MENU
klinika

Pas vëzhgimit “të sofistikuar dhe të vazhdueshëm”

Irani arreston 10 spiunë që punonin për agjencitë e huaja

13.10.2021 - 08:26

Irani tha se ka arrestuar 10 persona për të cilët thuhet se janë të lidhur me shërbimet e huaja të inteligjencës, njoftoi të martën agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

Arrestimet, sipas raportimeve, janë bërë në provincën jugore Bushehr.

Raporti tha se agjencia e inteligjencës iraniane i arrestoi 10 personat pas vëzhgimit “të sofistikuar dhe të vazhdueshëm”. Agjencia nuk i ka përmendur vendet me të cilat ishin të lidhur të dyshuarit, transmeton AP.

Këto persona kanë punuar për vendet në “rajon”, shërbimet e inteligjencës të të cilëve kanë vepruar si bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të agjencive spiune të “vendeve armiqësore”, u tha në raport.

Kjo ishte një referencë ndaj vendeve armike të Iranit: Izraelit dhe SHBA-së.
Në provincën Bushehr është termocentrali i vetëm bërthamor i Iranit që u vendos në funksion në vitin 2011 me ndihmën e Rusisë.

Në korrik, Irani tha se autoritetet arrestuan anëtarët e një grupi të lidhur me agjencinë e inteligjencës Mossad të Izraelit, derisa po zhvilloheshin protestat e vazhdueshme mbi mungesën e ujit në jugperëndim të vendit.

Në vitin 2019, Irani tha se arrestoi 17 iranianë të akuzuar për spiunazh për Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës (CIA) të SHBA-së dhe raportoi se disa prej tyre ishin dënuar me vdekje.

Irani herë pas here njofton ndalimin e njerëzve për të cilët thotë se spiunojnë për vendet e huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.