Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se ushtria dhe policia e Serbisë do të marrin pajisjet dhe armët më të fundit nga Rusia.
Ai nuk dha detaje në një intervistë për agjencinë RIA Novosti, por tha se ushtria dhe policia e Serbisë, bazuar në marrëveshjet dhe kontratat e lidhura më parë me Rusinë, do të bëhen “shumë më të forta”.
“Ne nuk mund të flasim për këtë derisa të ndodhë. Por, është absolutisht e sigurt se ushtria dhe policia do të blejnë teknologjitë më moderne, përfshirë ato të prodhuara nga Federata Ruse”, tha Vulin.
Ai përsëriti se Serbia nuk do të bashkohet me NATO-n dhe nuk do t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë, transmeton Express.
“Për sa kohë që Aleksandar Vuçiç është president i Serbisë dhe përderisa unë jam në strukturat e sigurisë, Serbia nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe ne do të kujdesemi rreptësisht për ruajtjen e neutralitetit tonë ushtarak”, tha Vulin.
“Historia ka treguar se çdo rusofobi është edhe serbofobi. Nuk ka ndodhur që dikush ta sulmojë Rusinë pa e sulmuar Serbinë, ky është rregulli”, shtoi Vulin.