Gjykata Kushtetuese i ka dhënë pjesërisht të drejtë kandidatit të pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshit, i cili ishte propozuar si kandidat nga zgjedhësit. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Kodin Zgjedhor duke shfuqizuar nenin që kushtëzon kandidatët e pavarur të marrin 1% të votave në rang kombëtar.
Gjykata Kushtetuese kërkon shfuqizimin e fjalisë së dytë të pikës 1 të nenit 162, e cila thotë se për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi.
Sipas arsyetimit në vendimin e Gjykatës Kushtetuese shfuqizimi bëhet pasi kjo fjali është e papajtueshëm me Kushtetutën, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike.
Kandidati i pavarur, Elton Debreshi, i cili në zgjedhjet e 25 prillit mori 580 vota, dorëzoi një padi në Kushtetuese kundër pragut 1% për t’u zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ku theksonte se pragu është është diskriminues për kandidatët e pavarur, pasi iu kërkohet më shumë vota sesa partive politike.
‘Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 28.09.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt: – Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,VENDOSI: – Pranimin pjesërisht të kërkesës. – Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike. Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.’- njofton Gjykata Kushtetuese.
Pika 1 e Kodit Zgjedhor, neni 162, shfuqizohet fjalia 2
Më herët më 30 qershor, Gjykata Kushtetues pranoi edhe kërkesën e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit për shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit. Kërkesa për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor është pranuar pjesërisht si e papajtueshme me Kushtetutën. Me këtë vendim pritet që në zgjedhjet e ardhshme të kemi proces zgjedhor me lista 100% të hapura. Kryetarët e partive nuk do të vendosin më pjesën më të madhe të deputetëve. Me shfuqizimin e neni nga Kodi zgjedhor, në të ardhmen, deputeti që fiton numër më të madh votash futet në parlament pavarësisht renditjes.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi më 9 qershor 2021 kërkesën e Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit në lidhje me shpërndarjen e mandateve. Kërkesat e dy partive e dorëzuar më 29 dhjetor 2020 argumentohej se antikushtetueshmëria e të ashtuquajtuarit herës në shpërndarjen e mandateve është një element që cenon barazinë e votës dhe që praktikisht bie ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë.