Nisma qytetare për ndalimin e përdorimit të makinave private, në qendër të Berlinit, mundet të krijojë zonën më të madhe urbane në botë, pa makina.
Grupi “Berlin Autofrei” (”Berlini pa makina”), ka ndërmarrë hapin e parë për një referendum, duke mbledhur më shumë se 50 mijë firma. Bëhet fjalë për ndalimin e përdorimit të makinave, në një zonë prej 88 km katrorë.
Në bazë të rregullave të qeverisë federale, prej vitit të ardhshëm, Berlini duhet të ketë rreth 50% të automjeteve në përdorim, elektrike.
Aktualisht, Gjermania përdor vetëm 1.3% automjete elektrike dhe ky objektiv, duket gati i pamundur. Aktivistët, gjithsesi kundërshtojnë sërish, me argumentin se automjetet, qoftë edhe ato elektrike, ndotin me gomat dhe zënë shumë hapësirë.
Një raport i vitit 2014 i parlamentit rajonal të Berlinit zbulonte se 58% e hapësirës në rrugë është për automjeteve. Vetëm 3% ishte për biçikletat dhe 15% për këmbësorët. Vetëm automjetet e parkuara zinin një hapësirë prej 17 km katrorë.
“Duam që njerëzit të jenë në gjendje të flenë me dritare hapur dhe fëmijët të mund të luajnë sërish në rrugë. Të moshuarit të ecin të sigurt me biçikletë dhe të kenë vende për të pushuar në ajër të pastër”, – shprehet Nina Noble, një prej iniciatorëve të nismës.
Edhe pse fushatat kundër makinave historikisht në Evropë, kanë pasur pak sukses, këtë herë mund të jetë ndryshe.
Fushata po përdor një formë speciale të demokracisë direkte të parashikuar në Kushtetutën e Gjermanisë.
Hapi i parë është mbledhja e 20 mijë firmave në mbështetje të propozimit të ligjit. Në të dytën, do të nevojiten 170 mijë firma. Nëse qeveria do të refuzojë zbatimin e ligjit, atëherë çështja do të shkojë në referendum.
Deri më tani, janë mbledhur mbi 50 mijë firma, vetëm për fazën e parë…