MENU
klinika

Trafiku nga Ekuadori vijon!

Kompanisë së bananeve i kapet ngarkesa e gjashtë e kokainës

13.10.2021 - 10:58

Sasia e kokainës në kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit” të ngarkuar me banane në Ekuador duket se nuk ka fund.

Mesditën e djeshme Policia zbuloi një tjetër sasi kokaine, ngarkesa e gjashtë që sekuestrohet brenda disa muajsh. Edhe pse menaxheri i saj, Barjon Gumeni, është në burg, ndërsa administratori i firmës, Eduart Dauti, është në kërkim, trafiku i drogës ka vijuar, ndërsa gjatë ditës së djeshme u kapën edhe 10 kg e 185 gramë lëndë narkotike.

TJETËR I ARRESTUAR

Për këtë sasi droge është ndaluar administratori i ri i kësaj firme, Ermal Arapi. Burimet nga Policia thanë se si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve, u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramësh lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

“Në vijim të operacionit ‘Rada’, mesditën e sotme (dje), nga Task-Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontejnerët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve, u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramësh lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, bën me dije Policia e Durrësit, e cila shton se “Task-Forca permanente që operon në portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut”.

NGARKESA

Burimet bëjnë me dije se kontejneri ka ardhur rreth tri javë më parë në portin e Durrësit dhe është në listën e dhjetëra kontejnerëve të tjerë që po kontrollohen. Ende nuk dihet sasia e saktë e kokainës së nisur nga Ekuadori.

Pavarësisht se pronari i kompanisë së importit të bananeve është në kërkim nga Policia, ndërsa vëllai i tij gjithashtu bashkëpronar në kompani është arrestuar, aktiviteti i “Alba Exotic Fruit” vazhdon, duke transportuar jo vetëm frutat, por edhe drogën.

OPERACIONET

Operacioni “Rada” ka nisur më 13 korrik të këtij viti kur u sekuestrua sasia prej 11 kilogramësh kokainë. Operacioni vazhdoi edhe më 23 korrik, kur u zbulua ngarkesa tjetër prej 6.5 kg, gjithashtu e fshehur brenda kontejnerëve.

Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe iu sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”. Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘historinë’ me trafik droge, kur në vitin 2019 në kontejnerët e kësaj kompanie në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.

Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin