Besimi i rusëve ndaj presidentit, Vladimir Putin, ka rënë në nivelin më të ulët në gati një dekadë, thuhet në një hulumtim të ri të opinionit. Në rezultatet e publikuara më 6 tetor thuhet se 53% e të anketuarve i besonin Putinit. Në shtator të vitit 2017 kjo shifër ishte 71 për qind. Hulumtimi është bërë nga Qendra Levada.
Kjo organizatë tha se niveli më i ulët i besimit në udhëheqësin rus ishte regjistruar në vitin 2012 pasi vetëm 51 për qind e të anketuarve kishin thënë se i besonin presidentit. Ky nivel u rrit në 80 për qind në vitin 2015 pasi Rusia e aneksoi Gadishullin e Krimesë në Ukrainë.
Mandati aktual i Putinit si president është planifikuar të përfundojë në vitin 2024. Por, ligjvënësit rusë, me urdhër të Kremlinit, kanë miratuar ndryshimet ligjore që i mundësojnë atij të qëndrojë në detyrë edhe pas këtij viti.
Pavarësisht rezultateve të hulumtimit, Putini vazhdon të jetë politikani më i popullarizuar në Rusi. Hulumtimi ka treguar se qytetarët kanë besim të ulët edhe tek ligjvënësit. Sondazhi i ri i Levadas tregoi një rënie të besimit për dhomën e ulët të parlamentit nga 33 për qind në vitin 2017 në 25 për qind më 2021.
Partia në pushtet Rusia e Bashkuar fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar në Rusi. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët dhe kishte akuza për mashtrim dhe manipulim të votave. Para mbajtjes së zgjedhjeve u zhvillua një fushatë e ashpër për të penguar nga kandidimi çdo kundërshtar të mundshëm të opozitës.
Niveli i besimit në partitë politike gjithashtu zbriti nga 19 përqind në 2017 në 17 përqind tani, u tha në sondazhin e Levadas.
Sondazhi u zhvillua nga 19 deri më 26 gusht përmes intervistave me 1,619 persona që banonin në 137 fshatra dhe qytete në 50 rajone të Rusisë. Në vitin 2016, autoritetet ruse e kanë shpallur Qendrën Levada si një “agjent të huaj”, veprim ky që kishte për qëllim të njolloste punën e organizatës./REL