MENU
klinika

Vaksinimi i fëmijëve dhe doza e tretë

Manastirliu: Komiteti Teknik vendos nesër

21.10.2021 - 11:03

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur nga Shkodra për vaksinimin ndaj COVID-19, duke paralajmëruar vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve pas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Vaksinimit.

“Vaksinimi është një sfidë mbarë globale dhe patjetër është një sfidë dhe për vendin tonë.

Është e vërtetë, është mbledhur Komiteti Teknik i Vaksinimit të cilët kanë diskutuar dhe kanë rekomanduar përgjatë fundjavës të shkuar, realizimin apo vendosjen në protokoll të dozës së tretë, ose të dozës booster siç quhet ndryshe. Kanë rekomanduar gjithashtu edhe uljen e fashës të grupmoshës për vaksinim, plus 16 vjeç dhe kanë diskutuar gjithashtu dhe kanë rekomanduar edhe vaksinimin plus 12 vjeç, por vetëm për ata fëmijë që kanë problematika shëndetësore. Këto rekomandime të cilat kanë dalë nga Komiteti Teknik i Vaksinimit do të diskutohen ditën e nesërme dhe do të ketë një vendim të Komitetit Teknik të Ekspertëve për përgjigjen ndaj COVID-19 dhe do të kemi dhe një njoftim dhe për vendimet që do të marrë ky Komitet”, deklaroi Manastirliu

Ajo theksoi se vaksinimi është arma e vetme që ne kemi për t’u mbrojtur nga COVID-19 dhe se të pavaksinuarit janë mbi 95% të rasteve në spitale.

Më tej ministrja bëri një apel në kuadër të tetorit rozë. “Apel të rëndësishëm për çdo grua në këtë tetor rozë të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe çdo grua mbi 40 vjeç të bëjë ekzaminimet.
Jemi në të gjithë Shqipërinë për të ndërgjegjësuar e sensibilizuar gratë për ta kryer këtë kontroll. Pandemia ka sjellë një lloj neglizhence në këto kontrolle rutinë. Jemi në Shkodër për të parë nga afër punën si ecën puna në strukturën e poliklinikës ku është instaluar mamografia e re”, tha Manastirliu.