Në reagimin e parë pasi shkarkoi Flamur Nokën nga posti i zv.kryetarit të Komisionit të Sigurisë, me tone të ashpra kryedemokrati Lulzim Basha, tha se PD s’mund të mbetet peng i axhendave personale që kërkojnë ta kthejnë në një bunker për interesa të kujtdo, referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha. Prandaj, theksoi Basha, shtrembërime të tilla nuk do të tolerohen, duke iu referuar këtu deklaratave të fundit të Nokës.
“Nokës i kam komunikuar shkarkimin nga detyra si nënkryetar i komisionit të sigurisë, nuk e kam përjashtuar por e kam paralajmëruar, nuk mundet PD që ka kundërshtar dhe armik Ramën dhe regjimin e tij të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë kryesore si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi me të gjitha format dhe mënyrat. Ne kemi lançuar iniciativa të shumta opozita dhe do të lançojmë të tjera, për të zhbërë dhe gërryer themelet e regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe nuk mund të mbetemi peng i axhendave personale që kërkojnë ta kthejnë PD në një bunker për interesa personale të kujtdo qofshin këto. Prandaj shtrembërime të tilla nuk do të tolerohen”, deklaroi kreu i PD.
Basha vendosi mbrëmjen e djeshme ta shkarkojë Nokën nga posti i n/ kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Argumentet e përdorura nga kryedemokrati ishin sipas tij shpifjet dhe sajesat nga Noka, të cilat po dëmtojnë partinë.
Kujtojmë se përveç shkarkimit nga Komisioni i sigurisë Basha e ka paralajmëruar Nokën edhe me shkarkim nga Grupi Parlamentar i PD-së, paralajmëron që e nënvizoi edhe sot gjatë deklaratës së tij.
Vetë Noka reagoi për shkarkimin e tij mbrëmë për emisionin “Log.” në ABC, ku tha se me këtë vendim Basha ka treguar se është në panik dhe nuk ka asnjë lidhje me parashikimet në statutin e PD-së. Flamur Noka ishte një nga emrat e parë që doli kundër vendimit individual të Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar, madje ish-ministri i Brendshëm u pozicionua hapur kundër kryetarit të partisë.
Basha u prononcua lidhur me shkarkimin e Nokës pas takimit me ministren britanike për Europën dhe Amerika, Wendy Morton, e cila shoqërohej në këtë takim nga ambasadori britanik në Tiranë. Në këtë takim Basha u shpreh se biseduan për cështje me interes të përbashkët si lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, lidhjet e krimit të politikës me krimin si edhe liria e medias.
“Takimi me ministren për europën dhe amerikat ishte një mundësi e dyfishtë së pari tregon nivelin e lartë të interesit britanik për Shqipërinë, në veçanti për kauzat kryesore të PD, të demokracisë, bashkëpunimi të luftës së krimit të organizuar të lirisë së medias dhe të marrëdhënies shqiptaro britanike, investimet e britanisë te ne dhe emigrimin e shqiptarëvre. Kemi qindra mijëra shqiptarë në britani, duam ti shohim me letra të jetojnë me nder dhe të panjollosur.
Jemi fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar… Prerja e lidhjes me krimin janë prioritet absolut, që është dhe një një nga arsyet e masakrës së zgjedhjeve. Brinatikët kanë kërkuar ndihmën tonë brenda dhe jashtë parlamentit. Në takimin me ministren kemi folur për rritjen e bashkëpunimit të Pd dhe partisë konservatore.Vlerat e një ekonomie konkuruese, me konkurrenca dhe jo monopole dhe jo me oligarkë. Me biznese të vogla dhe të forta. Lirinë e medias dhe luftën kundër krimit të organizuar. Një rreze dielli do bjerë dhe mbi gazetarët”, tha Basha.