Një kryetar lokal I Partisë Demokratike në Fier, ka kundërshtuar publikisht vendimin e Lulzim Bashës për shkarkimin e tij dhe zëvendësimin me një kryetar të ri të komanduar. Luan Baçi që eshtë përballur me vendimin për shkarkim pas pjesëmarrjes së tij në foltoren e Sali Berishës dhe mbështetjen e hapur të lëvizjes së Berishës kundër kryetarit të PD Lulzim Basha.
Refuzimi I tij për të pranuar shkarkimin dhe komandimin e dikujt tjetër në krye të partisë, në fakt është rasti I parë I mos njohjes legale të një vendimi të kryetarit të PD, në emër të Berishës.
Vet Berisha e ka pranuar verdiktin e Lulzim Bashës për përjashtim nga grupi parlamentar por po e lufton atë në rrugë. Edhe Flamur Noka e ka pranuar shkarkimin nga detyra e zëvendëskryetarit të Komisionit të Sigurisë, por po ankohet publikisht për të.
Deklarata e ish-kryetarit të PD së Fierit se nuk e pranon shkarkimin, është shenja e parë e rezistencës organizative të Berishës brenda PD.
Kjo nuk është se ka ndonjë rëndësi për Bashën, pasi ai është në rregull me të drejtën e tij si kryetar. Por kjo është një shenjë e rëndësishme e nisjes së shthurjes së PD dhe relativizimit të autoritetit juridik brenda saj.
E gjithë kjo bëhet nga Sali Berisha për ti dal përpara mos përfilljes nga ana e Lulzim Bashës të një vendimi të pritshëm të Berishës dhe strukturave paralele të tij kundër Bashës.
Siç e ka nisur Berisha, duke parë mungesën e mbështetjes së strukturave të PD për të, do të organizoj një Kuvend paralelë me njerëz të tij, në shkelje të statutit dhe organizimit të PD, dhe do të deklaroj shkarkimin e Bashës dhe hapjen e garës për dikë tjetër.
Vendimi normalisht nuk do të njihet nga Basha dhe do të konsiderohet një kuvend ilegal që nuk e përfill askush.
Pikërisht duke e parandierë këtë fund, Berisha po përpiqet të organizoj rezistencë kundër autoritetit të tij, duke bërë deklarata si kjo e Baçit që nuk njohin vendimin e Bashës për shkarkim. E gjithë bëhet që në fund, kur Basha të injoroj vendimin e strukturave paralele të Berishës, të krahasohet me gjeste si ky i Baçit, që nuk njeh vendimet e Bashës. Ndryshimi është se Bashës do t’i ngelet PD, kurse Berishës do t’i ngelet Baçi.