje në korrik, Erdogan u shfaq shumë i zbehtë në fytyrë dhe ngatërronte fjalët e tij gjatë një përshëndetjeje televizive për anëtarët e AKP-së.

Bashkë me këto video janë zërat e shumta mbi shëndetin e presidentit, përfshirë ato që pretendojnë se ai po përballet me fillimet e sëmundjes se demencës, problemet me frymëmarrjes, konfuzionin, të vjellat dhe implantimin e një defibrilatori në zemër.

Sipas të njëjtave burime, presidenti e ka shtuar numrin e mjekëve përreth tij, ka reduktuar kontaktet me mediat, dhe është duke marrë ilaçe kundër dhimbjeve përpara daljeve në publik.

Sigurisht, këto zëra përsëriten me shpesh nga njerëz jashtë Turqisë, ose nga ata që janë larguar nga rrethi i ngushtë i presidentit. Ndaj zërat për vdekjen e afërt të Erdogan, mund të jenë edhe thjesht biseda boshe.

Tek e fundit, në video të tjera, ai është dukur mirë me shëndet. Kështu në fjalimit publik para kombit më 26 shtator, ai nuk dukej ndoshta aq energjik sa dikur, por nuk duhet harruar se është 67 vjeç – jo shumë i moshuar, por nga ana tjetër as edhe i ri – dhe ka qenë në pushtet për më shumë se 18 vjetësh, dhe kjo i ka marrë jo pak energji.

Nuk është asnjëherë një ide e mirë të bësh gjykime mjekësore nga larg, sidomos nëse dikush nuk është mjek. Por le ta lëmë mënjanë për një moment gjykimin e shëndoshë, dhe të abstragojmë:Po sikur Erdogani të jetë shumë i sëmurë? Çfarë do të ndodhë nëse ose nga sëmundja ose nga vdekja, ai nuk mund të rikandidojë dot në vitin 2023?

Sipas Nenit 106 të Kushtetutës Turke, zv/presidenti Fuat Oktay do të merrte përgjegjësitë dhe kompetencat që ka aktualisht Erdogan, derisa të mbahen zgjedhjet e reja (brenda 45 ditëve) dhe të betohet një president i ri.

Udhëzimi është shumë i drejtpërdrejtë dhe standard. Analistët turq kanë supozuar prej kohësh se në një Turqi post-Erdogan, AKP-ja do të përçahej, dhe kjo do të krijonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve vërtet konkurruese dhe të lira, të cilat mund të fitohen nga cilido prej politikanëve kryesorë të opozitës turke.

Ky mund të jetë ndoshta Ekrem Imamoglu, që mundi një ish-kryeministër të AKP-së për t’u bërë kryetar i Bashkisë sëStambollit. Homologu i tij në Ankara, Mansur Javash, është një politikan shumë i fortë. Dhe pastaj është edhe Meral Aksener, udhëheqësja e Partisë së Mirë.

Ekzistojnë skenarë të arsyeshëm, në të cilat Imamoglu, Javash ose Aksener bëhen presidenti i ardhshëm i Turqisë. Por supozimi që qëndron në bazë të çdo lloj fitoreje të tyre, është rikthimi në të ashtuquajturën politikë normale pas Erdoganit. Kjo është e mundur, por nga ana tjetër ka arsye që të shihet me mosbesim.

Së pari, tani është e qartë se përmes AKP-së, Erdogan i ka nënshtruar institucionet politike të Turqisë sipas dëshirës së tij. Në këtë kontekst, është e vështirë të imagjinohet se një proces zgjedhor i organizuar brenda 45 ditësh mund të jetë i lirë dhe i ndershëm.

Së dyti, dhe më e rëndësishmja, është fakti se gjatë qëndrimit 2-dekadësh të Erdoganit në pushtet, njerëzit brenda rrethit të brendshëm të AKP-së janë bërë shumë të pasur dhe të fuqishëm, shpesh përmes mjeteve dhe praktikave të diskutueshme.

Ndaj duket e pamundur që zyrtarët, biznesmenët, personalitetet e medias, do të rrezikonin aq lehtë fitimet e tyre duke iu nënshtruar pasigurisë së një politike më demokratike. Në këto rrethana, vlen të merret në konsideratë mundësia që një udhëheqës tjetër autoritar të sundojë Turqinë pas Erdoganit, ndoshta nën një gjendje të jashtëzakonshme.

Ndër figurat më të fuqishme në Turqi, përveç Erdoganit, janë shefi i inteligjencës Hakan Fidan, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar, dhe Ministri i Brendshëm Sulejman Sojlu. Nga të tre, Akar duket se është më i mirë-pozicionuar për të marrë drejtimin e vendit.

Fidan është popullor tek turqit. Por ai vepron kryesisht pas dyerve të mbyllura të Organizatës Kombëtare të Inteligjencës.

Sojlu është dëmtuar jo pak nga deklaratat e mafiozit turk Sedat Peker, që e akuzoi Ministri i Brendshëm si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, në një seri videosh të postuara në YouTube muajt e fundit.

Akar ka një avantazh të madh ndaj Fidan ose Sojlu:forcat e armatosura turke.

Akar, qëishte shefi i shtabit të ushtrisë gjatë tentativës për grusht shteti, ka luajtur një roli qendror në reformimin e forcave të armatosura pas korrikut 2016, dhe mund ta vendosë ushtrinë në një pozicion për të luajtur sërish një rol politik.

Disa në Uashington mund ta shohin Ministrin turk të Mbrojtjes dhe të thonë:“Mirë, ai nuk duket dhe keq. Ai na duket pragmatik. Ne mund të punojmë me të”. Ky nuk është një pozicion i paarsyeshëm, por askush nuk duhet të presë që Akar të jetë miqësor me Shtetet e Bashkuara.

Ai ka një origjinë të ngjashme ideologjike me Erdogan. Plus ai ka afërsi me një grup oficerësh nacionalistë dhe anti-perëndimorë. Natyrisht, nuk ka asnjë mënyrë për të ditur

me saktësi gjendjen aktuale shëndetësore të Erdoganit apo se kush mund ta pasojë atë.

Nëse Erdogan nuk do të garojë në vitin 2023, politika turke mund të kthehet përsëri në diçka që i ngjan statuskuosë së vjetër, teksa përçarjet në AKP mund të paraqesin mundësi për opozitën, apo që vendi mund të bëhet më i paqëndrueshëm, ose mund të ndodhë diçka tjetër.(CNA.al)