MENU
klinika

Historia e mbushur me ngjarje gjatë 44 muajve në krye të Policisë

“CV-ja” e Ardi Veliut nga dhuna për teatrin, te vrasja e Klodian Rashës

06.10.2021 - 11:47

Gjatë periudhës gati katërvjeçare që Ardi Veliu ka drejtuar Policinë e Shtetit, uniformat blu janë përballur me ngjarje jo të zakonta. Aksioni i IKMT-së për prishjen e Teatrit Kombëtar, u shoqërua me dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit, e cila menaxhoi jo mirë tubimet e qytetarëve dhe shoqërisë civile për mbrojtjen e teatrit.

Pati mjaft të lënduar nga kjo përpjekje e uniformave blu për të shpërndarë protestuesit, ndërsa nuk pati asnjë ndjesë nga ana e policisë për këtë dhunë. Por, drejtori i Policisë gjatë ushtrimit të detyrës së tij nuk do t’i shpëtonte edhe gafave publike. Ardi Veliu sulmoi gjatë një seance parlamentare online nënën e një fëmije të dhunuar nga oficerë policie dy javë më parë, duke sugjeruar se fëmija i dhunuar vjen nga një familje me moral të keq dhe e përdori këtë argument për të justifikuar dhunën.

Sulmi verbal i Veliut u konsiderua si kërcënim nga Zaida Çobo, nëna e fëmijës së dhunuar, ndërsa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm e cilësuan si skandaloze sjelljen e kryepolicit në Parlament. Veliu u pyet në Komisionin Parlamentar të sigurisë në lidhje me një ngjarje të 15 majit, kur një qytetar xhiroi me celular momentet kur katër oficerë Policie dhunonin një adoleshent, pasi ky i fundit kishte shkelur orarin e ndalim-qarkullimit të vendosur në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen.Jo se dua të mbroj Policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, deklaroi Veliu para deputetëve.

E ëma e fëmijës së dhunuar, Zaida Çobo, me profesion aktore, deklaroi pas aludimeve të kryepolicit se videoja është e vërtetë dhe se ajo është një dubël e realizuar gjatë xhirimeve të një filmi, në të cilën, një pistoletë lodër është përdorur nga Çobo. Por, ngjarja më e rëndë e Policisë së Shtetit gjatë mandatit të Ardi Veliut ishte padyshim vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv Policie. Madje, Policia njoftoi ditën e vrasjes se viktima kishte pasur armë me vete dhe madje kishte qëlluar në drejtim të grupit “Shqiponja”. Vrasja e Klodian Rashës shkaktoi protesta të dhunshme ku qindra të rinj u përplasën me policinë, ndërsa nuk kanë munguar vandalizmat. Si pasojë e këtyre protestave, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, por jo Ardi Veliu, dha dorëheqjen si një gjest moral për të ulur tensionet e shkaktuara nga vrasja e të riut./panorama