Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në disa zona në Greqi. Banorët e Evisë qendrore kanë kaluar një natë në makth, pak muaj pas ankthit të shkaktuar nga zjarret e shumta që goditën këtë zonë.
Shira të dendur kanë shkaktuar përmbytje dhe disa banesa janë dëmtuar. Rrugët janë nën ujë ndërsa me dhjetëra banesa janë përmbytur. Sipas drejtuesve lokalë dëmet janë të pallogaritshme.
Sipas nënkryetarit të bashkisë Mantoudi, Dimitris Skopelitis , katër banorë kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre.
Banorët e Achladi dhe Agia Anna janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë , ku lumenjtë dhe përrenjtë kanë vërshuar, duke përmbytur zona të mëdha. Prej orëve të para të mëngjesit, makinat e ndërtimit po përpiqen të pastrojnë vendin në mënyrë që automjetet të kalojnë me banorët që duan të dalin nga zona.