MENU
klinika

3 atentatorët i pritën dhe sapo dolën nga lokali

Dy viktimat e atentatit në Elbasan lëviznin me makina të blinduara

05.10.2021 - 10:34

Dy viktimat e mbrëmjes së kaluar në Elbasan, Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku lëviznin me makina të blinduara, kështu që atentati ndaj tyre ka qenë i mirëmenduar dhe i lëvizjet e tyre janë monitoruar nga autorët. Tre ishin autorët, të cilët kanë pritur shënjestrën e tyre brenda një makine aty pranë dhe kur ato të dy kanë dalë nga lokali, kanë qëlluar me breshëri plumbash, duke lënë të vdekur në vend Lulzim Bitrin dhe të plagosur rëndë Ardian Çollakun, i cili ndërroi jetë në spital.

Në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 20 gëzhoja, ndërkohë që autorët pas krimit i kanë vendosur flakën makinë me të cilën kryen atentatin dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Ka dyshime se vrasja e dyfishtë mund të ketë ndodhur për larje hesapesh, pasi dy viktimat ishin me precedentë të mëparshëm penal.

Po kush janë dy shënjestrat e këtij sulmi mafioz?

Rezulton se si Bitri dhe Çollaku kanë qenë persona me precedentë të mëparshëm penal dhe me lidhje me bandat që veprojnë në Elbasan. Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, u hetua si i lidhur drejtëpërdrejtë me vrasjen e Everest Çakës në maj të këtij viti. Ndërkohë, në vitin 2015 është arrestuar në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane, që e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”. Subashi ka qenë edhe subjekt i OFL ku vitin e kaluar së bashku me 3 persona të tjerë iu kërkua deklarimi i pasurisë.

Lulzim Bitri rezulton mik i ngushtë i Talo Çelës, teksa në vitin 2018 u arrestua, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim të një personi në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Vrasja ndodhi pas përplasjes mes dy grupeve kriminale.