MENU
klinika

Ç'do ndodhë me lëvizjen e makinave

Shefi i Qarkullimit tregon rrugët që do bllokohen

05.10.2021 - 15:14

Shefi i sektorit të Qarkullimit në Policinë Bashkiake, Gentian Vocaj sqaroi me detaje se cilat rrugë do të bllokohen më 17 tetor në Tiranë dhe çfarë do të ndodhë me makinat e parkuara në rrugët ku do te zhvillohet maratona.

Ai theksoi se rreth 500 efektivë të Policisë Bashkiake do jenë në terren atë ditë. “Trajektorja e Maratonës është më e gjatë, rreth 42 km. Maratona do të fillojë në sheshin “Skënderbej”, do vazhdojë në Bulevardin “Zogu I”, në kryqëzimin e fundit të “Bulevardit të Ri”.

Pastaj vrapuesit do kthehen në drejtim të rrugës së Durrësit, do kalojnë në rrugën e Kavajës, në rrugën “Myslym Shyri” si dhe Bulevardin “Barjam Curri”. Nga aty do kalojnë në rrugën “Ibrahim Rugova”, te parku i Liqenit Artificial, rruga “Lek Dukagjini”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Xhorxh Bush”, si dhe rruga “Abdi Toptani” pranë Bashkisë, ku do të merret kthesa e fundit dhe do të shkojnë në pikën e nisjes.

Të gjitha këto rrugë do të kenë bllokime dhe devijime të trafikut atë ditë. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë mjete të parkuara në këto rrugë, ose që kanë plan t’i parkojnë në ditën e Maratonës, të marrin masa”, sqaroi Vocaj. Drejtori i Sportit në Bashkinë e Tiranës, Gjergj Muzaka tha se aktivitetet do të nisin 2 ditë para datës 17 Tetor.

“Për herë të parë është certifikuar trajektorja e plotë e maratonës, që është 42 km në total. Është një intenerar i gjatë që kalon në pikat kryesore të qytetit, ku përveç pjesës sportive aty instalohen dhe 7 stage, përfshirë edhe stage-in kryesorë që është tek qendra, tek sheshi “Skëndërbej” ku organizohen evente në grupe artistike. Kështu që është një ditë festive dhe kërkon angazhimin edhe mirëkuptimin e të gjithëve atë ditë”, pohoi Muzaka.