MENU
klinika

Raporti i progresit të KE-së

Mali i Zi ka bërë pak përparim në rrugën drejt BE-së

21.10.2021 - 10:54

Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi Oana Cristina-Popa i dorëzoi  Presidentit Millo Gjukanoviq raportin vjetor  të progresit të Komisionit të Bashkimit Evropian.

Në Raport vend kyç zenë tensionet  dhe mosbesimi ndërmjet  aktorëve politik. Komisionit Evropian (KE) thotë se polarizimi ndërmjet shumicës dhe opozitës ka qenë i pranishëm gjatë tërë vitit 2020 dhe është intesifikuar më shumë pas zgjedhjeve. Mungesa e  angazhimit  konstruktiv të të gjithë  aktorëve  parlamentarë, ka  penguar që të ketë dialog politik, duke e polarizuar edhe më tej spektrin politik. Po ashtu në raport  përmendet dhe  bojkotimi i seancave parlametare nga ana e deputetëve të shumicës gjatë këtij viti.

Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Cristina-Popa, në një konferencë me gazetarë tha, se: “Parlamenti  duhet të përfshihet në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës si dhe të finalizojë  pa vonesë  emërimet gjyqësore dhe parlamenti duhet të dëshmojë se është i përkushtuar  në agjendën e reformave evropiane”. Ajo më tej duke iu referuar raportit nënvizoi, se ”Mali i Zi ka bërë pak përparim në luftën kundër korrupsionit që është i pranishëm në shumë fusha dhe krimit të organizuar dhe se në reformat kyçe të gjyqësorit nuk është shënuar përparim”. Raporti po ashtu flet edhe për  kontrabandën e cigareve dhe larjen e parave të pista.

Reagime të sektorit  joqeveritar dhe të opozitës

Komisioni Evropian në raportin e tij ka vërtetuar që Malit të Zi  domosdoshmërisht i duhen reforma rrënjësore dhe rekomandimet duhen kuptuar si thirje e fuqishme e të gjithë aktorëve në shoqëri, veçmas partitë  politike duhet  t’i përkushtohen detyrimeve të integrimeve evropiane”.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq,  thotë, se “se ngecja në procesin e  bisedimeve duhet të tejkalohet  duke konsoliduar strukturat negociuese dhe kthimin e autoriteteve ekzekutive në dinamikën e procesit negociues, dhe se agjenda evropiane duhet të jetë  prioritet absolut i secilës  qeveri. Presidenti vlerësoi objektivitetin e raportit që sipas tij “fatkeqësisht paraqet fotografinë depresive të Malit të Zi që urgjentisht duhet ta ndryshojmë”.

Kryetari i Partisë Socialdemokratike, Rashko Konjeviq, thotë se raporti i KE për Malin e Zi është nga më kritikët deri më tani. “Qeveria ka bërë hap prapa në procesin e integrimit. Mali i Zi duhet urgjentisht  të ketë një qeveri të re, e cila do të “zhbllokojë bisedimet dhe do të përshpejtojë rrugën e Malit të Zi drejtë BE-së./ DW