MENU
klinika

Lista e zezë për Ballkanin

Biden emëron James O’Brien për sanksionet

08.10.2021 - 16:14

Presidenti Biden ka emëruar orët e fundit diplomatin e njohur James O’Brien për të zbatuar në praktikë urdhrin e tij ekzekutiv ku parashikohet ngrirja e pasurive si dhe ndalimi i hyrjes në SHBA për ata zyrtarë nga Ballkani Perëndimor që vijojnë që të destabilizojnë këtë rajon, kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Urdhri i ri presidencial ka përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

O’Brien do të ketë gradën e ambasadorit ndërsa para se të marrë postin e ri duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. O’Brien është i njohur me situatën në Ballkanin Perëndimor, sepse ka punuar më parë në këtë rajon.

Nga viti 1989 deri në vitin 2001 O’Brien shërbeu si Këshilltar i Lartë i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe i dërguar presidencial për Ballkanin Perëndimor. Me marrjen e detyrës zyrtarisht ai duhet të zbatojë regjimin e sanksioneve, pra “listën e zezë” amerikane. Urdhri i Biden është vazhdim i një urdhri të vitit 2001 të ish-administratës Bush, ku parashikohen sanksione për individët me pushtet nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Me vendimarrjen e administratës së re amerikane ky urdhër është zgjeruar duket përfshirë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike. Sipas Shtëpisë së Bardhë korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. Departamenti i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan shumë zyrtarëve në rajon, emra të cilët janë bërë ose jo publikë.

Shtëpia e Bardhë në konsultim me Departamentin e Shtetit me emërimin e zotit O’Brien do të vazhdojë ta përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri. Procesi i krijimit të “listave të zeza” të SHBA me të shpallur non grata ka rezultuar proces shumë i ngadalshëm. Për momentin duhet deri në 10 vjet para se një person të gjendet në këtë listë të zezë.

Duke emëruar zotin O’Brien si koordinator, administrata e Biden, sipas mediave amerikane padyshim, dëshiron që puna të shkojë shumë më shpejt, të jetë me cilësi më të mirë dhe më efikase.